Google ADS

Varroset Robert Elsie në Theth të Shkodrës

21:03 | 18 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Në përmbushje të amanetit të tij të fundit, albanologu kanadez, Robert Elsie u varros sot pasdite në mes të Alpeve të Shqipërisë, në fshatin turistik të Thethit, të cilit i kushtoi edhe një nga librat e tij të shumtë, duke dëshmuar për herë të fundit lidhjen e tij të fortë, gati 40 vjeçare, me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në nderim të tij, në fshatin Theth u zhvillua një ceremoni lamtumire, ku morrën pjesë përsonalitete të jetës politike dhe kulturore të Shqipërisë, Kosovës dhe më gjërë.

Mark Palnikaj nga Instituti për Studimet Shqiptare në Londër tha se albanologu Elsie do të jetojë përmes veprës së tij:

“Vepra e Elsie është e përjetëshme, prandaj ai do të jetojë përsëri përmes veprës së tij. Vendin e prehjes së përjetëshme ai e zgjodhi në Alpet Shqiptare, midis majave të larta të rrethuara nga bora dhe nga pishat shekullore. Varri i tij do të kthehet në vend pelegrinazhi për mijra shqiptarë dhe të huaj”.

Ndërsa pjesëmarrës të tjerë në ceremoninë e lamtumirës së albanologut Elsie e cilësuan atë si ambasadorin e kulturës shqiptare në botë.

Historiani dhe deputeti Romeo Gurakuqi e cilësoi ceremoninë e lamtumirës për Robert Elsie si përmbydhje të një jete të tërë studimore kushtuar historisë, kulturës, letërsisë dhe traditave të popullit shqiptar. Ndërsa shkrimtarja Flutura Aliçkaj tha se do të duhet të hulumtohet shumë në veprën e këtij njeriu, i cili në heshtjen dhe vetminë e vet ka krijuar një gjë kaq të madhe. Ajo tha se Elsie është ambasadori më i denjë i kulturës shqiptare.

Robert Elsie lindi në vitin 1950 në Vankuvër të Kanadasë. Për rreth 40 vite ai ju përkushtua studimeve dhe hulumtimeve rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve duke u bërë një ndër albanologët më në zë të kohës. Për disa vite me radhë, marri pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë.

Doktor Elsie eshtë autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. Ai ishte anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme