Google ADS

Yllka Gashi: Kosova ka shumë tregime të pa rrëfyera që bota duhet t’i dëgjojë

10:42 | 16 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Filmi debutues i regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli, “Zgjoi” (Hive) është përzgjedhë në konkurrencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur ‘Sundance Film Festival’ që do të mbahet në janar të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj sajë. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.

Aktorja Yllka Gashi e cila njëherit e luan rolin kryesorë në filmin “Zgjoi” është shprehur jashtëzakonisht e lumtur për këtë sukses.

“Jam jashtëzakonisht e lumtur dhe krenare që filmi ynë “Zgjoi” i punuar me shumë dashuri, përkushtim, sakrificë e finesë po fillon rrugëtimin e tij në njërin ndër festivalet më prestigjioze në botë, në Sundance Film Festival në SHBA! Edhe më shumë më gëzon fakti që filmi shtjellon një copëz jete të një gruaje heroinë e cila gjatë luftës së ‘99-tës e humb burrin e saj dhe përkundër të gjitha vështirësive e rrethanave të rënda me të cilat përballet, ajo suksesshëm e ndërton biznesin e saj për t’i ndihmuar komunitetit të grave të veja”, shkruan Gashi.

Tutje ajo këtë sukses e cilëson si shumë domethënës për industrinë e filmit në Kosovë dhe për vendin tonë.

“Kosova ka shumë tregime të pa rrëfyera që bota duhet t’i dëgjojë. Jam e lumtur që përmes këtij filmi ne do të kemi mundësinë ta tregojmë një nga to”, shkruan aktorja.

“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK./ Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme