Google ADS

“ZGJOI” – zgjon audiencën gjermane në këmbë, duartrokitet në Berlin

23:13 | 7 Shtator 2022
KRG

Historia e trishtë por tejet frymëzuese e grave të Krushës, është dhënë në ekranin gjigant të kinemasë “Freiluftkino Hesenheide” të Berlinit.

Në një ambient të hapur me plotë audiencë, filmi “Zgjoi” pasqyroi historinë e Fahrije Hotit.

Për gati një orë e gjysmë publiku gjerman tërë vëmendjen i’a kushtoi ngjarjeve e përpjekjeve për një jetë më të mirë të grave të Krushës, të luajtura me shumë mjeshtëri nga kasti aktorëve nga Kosova.

Mos dorëzimi i Fahrijes, e triumfimi ndaj luftës me mendësinë patriarkate të vendit të saj, u duartrokit nga të pranishmit me të përfunduar filmi.

I dubluar në gjuhën gjermane, filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, nga 8 shtatori do të mbledhë në kinema audiencën gjermane dhe jo vetëm.

Historia e Fahrije Hotit, do të jehojë nëpër të gjitha kinematë e Gjermanisë, për disa javë rresht, kështu kanë bërë të ditur nga Ambasada e Kosovës në Gjermani.

“Jemi të lumtur që tani filmi “Zgjoi” do të shfaqet në kinematë gjermane i dubluar në gjermanisht” – Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani

Gjatë ditës, regjisorja Blerta Basholli së bashku me Fahrije Hotin kanë vizituar Ambasadën e Kosovës në këtë shtet. /Gazeta10

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme