Sislej Xhafa, anëtar Nderi i Akademisë së Firences

00:52 | 20 Dhjetor 2016
Trina Galanxhi

Ish studenti shqiptar në Akademinë e Arteve të Firencës, i cili gjatë kohës së studimeve tërhoqi jo pak vëmëndjen për talentin e tij, është rikthyer sërish më 16 dhjetor në hapësirat e kësaj Akademie, por këtë herë për tu nderuar.

Sislej Xhafa, një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor, është vlerësuar me titullin Akademik Nderi, i Shkollës së Arteve të Firences, një vlerësim që për herë të parë i jepet një ish studenti në historinë e kësaj shkolle. Ky vlerësim iu dha Xhafës për shkëlqimin e veprave të tij, që kanë arritur ta çojnë kudo emrin e Akademisë. Por Xhafa nuk mund të rikthehej në shkollë vetëm si një i ftuar që do të marrë trofeun e merituar. Ai kishte menduar instalimin e një vepre e cila përfshiu dhe studentë të Akademisë.

Një bredh i madh me degë të zhveshura, i djegur dhe i pastoli, i ekspozuar në lakuriqësinë e thatë në oborrin e Akademisë dhe ftesa ndaj gjithë studentëve për ta zbukuruar me gjëra interesante, hedhurina apo çfarëdolloj objekti tjetër. Është vepra site specifik me titullin “bd” që artisti Sislej Xhafa do të ekspozoi në oborrin e Akademisë të premten  më 16 dhjetor.  Artisti me famë ndërkombëtare, të cilit MAXXI – Muzeu kombëtar i arteve i shekullit XXI të Romës i ka kushtuar kohët e fundit një retrospektivë të madhe, Xhafa kthehet në Akademi dhe në Firencen e tij me rastin e START point 2016, takim që prej shtatë vjetësh ekspozon artin dhe talentin e studentëve. Dhe pikërisht Akademia në vitet nëntëdhjetë ka qenë humusi, konteksti ku artisti ka vepruar dhe është formuar.

“Bredhi është për nga natyra e tij përherë i blertë, – shpjegon artisti, – gjë që i jep veçanti, sidomos nëse krahasohet me pamjen e pjesës tjetër të pemëve në periudhën e dimrit: është i vetmi që duket sikur është në fakt i gjallë”. Popujt të parakrishterë e ngritën bredhin në simbolin e ngrohtësisë shtëpiake dhe prandaj e kishin zakon ta zbukuronin midis mureve të shtëpisë në periudhën dimërore. Bredhi bëhej kështu edhe simbol i bashkimit familjar. Këtu pema është e djegur, humbet kështu veçorinë e saj për t’u bërë simbol vuajtjeje, dhimbjeje, dhe në mënyrë spekuluese solidariteti, – vazhdon Sislej Xhafa, – por do të jetë në të njëjtën kohë simbol dinjiteti dhe aspirate për të ardhmen, atë të ardhme që vetëm brezat e rinj janë në gjendje të na e ofrojnë. Dhe atëherë si në një rit të madh artistik kolektiv, bredhi do të ngrihet në oborrin e Akademisë në mënyrë që studentët të mund ta stolisin, duke i falur kështu një perspektivë. I lindur në Pejë, Kosonë, në 1970-ën, Sislej Xhafa jeton dhe punon në Nju Jork. I përfaqësuar nga Galleria Continua, Xhafa njihet për kërkimin e tij artistik brenda realiteteve sociale, ekonomike dhe politike të shoqërizuara me kompleksitetet e shumta të shoqërisë moderne. Kërkimet e tij, për shembull, në lidhje me fenomene të turizmit apo paligjshmërive të detyruara, përdorin një gjuhë minimal dhe janë në të njëjtën kohë ironike dhe subversive, duke përdorur pa dallim një gamë të gjerë mediash, nga skulptura te vizatimi, nga performanca te fotografia.  “Realiteti është më i fortë se arti. Si artist nuk më intereson të pasqyroj realitetin, por dua ta marr në pyetje dh eta vë në diskutim. Edukimi im shoqëror nuk përqafon veprime lineare, racionale. Unë i qasem jetës dhe botës me një instinkt parak. (Intervistë e Gilane Taëardos-it Sislej Xhafës, katalog i ekspozitës “Transmission Interrupted”, Modern Art Oxford, 2009).

Rezultatet sociale të teorive ekonomike dhe i gjithë përfundimi konceptual që rrjedh nga marrëdhëniet e tyre komplekse, kanë qenë për vite të tëra zemra e kërkimit artistik të Sislej Xhafës, që merr në pyetje gjendjen ligjore të vendit të tij të origjinës, Kosovës, duke u prezantuar si Pavijoni i Fshehtë në Bienalen e Venecias (1997). Apo në cilësinë e broker-i që nuk shet aksione, por blen dhe shet nisje dhe mbërritje trenash në performancën “Stock Exchange”.   Në një shesh të Torinos tërheq në një qendër pune të përkohshme që në fakt është njëfarë skene. Në Nju Jork reflekton mbi konceptin e sigurisë dhe stabilitetit, dhe në Manhatan merr një kamion të viteve ’50 të mbushur me të rinj avokatë për të shkuar në rrugën kryesore ndërsa këta recitojnë me zë të lartë faqen e Faqeve të Verdha nën zërin “Avokatë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme