Google ADS

Vdes albanologu i njohur Robert Elsie

09:43 | 2 Tetor 2017
Arbresh.info

Albanologu i shquar kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie, ka vdekur.

Elsie, është mbase emri më i dëgjuar ndër albanologët e fundshekullit të njëzet dhe fillim shekullit njëzetenjë, raporton KTV.

I lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70-të, kur si student në Gjermani, kishte vizituar bashkë me një grup studentësh Tiranën.

Ai do të bëhej vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe në Prishtinë ku dhe do të mësonte edhe të folmen në gegnisht të shqipes, përmes njohjeve me kosovarët.

I dekoruar nga presidenti Bujar Nishani, Robert Elsie ishte autor i dhjetëra librash dhe artikujsh nga fushat e albanologjisë. Po ashtu, ai kishte përkthyer letërsi shqipe në anglisht, sikur poetët Migjeni, Lasgush Poradeci e shkrimtarin Fatos Kongoli. Ndërkohë ai do të mbahet në mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Elsie, kishte përpiluar edhe leksike dhe fjalor të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës. Gjithashtu, ai kishte qenë përkthyes gjatë procesit gjyqësor të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq në Hagë, ku kishte përkthyer drejtpërdrejt dëshmitarët shqiptarë.

Biografia e Robert Elsies

Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është tani autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.

Në mes të viteve 80-të, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Qysh nga vitet 90-të deri ne fillim të shekullit të 21-të ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Evropës, etj. Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Robert Elsie është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme