Tashmë pena e sprovuar në prozë e Sabit Bajraktarit dha rezultatet e veta të përkushtimit krijues: përpos pesë vëllimeve me poezi, ai ka botuar romanin “Antologjia e jetës”(2009), vëllimin me proza artistike “Shpirti binjak” (2014) dhe tani vëllimi “Tinguj ikjesh”.
Ky vëllim përbëhet nga njëzetekatër tregime, si dhe një thurje artistike në prozë (“Dymbëdhjetë pasqyrat”), e cila, për nga procedimori i veçantë prozaik, mund të përafrohet me një novelë a roman eseistik-alegorik.
1. Shumësia kuptimore-narrative e ikjes
Jehonat e tingujve të ikjes janë të shumta e të ndryshme te ky vëllim prozash.
Nga kush ikin protagonistët e këtyre tregimeve?
Një ikje mund të jetë nga leximet, kur harrohesh prej zhurmës së përditshme në thellimet duke ne mbushulluar vetveten. Ikja ka ndodhur në kohë të rënda: “… dikur në kohë lufte, kohë ikjeje, kohë që as vet s’di si dreqin ta emërtojë atë kohë pështjellimesh” (tregimi “I çmenduri i mendshëm”). Ndonjëherë njerëzit ndiejnë nevojë të largohen nga realiteti, duke e vënë në lëvizje imagjinatën se po i zotërojnë, kësisoj, vështirësitë e jetës, se po e mundin socialitetin e rëndë se po e mposhtin realitetin e ankthshëm të kujtesës së rëndë a të traumave të luftës që la pasoja në psiken e tyre; ata janë në kërkim të ekuilibrit të qenies së tyre, për të vendosur një gjendje qëndrueshmërie, qetësie e harmonie brenda vetvetes; për t’i rivënë lidhjet me familjen, me vendlindjen, për t’i bashkuar fijet e këputura të jetës: “Atë çast mu kujtua dhembja e babait tim, i cili luftë bëri me robërinë, luftë bënte me varfërinë, luftë po bën edhe me lirinë që erdhi vetëm e vetëm që t’mos më linte t’ikja prej dhembjes sime, dashurisë sime, vendlindjes sonë, luftë bënte edhe me luftën që realisht nuk duhej të ekzistonte…(“Dhembja e veshit”).
Personazhi shpesh është në përleshje me kohën. Ajo lëviz aq e shurdhër, sa njeriu fare nuk vërehet. Madje, një personazh thotë se ai është i pavërejtshëm, i parëndësishëm, prandaj ikën, largohet… “Pasi u bëra gati t’ia filloja jetës… meqë kisha përfunduar edhe studimet, çuditërisht afër meje u shfaq ikja, me rrugët e saja dredha – dredha, mbushur me plotë gropa e gunga. Nuk m’u duk aspak absurde se po humbisja si individ, ajo që më çudiste më shumë ishte se si vendit tim nuk i interesonte as prania, as mungesa ime” (“Humbja ime”).
Kësisoj mendon se po e mbush boshllëkun që shkakton ankthi ekzistencial. Ai e pranon edhe absurdin a pakuptimësinë e jetës, e pranon si shteg ikjeje. Të rrallë janë protagonistët në këtë vëllim që arratisen përmes pijes apo një kënaqësie, porse të shumtë janë ata që arratisen për t’i ndihmuar familjet e tyre. Madje, edhe për ta shpëtuar qenien e tyre prej vorbullave gjenocidale të luftës:
“Mbi dy vite ikjeje nëpër male nën mbulojën e ndonjë dushku si rrobe të improvizuar. Lufta e kishte bërë të vetën saqë kishim harruar se cila ishte dhe si dukej jeta në të vërtetë.Ky rrugëtim si të gjithë rrugëtimet klasike që i kam bërë në jetën time, që në hapin e parë u shndërrua në një rrugëtim argëtues prej të çmendurish” (“Rrëfim i papërfunduar”).
Nganjëherë vrujojnë kujtimet e së kaluarës, si shteg magjie e freskimi mbi errësimet e jetës së përditshme. Nuk ka realitet absolut, në të cilin njeriu gjen prehje të plotë.
Dhe shkrimtari shkruan, bashkëbisedon me Urtinë dhe Poezinë. Shkrimi edhe është një shteg shpëtimi. Aty ai i kundërvihet melankolisë, frikës, çmendurisë: ”Poezia, siç e dimë, është përherë një shkallë më e mençur se poeti, ajo i njeh njëmijë forma të ndryshme drejt ikjes, dhe po aq forma të tjera të kthimit” (tregimi “A ka fund ikja”). Shkrimi është një formë terapie, do të thoshte Graham Greene. Është ky, një tregim i tërë që e mban titullin “A ka fund ikja”. Kaq të obsesionuar me ikjen këta personazhe. Diçka është thyer në shpirtin e tyre. Dëshpërimi ka trokitur në jetën e ekzistencën e tyre. “Vetëm ata që mund të lënë pas gjithçka që kanë besuar ndonjëherë, mund të shpresojnë të ikin” (William S. Burroughs).
A është ikje nga realiteti, kur autori nmbyellt në vetmi e shkruan?
Jo! Është e kundërta: ai futet mu nël gjirin e jetës, në gjeratoret e gjallimit.
Shkrimi është univers alternativ. Është zhytje në një tjetër botë pandan asaj reale.
Shkrimi rrëfen! Dhe, duke rrëfyer, ai mposht shëmtinë e botës përreth; personazhi çlirohet, dhe e përjeton atë katarzën e ripërtëritjes së qenies. “Te porta ku për herë të parë u gdhend fjala luftë, ikje, Zot, profet, poet, gjakpirës…” (“Dymbëdhjet pasqyrat”). Ikja tematizohet e përthyhet nëpërmes reflektimeve të shumta motivore. Te tregimi i dramatizuar “Ikja të grindemi” ikja barazohet me vdekjen:
“Skeptiku: Të kujtohet ajo poezia e famshme që thotë: Mos thuaj po iki / por thuaj po shkoj / se vdekja dhe ikja jan njësoj…
Realisti: Shkova atëherë…
Skeptiku: Ika!”
Dhe, së fundi, personazhet e pranojnë edhe relativitetin e kësaj ekzistence, për t’u pajtuar me absolutin pas jetës:
“Sa e sa herë isha mbështetur për muri në ballkon dhe s’më ishte kujtuar, se një ditë njëri prej nesh ka për t’u mbështetur sall vetëm, në pritje të ikjes së përjetshme.”
Mandej autori i afrohet stilit narrativ kafkian, absurdit të Kamysë, misterit të Dino Bucatit, realizmit magjik të Markesit. Kjo do të thotë se autori rikrijon thurjen e prozës së tij nga letërsia më e mirë. Njerëzit jepen në kërkim të kuptimit të veprimeve të veta, të mendimeve e bindjeve që kanë dhe papritmas e shohin veten se sa të huaj janë.
2. Strukturat tregimtare
Sabri Bajraktari është një krijues letrar atipik, i cili, në krijimin e tij në prozë, arrin të gërshetojë imagjinatën narrative të kontrastit: vetëdijen për absurditetin e ekzistencës, vetëdijen për kthesën paradoksale për triumfin e jetës. Aty i ndeshim shqetësimet e njeriut bashkëkohor për situatën e tij ekzistenciale, si dhe një ironizim situatash që e shtyn lexuesin të mendojë e të reflektojë: cili është kuptimi i jetës?
Tashmë autori ka shkuar duke e zgjeruar rrethin e vet narrativ shumëformësh: rrëfime shpërndahet nëpër fragmente, e fragmentet shpërfaqin dramën e tensionuar që ndërlidhen brenda një tërësie e ku vijnë gjithnjë kuptime të tjera, të reja… Në fakt, duket sikur autori a personazhi ideografik i prozës, dëshiron të duket si një mendimtar, herën tjetër një urtak, pleqnar a filozof; herën e fundit një psikanalist që depërton në misteret e fshehtësitë e psikosituatës. Misteri përmendet shpesh nëpër këto proza, i shtrirë gjithandej si një katalizator i realitetit të zakonshëm. Kësisoj, tregimet “Lumturia, kjo metaforë e rrallë”, “I çmenduri i mendshëm”, “Dhembja e veshit”, “Humbja ime”, “A ka fund ikja”, “Shpëtimtarja”, “I Përndrituri Dashuria dhe Vrasja”, “Adresa hyjnore” dhe “Letra misterioze”, marrin e trajtojnë një ngjarje krejtësisht të zakonshme, një copët “ndodhie” e shqetësimit të brendshëm krijues, që fare mund të mos bjerë në sy në realitetin e përditshëm, shndërrohet në rrëfim e rrëfimi transformohet në botëvështrimin e thelbin surrealist të “ngjarjes”. Ndodh e pamundshmja! E pazakonshmja. Liria vjen, po ndodh absurdi: “Ujë s’ka, dritat kan ikur bashkë me rënien e robërisë, dhe ardhjes së lirisë.” (tregimi “Lumturia, kjo metaforë e rrallë”). “… të gjithë mbaheshin për çlirimtarë e në të vërtetë doli se ishin (vetë)vrasës, të gjithë e mbronin dhe e dëshironin lirinë dhe për çudi prapë po bëhet luftë edhe pas ardhjes së saj, dikush fundosej në fund të pusit e dikush e kthente pusin përmbys dhe ngjitej në qiell… “ (tregimi “I çmenduri i mendshëm”). Pranë një absurdi a misteri, vjen një karakter njerëzor. Pran një ngjarje që nuk ndodh asgjë (si te ngjarjet migjeniane pa lëvizje), vjen një udhëtim, një shtegtim-kërkim drejt vetes; herën tjetër një lëvizje për ta mbushulluar qenien e përmallshme, në fund një shpresë që feks, shkëlqen e llamburit si nëpër përralla, e, në fakt, ato janë përralla të jetës, të lojës së fatit dhe historisë:
“… folëm edhe për fëmijët që u martuan pa dëshirën e tyre që në adoleshencë, diskutuam edhe për Buden pastaj për të preferuarin e tij Jezu Krishtin, me një humor të këndshëm e prekëm edhe temën luftës së Kosovës që, kur më pyeti se ç’rol kisha pasur i thashë me plotë seriozitet se kam qenë komandant! S’ka gjë, më tha, edhe fëmijët kan pasur të drejtë të jenë komandanta pse jo edhe gjenerala…”
Kësisoj thuren edhe alegoritë e mëdha të gjërave që antropomorfizohen në personazhe.
Mandej ndodh dhe një shtegtim a rrugëtim shqetësues, si paralajmërim i së keqes. Si mister. Sado që autori shkon pas një enigme, ajo lihet e tillë për t’u përjetuar pa u zbërthyer.
3. Zhanri postmodern i trajtës së dialogut
Disa tregime të tjera shkruhen në trajtën e dialogut dramatik. Më saktësisht, do të thosha se shkruhen sipas traditës evropiane të dialogut sokratik, sikundër janë tregimet “Zoti i fqinjit tim”, “Eja të grindemi”, “Takëmi i ngrënies” dhe “Sëmundje ngjitëse”.
Duke i tematizuar meditimet për aktualitetin, duke i ironizuar situatat ekzistenciale dhe duke simbolizuar aspekte të jetës nacionale, autori zotëron strukturat tekstore të asaj që sot quhet faction e fiction, faktografi dhe rrëfim imagjinativ, ku hibridizimi i zhanrit postmodern të prozës shkrin trajtat dokumentare (si ajo e emailit), me trajtën e fiksionit, trajtat e dialogut sokratik (realisti, skeptiku) me ato të imagjinatës krijuese, apo trajtat e dialogut biblik (Mateo, Ateo) me ato të tekstit narrativ.
Gjithsesi, tregimet e tilla të detyrojnë të merresh edhe me krijimin e tyre në kontekstin stilistik e ku sistemi semiotik i ndërthurur këtu (antropomorfizimet e shenjëzimet alegorizuese të dialogut të objekteve e gjësendeve te tregimi “Takëmi i ngrënies”), na vijnë me burimet e pasura të kontekstualizimit të gjuhës. Së këndejmi, tregimin e tillë mund ta lexojmë edhe si zhanër i stilit, si forum elokuence, domethënë, kur të gjitha trajtat e përdorura të diskursit nga burimet jashtë gjuhës, orkestrohen me vlerë të re kuptimore e stilistike. Dialogu sokratik narrativ, kësisoj, është njohja e vetvetes. Kur autori e tematizon qoftë problemin etiko-filozofik, qoftë mënyrën dhe formimin e fenomenit moralo-etik sokratian të kohës sonë. Ashtu si këto karaktere flasin, debatojnë, grinden, a ligjërojnë, meditojnë a bashkëbisedojnë ngeshëm dhe shtrojnë pyetje në lidhje me qëllimet dhe idetë e tyre, po ashtu ata vetëzbulojnë botën e tyre, ndonjëherë injorancën e tyre dhe marrëzinë e realitetit vetë.
Ata aktrojnë dojen, por edhe marrëzinë, por ata ekspozojnë edhe dobësi të ejtës shoqërore e personale. Ata përpiqen të arrijnë te e vërteta, ,mbasi është npë vetë natyrën e shoqërisë njerëzore për t’i kërkuar rrugëzgjidhjet, rizgjidhjet e udhërrëfimet, por aty spikaten moskuptimet, mosmarrëveshjet, konfliktet. Tipin e tregimit të tillë le ta lexojmë edhe si aspekt të ecjes së njeriut nëpër mileniume, ku fjala dhe shkrimi u takojnë shkrimtarëve, filozofëve, shkencëtarëve e logjicienëve, por shkrimi nuk u kursye nga demagogët e propaganduesit e politikës, ashtu sikundër përveçohen dhe ekspertët, analistët. Dhe, në këtë proces, shfaqen profetë, magjistarë a parashikues të ndryshëm … Tekstet e tilla përfshijnë thurje të kompozuar detajesh, vetërrëfimesh, vetëkomentimesh, situata observimesh të pafund, personazhesh e identifikimesh personazh-autor, reminishencash meditative-lirike… që i ahsim edhe të libri i parafundit me tregime.
Trajta e dialogut është tipar dallues i civilizimit evropian, që nga ditirambet e lashta greke, nëpërmes dialogëve filozofikë të Ksenofontit, Platonit dhe Aristotelit, për të komunikuar një problematikë etike, kurs nëpërmes zhvillimit (dialektik) të dialogut, nëpërmes shtruarjes së argumenteve e kundër argumenteve, përzgjidhej një qëndrim autorial ose i bashkëbiseduesit, për ta përcaktuar, së fundmi, definicionin e nocionit të caktuar. Prandaj, dialogu është shenjë e Epokës Moderne që nga Renesanca e këndej, kur zuri të përhapej galaksia e Gutenbergut nëpërmes Fjalës së Shtypur; është shenjë moderne e Qytetërimit Evropian. Edhe sot ekziston shprehja dialogu sokratik, për ta shqiptuar a shfaqur një urti nëpërmes kuvendimit,. Te Platoni dialogu filozofik merr edhe trajtë artistike.
4. Fantastika e alegorizimeve
Te proza “Dymbëdhjetë pasqyrat” (mund të quhet novelë, po edhe roman alegorik-eseistik), gjërat, karakteret e misteret vetëm sa shënjohen nmpëprm,es alegorizimeve të shumta.
Kah vjen shpëtimi?
Çka do të përmbyset?
Pasqyrat janë si jeta që reflekton thyerjet e saj të dritës dhe errësirës.
Përvijimi i situatave joreale në rrëfim, zhdrivillohet me strukturimet e situatave simbolike, diskursi narrativ merr trajtë refleksive, Duke u strukturuar realiteti dhe misteri, gjithçka ndodh brenda një atmosfere halucinante.
Edhe te kjo prozë e një karakteri të veçantë, stilistika kompozicionale e këtij krijimi na shtyn të pohojmë se Sabit Bajrakatri i thyen strukturat narrative të tekstit, domethënë, fabula tërhiqet përpara një vizioni narrativ, dhe një shtjellim psiko-narrativ ia lë vendin një diskursi debatues, duke iu afruar jetës vetë, realitetit, amëzës së reales.
Sado që titulli sugjeron një rrëfim përrallor, megjithatë aty janë e mrekullishmja, magjikja e errët, rreziqet kolektive, veprimet e idetë totalitare të kupolës sunduese, aty janë edhe guximi e besnikëria përballë horronit, aventura dhe fikcioni i fantastikes (përshkrimet e ambienteve si te filmat e fantashkencës).
Dhe prapë tregimi thuret me një thjeshtësi të habitshme, thjeshtësia si tipar i teknikës narrative, me një sintaksë të rregullt fjalish e me një fjalor standard të përdorimit të ligjëratës. Autori nuk ndien nevojë të përdorë të folme dialektore karakterizuese, përveçse kur shqipton ndonjë frazeologjizëm a frazë proverbiale.
Në raste të tjera, ky tekst përafrohet me prozën poetike, me lirizmin ekspresiv që janë funksionale për gërshetimet e qasjes realiste me ato surreale. Nëse gjuha e zakontë e ligjëratës përbën normalitetin standard të shprehjes, atëherë, në kontrast me këtë normalitet, vjen atmosfera e të jashtëzakonshmes, i psiko- reflektimeve të shqetësimeve të personazhit. Ankthi lind në amëzën e realitetit shtypës; se a është ky realitet social a nacional, universal a i zakonshëm, kjo nuk ka rëndësi. E jashtmja shfaqet në kontrast me tël brendshmen. Kësisoj, edhe pasqyrat rrëfimtare mund të lexohen si teknikë e fikcionit që përfaqëson simbologjinë e prozës. Të duket sikur tregimet ngërthejnë referencën e një rrëfimi paqësor, që i ikën një situate konfliktuoze, një acarimi a ndeshjeje në skenën e hapët të jetës. Më tutje te proza-novelë, imagjinatës së sëmurë të një kohe të mbushur me errësirë tunelesh, i vjen sfida gjithnjë nga drita.
Dymbëdhjetë pasqyra përcjellin dymbëdhjetë mesazhe. Ka një lëvizje të përsëritur pothuajse gjeometrike, të këndeve të rrëfimi-reflektimit dhe simbolizmit: rrëfimi shtrihet si metaforizim alegorizurs. Vijnë imazhet e njohura të tokës e qiellit, nëntokës, errësirës dhe dritës – si kujtesë e figuruar nga jashtë në brendinë e qenies njerëzore, si përrallë moderne që zbret në filozofinë e kohëve. E keqja, ankthi dhe përmbytja si lajm vjen herë nga nëntoka a tunelet, herë nga mbi-toka a qielli.
5. Në dalje
Rrëfimi vjen edhe si një katarsis nga përvojat e ekzistencës: realiteti gjithnjë përjetohet si një botë shtypëse, gjithnjë perceptohet si një hapësirë e tjetërsuar gjallimi, si stigmë e fatit. Trajta narrative e përrallës ka në brendinë e tij një personazh vizionar, kurse pas i shkon një antagonist që mund të quhet skeptik, mu si te tregimi “Eja të grindemi”. Nganjëherë lexuesi zbulon dhe një tis frike të panjohur, si një analizë e vetvetes, si një tradhti e besimit njerëzor, si një mashtrim që vjen herë nga besimi, herë nga shoqëria e herë nga një mister, nga e panjohura. Vjen zhgënjimi.
Tregimet e shkurta të Sabitit spikaten për nga kreativiteti i mendimit të kondensuar, dhe vetë proza mund të quhet tregim i kondensuar. Zhdrivillohet një kondensim i vizioneve, reflektimeve, një sintezë ironisë me shkrimin e shenjtë (replikat për besimin e mosbesimin, si dhe replikat që thurin kontrastin e shtrirë në gjithë rrëfimin).
Kujtojmë që ky është libri i tij i tetë i këtij autori, ku 5 vëllime janë me poezi, 2 me tregime, ndërsa një vëllim është roman. /Lajmi.net/
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...