Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, vend i cili gjatë historisë ka qenë shtëpi e qytetërimeve të ndryshme, tërheq vëmendjen e vizitorëve me stilet arkitekturore të kohërave të ndryshme që janë të pranishme në këtë qytet.
Qyteti brenda tij ka vendbanim antik dhe vend arkeologjik të mbetura edhe para kohës së Bizantit, ndërsa gjithashtu në qytet ndodhen edhe ndërtesa të periudhës osmane, jugosllave, të arkitekturës brutaliste të ndërtuar pas tërmetit të vitit 1963, i cili shkatërroi gati gjysmën e qytetit si dhe fasadat e stilit barok të ndërtuara në vitet e fundit.
Shkupi gjithashtu ka një ndërtesë të stilit neo-andaluziane gjë që në gjeografinë e afërt mund të vërehet rrallë.
Gjithashtu vlen të përmendet se Shkupi, përveç tërmetit të vitit 1963, përjetoi edhe një katastrofë, kur më 26 tetor të vitit 1689, komandanti austriak, gjenerali Enea Silvio Piccolomini, dëshironte të marrë nën kontroll tokat që në atë kohë ishin nën sundimin osman. Ai i vuri flakën qytetit, ndërsa zjarri i cili zgjati dy ditë e shkatërroi gati gjithë qytetin.
Pas këtij zjarri, vetëm disa objekte të gurit kishin mbijetuar ndërsa edhe popullata e qytetit ishte zvogëluar në mënyrë drastike, duke e humbur rëndësinë e qendrës tregtare rajonale.
– Veprat e kohërave të vjetra
Shkupi për arsye se është në një ndër pikat kyçe të Gadishullit Ballkanik ka qenë atdheu i shumë popujve.
Historianët thonë se qyteti është ndërtuar në kohën e dardanëve me emrin “Scupi”, ku më pas Perandoria Romake ka rindërtuar mbi rrënojat e këtij qyteti.
Rrënojat e këtij qytetit të vjetër pjesërisht kanë arritur deri në ditët e sotme. Në qytetin antik “Scupi” mund të vërehen mure teatri, bazilikës, hamamit dhe ndërtesave tjera.
Një vepër tjetër që dëshmon historinë e qytetit është Akuadukti i Shkupit. Edhe pse mendohet se është ndërtuar në shekullin e 6-të, nga romakët ose bizantët, disa burime thonë se ky monument historik është ndërtuar në periudhën osmane.
Akuadukti, në kohën osmane ka qenë e njohur si Akuadukti i Mustafa Pashës, ndërsa në atë kohë dihet se ka bartur ujë në Çarshinë e Shkupit dhe Xhaminë Mustafa Pasha.
Nga gjithsej afro 200 gjysëm rrethore deri më sot kanë mbetur vetëm 50. Gjithashtu edhe Kalaja e Shkupit është ndër veprat e kohërave të lashta.
– Çarshia e Vjetër e Shkupit dhe Veprat Osmane
“Qendra tregtare” e kohërave të vjetra e cila gjithashtu njihet si Çarshia e Vjetër Turke me dyqane të vogla, punëtori, xhami, restorante tradicionale, hane dhe hamame, u ofron vizitorëve mundësinë për të ndier frymën e qytetit.
Rrugët e Çarshisë janë dëshmitarë të historisë, ndërsa është adresa më e vizituar qoftë e qytetarëve apo turistëve. Çarshia në çdo cep të saj mban një histori të fshehtë.
Në veprën “Udhëtimet” të kronikanit osman Evlija Çelebi dhe punimet e disa historianëve, në Shkup ka pasur 125 xhami, ndërsa shumë pak prej tyre kanë mbetur deri në ditët e sotme.
Shembujt e rrallë që kanë arritur deri në ditët e sotme janë xhamia e Mustafa Pashës, xhamia e Murat Pashës, xhamia e Sulltan Muratit, xhamia Allaxha, Kurshumli An, Kapan An, Suli An, Çifte Hamam, Hamami i Davut Pashës dhe të tjerë.
Një shembull tjetër i rrallë i periudhës osmane tregohet edhe Sahat Kulla e Shkupit. Kulla e ndërtuar në shekullin e 16-të ndodhet në një kodër në kryeqytetin e vendit, pranë xhamisë së Sulltan Muratit ndërsa me kupolën e saj që i ngjan arkitekturës mesjetare ruse është një ndër stilet e ndryshme të qytetit.
Kronikani francez Filip Difren në vitin 1573 ka vizituar Shkupin, ku në informacionin që ka shpërndarë në lidhje me këtë vizitë tregon se Sahat Kulla e Shkupit është e para në tokat osmane të asaj kohe dhe se ora dhe orëndreqësi i tij është sjellë nga qyteti Szeged i Hungarisë që atë kohë ka qenë nën kontrollin osman.
Në tërmetin e vitit 1963, edhe Sahat Kulla ka pësuar dëme, ndërsa ora e saj është hequr me arsye se do të riparohet, por më pas janë humbur. Sahat Kullës në vitin 2008 me kontribut të Turqisë sërish iu vendos ora e prodhuar në Zvicër.
Sot Sahat Kulla dhe kompleksi në të cilin ndodhet edhe xhamia e Sulltan Muratit rinovohet nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Ura e Gurit me shekuj bashkon dy anët të cilën lumi Vardar e ndan në dy pjesë qytetin. Është ndër veprat simbolike osmane në Shkup.
– “Shtëpia arabe” dhe Arkitektura Andaluziane
Në Ballkan dihen dy ndërtesa me arkitekturë andaluziane ose neo-andaluziane. Njëra është “Shtëpia arabe” në Shkup dhe Biblioteka Vjeçnica në Sarajevë.
Sipas legjendës, ndërtesa është ndërtuar në vitet 1936-1938 nga një biznismen armen që merrej me tekstil me emrin Agop Dikixhijan për të dashurën e tij Agavni, e cila u projektua nga arkitekti Ivan Artemushkin. Me cilësitë e saj arkitekturore kjo ndërtesë tërheqë vëmendjen.
Shtëpia arabe sot nuk është në përdorim por në të kaluarën ka shërbyer edhe si hotel.
– Tërmeti i vitit 1963 dhe Shkupi Futurist
Shkupi në fillim të shekullit të 20-të, në periudhën jugosllave filloi të marrë një pamje të re.
Ky stil i njohur edhe si arkitekturë konstruktiviste, kishte për qëllim që të bashkojë shkencën e arkitekturës dhe teknologjinë e zhvilluar të asaj kohe me ideologjinë komuniste.
Por, pas tërmetit të vitit 1963, Shkupi hyri në një proces të ri të ndërtimit.
Sot përkujtohet në ish-stacionin e trenit tërmeti i cili ndodhi në orën 05.17. Sot, kjo ndërtesë përdoret si Muze i Shkupit, ku ora përpara kësaj ndërtese ende qëndron në kohën kur ka ndodhur tërmeti.
Pas tërmetit, qyteti i Shkupit është shndërruar në një qytet “të solidaritetit ndërkombëtar”, ku ishin dërguar ndihma nga shumë vende të botës. Sot shumë lagje, ndërtesa ose rrugë kanë marrë emrin e vendit ose liderëve që ka siguruar ndihma.
Përderisa qyteti mundohej që të shërojë plagët e tërmetit, një konkurs ndërkombëtar me mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) është organizuar për rindërtimin e qytetit. Konkursin e fiton arkitekti japonez Kenzo Tange, por edhe pse nuk realizohet plotësisht “master plani” i tij për Shkupin, arkitektët lokalë projektojnë një arkitekturë të harmonizuar mes arkitekturës brutaliste dhe futuriste.
Sot ndër to janë stacioni hekurudhor, Posta Qendrore, Universiteti Shtetëror dhe të tjera. Këto ndërtesa për arsye të pamjeve të tyre futuristike tërheqin vëmendje.
– “Shkupi 2014” dhe statujat
Gjatë periudhës së qeverisë së kaluar të Maqedonisë së Veriut, Shkupi mori edhe stilin e fundit të arkitekturës, me anë të projektit “Shkupi 2014”.
Fasada e ndërtuar në stilin barok si dhe një numër i madh i statujave ndryshuan frymën e qytetit të lashtë.
Në kuadër të këtyre punimeve rindërtohet edhe një ndërtesë e ngjashme me Shtëpinë e Armatës, e cila ishte ndërtuar nga serbët pasi e kishin shkatërruar xhaminë Burmali të ndërtuar në vitin 1494 nga Karlizade Mehmet Bey.
Gjithashtu edhe Qendra Tregtare e Shkupit e ndërtuar në vitet 1970-ta, është në mesin e simboleve të qytetit, ndërtesë e cila shpëtoi nga fasada e stilit barok, pasi qytetarët refuzuan restaurimin e saj dhe Komuna Qendër organizoi një referendum./AA
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...
Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së, merr pjesë në një ushtrim ...