Si ju pëlqen që të uleni kur jeni në zyrë, kur dilni në restorant ose kur shikoni televizor në mbrëmje? Shumica prej nesh e ndiejnë veten më rehat kur e mbajnë njërën këmbë mbi tjetrën, por a paraqet ndonjë rrezik tash kur jeni shtatzënë
Njerëzit iu thonë shtatzënave se nëse ulen me njërën këmbë mbi tjetrën nuk është gjë e mirë, sepse shkaktohen venat varikoze, rritet shtypja e gjakut dhe mund të shfaqen komplikime gjatë lindjes.
Gjatë shtatzënisë trupi juaj pëson ndryshime të shumta. Me rritjen e mitrës qendra e gravitetit zhvendoset kah pjesa e përparme e trupit. Rrjedhimisht, ju do të detyroheni të ecni, të uleni dhe të qëndroni në këmbë ndryshe nga më parë.
Pa marrë parasysh se si uleni, përfshirë edhe me njërën këmbë mbi tjetrën, kjo nuk e dëmton beben. Prandaj, uluni ashtu si ju duket më rehatshëm!
Është e vërtetë se nëse uleni me njërën këmbë mbi tjetrën do të keni mpirje dhe ngërçe të kërcinjve si dhe ënjtje të gjunjëve, por këto ndryshime shfaqen edhe tek shtatzënat që nuk i mbajnë këmbët e kryqëzuara.
Nëse keni ënjtje dhe ngërçe të këmbëve, përpiquni që kur rrini ulur t’i mbani të dy shputat në tokë ose mbani këmbët mbi një karrige.
Kur matet shtypja e gjakut ju duhet t’i mbani dy këmbët në tokë, sepse nëse i mbani këmbët të kryqëzuara kjo shkakton rritje momentale të shtypjes së gjakut. Kjo rritje është e përkohshme, por nëse keni shtypje të lartë të gjakut përpiquni që sa më pak t’i mbani këmbët e kryqëzuara.
Venat varikoze shfaqen më shpesh nëse rrini për një kohë të gjatë ulur ose në këmbë, prandaj rekomandohet që vazhdimisht të jeni në lëvizje. Nuk ka fakte se nëse i mbani këmbët njërën mbi tjetrën, kjo i shfaq venat në këmbë.
Nuk është i vërtetë miti se qëndrimi ulur me njërën këmbë mbi tjetrën është i rrezikshëm për beben, por ndikon në mbajtjen e kurrizit drejt.
Qëndrimi ulur me njërën këmbë mbi tjetrën nuk ka ndonjë efekt direkt negativ, por bën që pelviku të rrotullohet dhe përdridhet. Nëse qëndroni në këtë pozicion për një kohë të gjatë, kjo e devijon boshtin e kurrizit dhe shkakton dhimbje të shpinës. Është normale që muskujt kontraktohen duke u munduar që ta drejtojnë kurrizin, që do të thotë angazhim shtesë i muskujve. Si pasojë mund të shfaqet mpirja, dhimbja dhe ngërçet.
Sido që të jetë kjo nuk do të thotë se ju nuk guxoni ta qitni njërën këmbë mbi tjetrën. Rekomandohet që sa më shpesh ta ndërroni pozicionin kur qëndroni ulur për një kohë të gjatë. /Telegrafi/
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...