Google ADS

Tezgat e librit përfundojnë në “Hortikulturë”

11:36 | 9 Korrik 2015
Arbresh.info

Katër tezgat e drunjta për shitësit ambulantë, por që ishin dëmtuar, meqë nuk janë shfrytëzuar kurrë, kanë përfunduar në depon e “Hortikulturës”, shkruan KohaDitore.

Për këto tezga qeverisja komunale e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte paguar rreth 5 mijë euro. Prej tetorit të vitit 2013, librashitësit ambulantë asnjëherë s’kanë pranuar të sistemohen në to. E qeverisja aktuale e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së fundi i ka larguar tezgat nga sheshi “Zahir Pajaziti” duke i dërguar në një prej depove të ndërmarrjes publike komunale.

Për librashitësit ambulantë largimi i këtyre tezgave është një lajm i mirë, ani pse Komuna e Prishtinës vazhdon të mos u bëjë një zgjidhje përfundimtare.

Miranda Mullafazliu – Bejta, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës, ka thënë se arsyeja e largimit të tezgave prej vendit ku kishin qëndruar për gati dy vjet është kundërshtimi i librarëve për t’u sistemuar në to.

“Ato janë tërhequr, meqë s’janë pëlqyer nga librashitësit dhe s’janë shfrytëzuar prej tyre. Janë tërhequr që të mos dëmtohen më, e të mos demolohen”, ka thënë Fazliu-Bejta, pa dhënë një afat të caktuar se kur është bërë zhvendosja e tezgave./KD/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme