Shuhet “Mjeshtri i Madh” i humorit Gëzim Kruja

13:47 | 5 Prill 2020
L G

Gëzim Kruja është ndarë nga jeta në moshën 80 vjeçare, nga një sëmundje që e kishte pushtuar vitet e fundit.

Më shumë se gjysmën e jetës së tij dhuroi gëzime dhe të qeshura në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve, duke na lënë vepra, batuta e shprehje që janë rrënjosur tanimë në kujtesën e shqiptarëve.

Festoi 80 vjetorin 3 muaj më parë, i heshtur, pasi nuk mund të fliste, ai artisti që numëron mijëra role që bashkë me Zef Dedën i sollën skenës shqiptare edhe humorin në formën e recitaleve muzikore.

Gëzim Kruja lindi dhe u shua në Shkodrën e humorit, aty ku edhe nisi karrierën e tij që në moshën 13 vjeçare.

Gëzim Kruja mund të ishte një mësues i letërsisë, por zgjodhi t’i mbushë shtëpitë e shqiptarëve me të qeshura. Ndonëse ka mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër, vendosi që gjatë karrierës së tij si interpretues, të ishte edhe autor i materialeve të tij. Ka shkruar 15 komedi, 10 recitale dh 2 libra që dhurojnë humor.

Në vitin 2005, ai mori titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”, sot aktori që mjeshtërinë e tij e la përmes artit që koha ka treguar se ne nuk do ta humbasim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme