Google ADS

U promovua monografia “Dy shqiponja”, për dëshmorët Afrim Gashi e Xhafer Lipoveci

13:42 | 3 Tetor 2016
Arbresh.info

Është promovuar, në Gjakovë, libri “Dy Shqiponja”, që iu kushtohet dëshmorëve të lirisë Afrim Gashi e Xhafer Lipoveci, i autorit Refik Gërbeshi.

Libri është botuar nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Focus” dhe është monografi për dy luftëtarët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së, që ranë në betejën e njohur të 19 majit 1999, në Koshare.

Rcensenti i librit, Bahri Gashi, njëherit luftëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ka thënë se duke botuar libra të tillë, përjetësohet vepra e pavdekshme e dëshmorëve të kombit.

Ai ka thënë, se rëniet e mëdha dhe heroike, i bëjnë me të vërtetë të gjallë në mesin tonë, ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

Ernest Luma, redaktor i librit, ka thënë se kjo monografi është një përmendore në letër për veprën e këtyre dy dëshmorëve. “Afrimi nga Hajvalia e Prishtinës dhe Xhaferi nga Gjakova, kanë vendlindje të ndryshme, por rënien, heroizmin dhe pavdëkësinë i kishin të përbashkëta, në Kosharen e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Duke folur për librin, ish-pjesëtari i UÇK-së dhe komandanti i Batalionit IV të Këmbësorisë i Brigadës 138, Pren Marashi, ka thënë se çdo fjalë është e pakët dhe e vogël për veprën e madhe të të rënëve, por është obligim yni që të bëjmë të pamundurën për ta përjetësuar dhe lartësuar kujtimin për ta.

Marashi s’i ka kritikat për institucionet e vendit dhe qeverinë, e cila, sipas tij, nuk po i përfillë dhe respekton vlerat e vërteta të luftës sonë për liri.

Autori Refik Gërbeshi ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në daljen në dritë të këtij libri, dhe ka thënë se kjo monografi është veç një faqe e vogël e që përpiqet të pasqyrojë veprën e madhe të dëshmorëve të kombit.

Ai ka sugjeruar, gjithashtu, që sakrifica e tyre të mos quhet më “rënie”, por të quhet e shkruhet “ngritje luftëtarëve në gradën e dëshmorit”.

Monografia “Dy shqiponjat”, që iu kushtohet dëshmorëve Afrim Gashi e Xhafer Lipoveci, është promovuar ditë muaj më parë edhe në Prishtinë, më 19 maj, në ditën e rënies së tyre, ndërsa promovimi i në Gjakovë, ishte i dyti me radhë, i organizuar me rastin e ditëlindjes së dëshmorit Xhefer Lipoveci.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme