Shkëlzen Doli me Ansamblin e Filarmonisë së Vjenës, sërish koncert në Tiranë

23:36 | 10 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Të gjithë e kujtojmë ende mbrëmjen e 2 janarit, ku violinist i mirënjohur Shkëlzen Doli solli në Tiranë Filarmoninë e Vjenës. Me plis në kokë dhe me një teke raki, Doli i entuziazmoi të gjithë sallën e Pallatit të Kongreseve. Por duket se ky emocion do të përsëritet.

Burime nga “Gazeta Shqiptare” kanë mundur të mësojnë se Shkëlzen Dolli do të rikthehet edhe njëherë në Tiranë, së bashku me Filarmoninë e Vjenës. Me aq sa kemi mundur të mësojmë kanë nisur provat për të mirëpritur artistin e mirënjohur, në një koncert që do të organizohet në sheshin “Skënderbej”. Bëhet me dije se koncerti do të mbahet më 23 shtator 2017.

I mbërritur në Shqipëri, një ditë pasi mori pjesë në koncertin e fillimvitit në Vjenë, artisti shqiptar dhe Ansambli i Filarmonisë vjeneze, performuan me rezonancë të lartë profesionale në kryeqytet më 2 janar të këtij viti. Në një shfaqje që solli në ajrin shqiptar kompozitorët më të mëdhenj të botës, kulmi ishte performanca e orkestrantëve me plis në kokë, ndërsa luanin “Danubin Blu” dhe pinin raki shqiptare. Për më tepër se 1 orë e 30 minuta, 36 anëtarët e filarmonisë vjeneze performuan klasikët e muzikës botërore. Një pjesë e konsiderushme e të ardhurave të përfituara nga shfaqja shkuan për bamirësi. Mbetet për t’u parë sesi do të jetë organizuar shfaqja këtë herë, por natyrisht që do të ketë tipare tradicionale shqiptare në ço detaj. E duke qenë se është në shesh të hapur, hyrja do të jetë e lirë për të gjithë publikun.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme