Pozita e mirë gjeografike dhe burimet e shumta natyrore e bëjnë Kosovën një nga vendet më të përshtatshme për t’u vizituar nga turistët e huaj.
Kosova, gjithnjë e më shumë po kthehet në destinacion të pëlqyer turistik, për vizitorët nga e gjithë bota.
Kryesisht kërkesat për vizitë në Kosovë janë një apo dy ditore dhe kryesisht kanë motiv trashëgiminë kulturore dhe qendrat urbane.
Eksperti i turizmit dhe pronar i “Intours & Travel”, Zekë Çeku, tha për Telegrafi se Kosova gjithnjë e më shumë po kthehet në destinacion të pëlqyer turistik.
“Kosova, gjithnjë e më shumë po kthehet në destinacion të pëlqyer turistik, për vizitorët rajonal, ndërkombëtar dhe ata tej-oqeanik”, ka treguar ai.
Në Kosovë vendet më të shpeshta që vizitohen nga turistët e huaj, sipas Çekut janë qendrat urbane, objektet fetare, restorantet e shumta dhe në veçanti Bjeshkët e Kosovës.
“Turistët ndërkombëtar kanë kryesisht motiv trashëgiminë kulturore, qendrat urbane, në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë arrijnë në kuadër të projekteve rajonale, siç është ‘Majat Ballkanit’, në Bjeshkët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kohëve të fundit, ky projekt është inkorporuar në një mega projekt, ‘Via Dinarika’, që është ndër më të mëdhenjtë në botë, ku të dy projektet, vizitohen nga dashamirët e natyrës dhe aktiviteteve në natyrë”, tha ai.
Çeku ka thënë se turizmi në Kosovë po zhvillohet nga bizneset private, por sipas tij, institucionet janë pak të interesuara për ta përkrahur zhvillimin e turizmit.
“Turizmi në Kosovë zhvillohet ekskluzivisht nga bizneset private, por në masë më të vogël, disa iniciativa këshilluese, përkrahën edhe nga donatorët. Fatkeqësisht, institucionet janë fare pak të interesuara që ta përkrahin zhvillimin e turizmit, sidomos ato qendrore në mungesë të njohjes dhe vetëdijes lidhur me mundësitë e jashtëzakonshme që ofron turizmi”, tha eksperti Zekë Çeku për Telegrafi.
Ai tregon se ushqimi tradicional kosovar është ushqimi i preferuar i turistëve të huaj.
“Varësisht nga vijnë vizitorët e jashtëm, pëlqejnë ushqimin tradicional, sidomos llojet e tavave, specialitetet nga zgara, byrekët, si dhe pjekjet nga viçi, keci dhe qengji. Përveç mysafirëve nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit, të cilët duan ushqim me bollëk, të gjithë vizitorët ndërkombëtar, na dhurojnë lëvdata për shijen por na qortojnë për sasinë e tepruar të ushqimit në pjata”, tha Çeku.
Kryesuesi i Komisionit për Klasifikim dhe Kategorizim të objekteve hoteliere në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë, Hysen Sogojeva, ka thënë për Telegrafin se Kosova në aspektin e shërbimeve qëndron më mirë, por hotelet sipas tij, nuk kanë kapacitete të mjaftueshme.
“Nëse e shikojmë me rajonin, Kosova sa i përket shërbimeve është më mirë, ku këtë e ka bërë përvoja nga kuzhinierët që e kanë marrë zanatin në Perëndim gjatë viteve të ’90-ta. Kapaciteti i hoteleve në Kosovë ende është i vogël dhe për ironi të fatit për sa i përket shërbimeve ne jemi më të shtrenjtit në rajon”, tha Sogojeva për Telegrafi.
Ai ka treguar se janë duke e përgatitur Ligjin e ri për udhërrëfyesit turistik.
“Kemi përgatitur koncept-dokumentin e Ligjit të ri dhe presim që shumë shpejtë kjo të përfundoj dhe me këtë presim që së shpejti do t’i rregullojmë udhërrëfyesit turistik. Aktualisht i kemi mbi 60 udhërrëfyes, por që ende nuk janë të rregulluara ashtu siç duhet me ligj. Jemi duke u munduar që sa më parë Kosova të ketë një strategji të përgjithshme të turizmit me një afat pesë vjeçar, pastaj kjo strategji do të na tregoj se nga do të shkoj turizmi, dhe se cilat do të janë prioritetet dhe produktet që do tu ofrohen turistëve”, tha Sogojeva.
Ai tha se turistët të cilët e vizitojnë Kosovën janë të kënaqur, e sidomos me sigurinë e cila i ofrohet.
“Turistët e huaj janë mjaft të kënaqur me Kosovën, veçanërisht ne e kemi shumë të theksuar mikpritjen. Mirëpo, duhet të bëjmë çmos që pjesën e errët të Kosovës ta eliminojmë me qëllim që të nxitet turisti të vjen në Kosovë, ndryshe kjo do të ndikojë në turizëm. Deri më tani nuk kemi ankesa për sigurinë e turistëve të huaj, gjithashtu dhe këtë duhet ta rregullojmë me ligj për llojet e ndryshme të ‘guidave’ që në të ardhmen mos të ketë probleme”, tha Sogojeva.
Edhe Virtyt Gacaferri nga “Balkan Natural Adventure” ka thënë për Telegrafi se Kosova kryesisht shihet si një nga vendet e rajonit që duhet vizituar dhe se turizmi në vendin tonë ka rritje.
“Tregu i turizmit në botë ka rritje të madhe me këtë edhe Kosova si destinacion. Kosova kryesisht shihet si një nga vendet e rajonit që duhet vizituar. Balkan Natural Adventure e mbulon Kosovën, Malin e Zi dhe Shqipërinë në një ecje që quhet ‘Peaks of the Balkans’ dhe për të ka interesim më shumë se vitin e kaluar. Kërkesat për vizitë Kosovës pa fqinjë janë për vizita të shkurtra një apo dy ditore dhe janë mjaft të pakta. Mendoj se turizmi ka rritje. Ne si ‘Balkan Natural Adventure’ jemi duke eksploruar tregun aziatik dhe atë të Lindjes së Mesme, mirëpo më së miri qëndrojmë në Britani dhe Australi”, tha për Telegrafin, pronari i Balkan Natural Adventure.
Sipas Gacaferit, Kosova ka mungesë të ofertës dhe mungesë të investimeve në turizëm nga Qeveria.
“Në atë që dikush do e quante ‘spic-sezon’ do të mund të ketë mungesë të kapaciteteve, mirëpo pjesën tjetër të vitin nuk ka probleme të tilla. Mendoj se Kosova ka mungesë të ofertës, ka shumë pak produkte dhe investimi në turizëm bëhet më shumë nga donatorët sesa nga Qeveria. Ndonjëherë duket sikur zviceranët dhe amerikanët dhe evropianët e donë Kosovën më shumë sesa vet ne “, tha ai.
Gacaferi i tregon destinacionet e turistëve të huaj në Kosovë.
“Kërkesat më të mëdha të turistëve të huaja janë për t’i vizituar Bjeshkët e Nemuna dhe Pejën pastaj Prizreni dhe Bjeshkët e Sharrit. Sipas statistikave të hotelerisë vendi më i vizituar është Prishtina, Peja dhe Prizreni”, tha Gacaferi.
Sipas tij, mungesa e investimeve pengon rritjen numrit të turistëve.
“Kosovës i mungon investimi në shkollim, shëndetësi, krijim të vendeve të punës, pra edhe në turizëm. Me investimet në 20 kilometra autostradë do rregullohej si duhet qyteti antik Ulpiana, ai afër Klinës dhe Siparenti në Pejë. Do rregullohej komplet infrastruktura bjeshkatare në Bjeshkë të Nemuna dhe Sharr, do përmirësohej Brezovica si qendër skijimi “, tha ai për Telegrafin.
Sipas raportit “Kapacitetet e Turizmit në Kosovë, 2016”, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vend janë identifikuar 495 njësi akomoduese, prej tyre 464 njësi aktive. Kapaciteti i njësive aktive është 6936 dhoma dhe 10985 shtretër. Numri më i madh i njësive akomoduese gjendet në Komunën e Prishtinës me 78 njësi, pastaj radhitet Peja me 58 njësi, Prizreni me 54 njësi dhe Ferizaj me 41 njësi.
Kategoritë kryesore të njësive akomoduese në Kosovë janë hotelet dhe motelet. Hotelet përfshijnë 42 për qind të totalit të njësive akomoduese, apo 194 njësi, ndërsa motelet përbëjnë 39 për qind me 182 njësi. /Albert Spahiu /Telegrafi/
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...