Familjarë, miq, kolegë e bashkëpunëtorë ishin mbledhur sot në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona” për të kujtuar jetën, veprën dhe punën e regjisorit dhe aktorit të mirënjohur të Kosovës, Smail Imeri, i cili ka ndërruar jetë në moshën 60 vjeçare.
Në orën 12:00, kur zakonisht në këtë teatër mblidheshin shikuesit e vegjël për të parë shfaqjet e kukullave, sot ishin mbledhur figura të shumta jo vetëm të kinematografisë, për të nderuar veprën e regjisorit Imeri, për të cilën është hapur libri i zisë në këtë teatër.
Imeri nuk njihet vetëm si njëri ndër themeluesit e teatrit “Dodona”, pasi gjenerata të tëra fëmijësh janë rritur me filmin “Lepuri me pesë këmbë”, i cili u cilësua si thesar i kinematografisë shqiptare. Për kolegët e tij, Imeri do të kujtohet përherë si njëri i çiltër, i guximshëm, punëtor e ‘njeri i meseleve”.
Me emocione e lot në sy, aktorja dhe regjisorja, Melihate Qena tha se krijimtaria e regjisorit Smail Imeri ishte e mbushur me gjemba e thika pas shpinës, por sipas saj, ky është fati i artistëve të vërtet.
Ajo ka kujtuar kohën e themelimit të teatrit të kukullave, për të cilin tha se e kanë themeluar një grup vizionarësh para 30 viteve.
“Sot është ditë e shtunë dhe është ora 12:00 , ky është termin i zakonshëm i shfaqjeve të teatrit të kukullave dhe kjo sallë në këtë termin është e mbushur me shikues të vegjël mirëpo nuk do të ishin as këta shikues as ky teatër dhe jo sidomos Teatri kukulla pa prezencën e një grup vizionarësh të cilët janë mbledh para 30 viteve dhe kanë formuar këtë teatër. Ky grup në krye me Zonjën Rabie Bajrami dhe me dorën e djathtë të saj Smail Imerin themeluan këtë teatër. Rruga e krijimtarisë së Ismalil Ymerit ka qenë e mbushur me gjemba, me thika mbas shpinës dhe me vështirësi të ndryshme. Ndoshta ky është fati i artistëve të vërtet. Fatkeqësisht ka pas, ka dhe ka me pas në jetë shumë sanjera dhe pak moxarta”, tha Qena.
I pranishëm në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së regjisorit dhe aktorit të mirënjohur, Smail Imeri, ishte edhe kolegu i tij, Bejta Jusufi, i cili tha se vdekja e tij është humbje e madhe për kinematografinë kosovare.
Sipas tij, Imeri do të mbetet motiv për brezat e rinj, të cilëve u bënë thirrje të ndjekin rrugën e tij dhe të gjeneratës së tij, për të cilët thotë se kanë qenë të artë.
“Me shkuarjen e zotit Smail nga kjo botë është një humbje e madhe për të gjithë njerëzimin, për të gjithë kinematografinë shqiptare, e sidomos asaj kosovare. Smailin e njoh prej momentit kur ishte i regjistruar në Universitetin e Zagrebit. Na si punëtorë dhe si pionier i Televizionit të Prishtinës ishim shumë të lumtur që fillojë diçka e re, fillojë një gjeneratë e re që me shku në hap me të gjitha qendrat tjera, dhe ashtu ndodhi, pasi si u kthye Smaili në Prishtinë edhe sa ishte student dha gjithçka prej vetës, ishte plot energji, ishte .. me gjeneratën e vetë në plotë kuptimin e fjalës. Ka punuar pa ndërprerë ashtu që na jepte kurajo edhe neve që është punë që ja vlen me punu, është diçka në të mirën e të gjithëve popullit të Kosovës…Do të jetë motiv për brezat e rinj, ju kisha dhënë një porosi brezave të rinj për të ndjekur rrugën e Smailit, jo vetëm të Smailit pasi ka qenë një gjeneratë e komplet si Agim Sopi, Fahri Hysaj, që mund t’i quaj gjeneratë e artë. Ata kanë ditë çka përdorin, kanë dit për çka janë shkolluar e çka donë me punu”, tha Jusufi.
Gjatë kësaj mbledhje komemorative në teatrin “Dodona” u shfaqë edhe një dokumentar për jetën dhe veprën e Imerit, regjisorit i së cilit ishte Kastriot Saqipi, i cili tha se puna në këtë dokumentar ishte menduar të shfaqej për gjeneratat e reja, e asnjëherë nuk e kishte menduar se do ta shfaqte për vdekjen e mikut dhe kolegut të tij.
Ai ka folur edhe për projektet e tjera që kanë mbetur nga regjisori dhe aktori i mirënjohur, për të cilin thotë se simbolikisht është akoma mes tyre.
Duke folur për organizimin e sotëm, ai tha se aq sa i ndjehet i mërzitur, ndihet krenar dhe i lumtur që ka pasur fatin të punojë me Imerin.
“Gjatë punës e kam pas detyrë të përfshijë gjurmët dhe punët që kanë bërë të tjerët, që t’u tregojmë të rinjve. Assesi nuk e kam menduar ta shfaqë në një ditë të sotit këtë dokumentar e më së pakti për Smailin, sepse prej këtij cikli që kemi punuar prej 20 dokumentarëve, Smaili ka qenë njëri prej më të rinjve që e kemi bë këtë dokumentar. Smaili ka pas edhe dy tri projekte të tjera. Ka folur jashtëzakonisht tepër për Radiotelevizionin e Prishtinës. Sot u ndjeva jashtëzakonisht sa i mërzitur, i kisha edhe ndjenjat e përziera kohë pas kohë, shpesh u ndihesha krenar me punën, ndonjëherë ndoshta nuk është moment i tillë të thuhet por edhe i lumtur se kis ha pas fatin të punojë, e nuk kisha dit që po marr amanetin e tij”, tha Saqipi.
Smail Imeri nuk njihet vetëm si themelues i Teatrit “Dodona”, por njihet për vepra të shumta në kinematografinë shqiptare, ku ai ishte autor i dokumentarin “Duart e pastra” (1981), filmit televiziv “Migjeni” (1989), “Kur shpirti ndërron jetë” (2001), si dhe shumë realizime tjera artistike.
Ai ka vdekur më 13 korrik 2016, në Stokholm të Suedisë ku edhe do të varroset.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...