Shumë njerëz mësojnë 3-4 gjuhë të huaja dhe nuk dinë të shkruajnë shqip.
Është zhvilluar një debat i ashpër për problemet e shqipes standarde. Në kuadër të këtij debati janë kryer veprimtari, janë shkruar artikuj nëpër gazeta dhe janë zhvilluar biseda në studio televizive.
Nga ana tjetër, nuk duhet menduar se shqetësimi i vetëm, që ekziston sot për shqipen standarde, është i natyrës drejtshkrimore, aq më tepër i lidhur vetëm me shkrimin apo mosshkrimin e një shkronje.
Shkeljet e standardit janë bërë aq masive, saqë shpeshherë format e çrregullta janë bërë mbizotëruese dhe heqja e “ë”-së nga disa fjalë, sado e drejtë qoftë kjo, të duket fare e parëndësishme.
Gabimet Drejtshkrimore
Kështu, për shembull, me përjashtim të fjalorëve, emri Yzberish, në shumicën e rasteve, madje edhe në logon e Kombinatit të Mishit (KMY), shkruhet dhe shqiptohet gabimisht Yzberisht, duke i shtuar një “t” në fund.
Ka edhe fjalë të tjera, të cilave u shtohet gabimisht nga një shkronjë në fund ose diku brenda tyre. Për shembull, shkruhet dhe thuhet “garazhd”, “zvicerian” dhe “inspektoriat”, në vend të “garazh”, “zviceran” dhe “inspektorat”, përkatësisht.
Gabimet drejtshkrimore që bëhen, janë të natyrave nga më të ndryshmet. Kështu, disa fjalë të huaja, që janë bërë pjesë e leksikut të gjuhës shqipe, shkruhen dhe shqiptohen gabim, shpeshherë duke ndërruar edhe vendin e tingujve. P.sh., thuhet “infakt” apo “infrakt” në vend të “infarkt” (mbyllje e enëve të gjakut), “andresë” në vend të “adresë”, “ambazhur” në vend të “abazhur”, “prespektivë” në vend të “perspektivë”, “afrofe” në vend të “aforfe” (nga frëngjishtja “à forfait”, që do të thotë “qesim”).
Në fjalë të tjera, zëvendësohet një shkronjë a një tingull me një tjetër. Për shembull, shkruhet e thuhet “albitër” në vend të “arbitër”, “dakort” (në akord) në vend të “dakord”, “eleminim” në vend të “eliminim”, “energjitike” në vend të “energjetike” (rrënja e fjalës është “energje”), “dokumenta” në vend të “dokumente”, “denancim” në vend të “denoncim”, “difekt” në vend të “defekt” (d-efekt) etj.
Fjalët e importuara
Disa fjalë, që kanë hyrë në gjuhën shqipe dhe që kanë “c” ose “g” të ndjekur nga një “e” ose “i”, shkruhen gabimisht me “ç”, përkatësisht me “xh” ose me “g”, në vend që të shkruhen me “c” përkatësisht me “gj”, sipas drejtshkrimit të shqipes standarde.
Kështu, shkruhet “çertifikatë” në vend të “certifikatë”, “proçes” në vend të “proces”, “koefiçient” në vend të “koeficient”, “defiçit” në vend të “deficit”, “liçensë” në vend të “licencë” etj.; “dixhital” në vend të “digjital”, “axhenda” në vend të “agjenda” dhe “gen” në vend të “gjen”, kur shkenca përkatëse shkruhet “gjenetika”.
Kuptimi i fjalëve
Një grup gabimesh janë ato që kanë të bëjnë me shtrembërimin e kuptimit të fjalëve, për shkak të njohjes së mangët të leksikut të shqipes apo të gjuhëve të huaja. I tillë është përdorimi i një fjale në vend të një tjetre me kuptim të afërt, por jo të njëjtë.
Kështu, dëgjojmë të thuhet e të shkruhet që u rrëzua busti i Enver Hoxhës, u ngrit busti i nënë Terezës apo ai i Isa Boletinit, kur ato janë shtatore (statuja). Është njësoj si të ngatërrosh xhaketën me kostumin. Ndodh edhe më keq, kur në një artikull gazete përdoren të dy termat për të njëjtin objekt skulpturor.
Po t’u referohemi fjalorëve, busti është një skulpturë që paraqet pjesën e sipërme të trupit të njeriut që nga mesi e lart ose kokën dhe një pjesë të kraharorit dhe jo të gjithë trupin, si shtatorja.
Shumë njerëz ngatërrojnë fjalë të afërta nga ana fonetike, por krejtësisht të ndryshme nga ana kuptimore, si: adaptoj (përshtat) dhe adoptoj (1. birësoj; 2. pranoj; p.sh. një rezolutë, një vendim etj.); stimuloj (nxit) dhe simuloj (shtirem); mëshiroj (ndjej mëshirë për dikë, i fal gabimin) dhe mishëroj (shpreh diçka në trajtë konkrete, e trupëzoj: p.sh. mishëroj në art një ide); mostër (gjedhe; p.sh. mostër gjaku, dheu, minerali, stofi etj.) dhe monstër (përbindësh); njësoj (bashkoj në një të vetme, unifikoj) dhe njehsoj (llogarit, bëj veprime me numra); afroj (e çoj më afër, më pranë) dhe ofroj (bëj ofertë, propozoj; p.sh. ofroj një çmim, një mundësi etj. dhe jo afroj…); “vogëlia” (mosha e njomë, fëmijëria, mituria) dhe “vegjëlia” (shtresa e varfër e popullsisë); “prefekt” (kryetar prefekture) dhe “perfekt” (i përsosur), etj.
Përdorimi i gabuar
Një nga deformimet më të rëndomta është përdorimi pa nevojë, e madje disa herë edhe në mënyrë të gabuar, i një numri të madh fjalësh të huaja, të cilave shpesh u vihen mbaresa shqipe, të tilla si: “implementim” (në vend të “zbatim”, “futje”, “vënie në jetë”), “impakt” (në vend të “ndikim”), “surprizohem” (në vend të “befasohem”), “konsideroj” (në vend të “marr parasysh”; p.sh.: “e konsideroj këtë fakt”, në vend të “e marr parasysh këtë fakt”), “anunçoj” (në vend të “njoftoj”, “lajmëroj”, “kumtoj” apo “shpall”, sipas rastit), “impresion” (në vend të “përshtypje” apo “mbresë”), “previzion” (në vend të “parashikim”), “dipendohet” (në vend të “varet”), “resurse” (në vend të “burime”), “trend” (në vend të “prirje”; p.sh.: prirjet e zhvillimit të vendit), “të detajshme” (në vend të “të hollësishme”), “në mënyrë frekuente” (në vend të “shpesh” apo “shpeshherë”), “agravim” (në vend të “rëndim”; p.sh. rëndim i gjendjes, i sëmundjes), “abdejtoj” (në vend të “përditësoj” ose edhe “freskoj”, “përtërij”), “është involvuar” (në vend të “është përfshirë”), “abandonoj” (në vend të “braktis”), “bilaterale” (në vend të “dypalëshe”), “bipartizan” (në vend të “dypartiak”), “nukleare” (në vend të “bërthamore”), “event” (në vend të “ngjarje”), “term” (në vend të “afat”; p.sh. afat dyvjeçar), “inaugurim” (në vend të “përurim”) etj. etj.
Madje, disa herë renditen njëra pas tjetrës në të njëjtën fjali fjala shqipe me të huajën përgjegjëse; p.sh., thuhet “një ndikim dhe një influencë”, apo “një përvojë dhe një eksperiencë” etj. Për shkak të njohjes së pamjaftueshme të gjuhës së huaj, disa herë bëhen përkthime të gabuara të disa fjalëve. P.sh., në italishte karboni si element quhet carbonio, kurse qymyri carbone. Duke i ngatërruar këto dy fjalë, rëndom dëgjojmë në emisionet e lajmeve që të thuhet “minierë karboni”, në vend të “minierë qymyri”.
Në raste të tjera, shkak i këtyre gabimeve është mosnjohja e leksikut abstrakt të shqipes.
Kështu, fjala angleze “approach” shpesh përkthehet “përqasje”, që do të thotë “krahasim”, në vend të “qasje”, që në kuptimin kryesor do të thotë “mënyra si bëhet diçka; nga kapet diçka për ta bërë a për ta zgjidhur, si trajtohet një çështje”. Disa herë fjala “avantazh” në vend që të shqipërohet “epërsi”, përkthehet gabimisht “përparësi” (që është sinonim i “prioritet”-it).
Një gabim që bëhet shpesh, sidomos nga gazetarët, është që disa fjalëve të huaja, që kanë hyrë në shqipe me një a dy valenca gjuhësore, u jepen edhe valenca të tjera, si në gjuhët e huaja.
Për shembull, termi “argument” në gjuhën shqipe ka si kuptim kryesor “një arsyetim që përdoret për të vërtetuar ose për të kundërshtuar një mendim”, mirëpo, nën ndikimin e disa gjuhëve të tjera, në shumë emisione lajmesh thuhet që “kalojmë në një argument tjetër”, kur duhet të thuhet që “kalojmë në një temë tjetër”.
Prof. Dr. Pajtim Bejtja./living.al
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...