Google ADS

Shala: Ulpiana meriton të jetë park arkeologjik

13:24 | 12 Korrik 2016
Arbresh.info

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në vjeshtë të këtij viti do të përfundoj punimet në Ulpianë, një vend arkeologjik në afërsi të Prishtinës i parashihet të kthehet në një park arkeologjik.

Si i tillë, parku Ulpiana do të jetë parku i  parë arkeologjik në Kosovë. Punimet në këtë vend kishin filluar qysh nga viti 2010, ndërsa dy vitet e fundit, përveç  gërmimeve që i janë bërë, arkeologët kanë punuar edhe në konservimin, restaurimin e këtij lokaliteti.

Ministri i Kulturës, Kujtim Shala gjatë vizitës që i bëri këtij lokacioni, tha se Ulpiana meriton të jetë parku i parë arkeologjik në Kosovë, si një shenj nga më të vjetrat e identitetit tonë. Shala tha se MKRS  do të ndërmarr masa të rëndësishme në fushën ligjore, sepse ndërrimi nga një lokalitet arkeologjik në park arkeologjik i ka specifikat e veta.

“Kthehemi në Ulpianë periodikisht që të shohim se si po ecin punimet, por shumë e rëndësishme është që ne kemi një ekip që punojnë sistematikisht këtu dhe punojnë me përkushtim. Punimet në Ulpianë  janë në një fazë shumë të rëndësishme meqë ky lokalitete në finalizimin e kësaj faze do të ndërroj edhe statusin nga lokalitet arkeologjik do të kthehet në park arkeologjik, që do të jetë parku i parë në Kosovë dhe besoj që Ulpiana e meriton të jetë parku i parë në Kosovë si një shenj nga më të vjetrat e identitetit tonë… Duhet të ndërmarr edhe një numër masash të rëndësishme të fushës ligjore sepse do të ketë ndryshim të statusit të lokalitetet, atëherë ky lokalitet do të ketë disa specifika të tjera, të cilave ne duhet të ja përshtatim bazave ligjore”, tha ministri Shala.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i punimeve në lokalitetin Ulpiana, Milot Berisha, tha se projekti i vitit 2016 synon konservimin apo restaurimin e këtij lokaliteti. Ai beson se ky projekt do të përfundoj në vjeshtë të këtij viti.

 

“Projekti i vitit 2016 si synim final  e ka konservimin, restaurimin përkatësisht konsolidimin e të gjitha strukturave që ne i kemi zbuluar nder vite, një proces shumë i ndërlikuar që ti zgjasin jetën këtyre strukturave dhe monumenteve, por krahas sajë janë zhvillu edhe disa gërmime për të mbajtur kontuinitetin e hulumtimeve, por fokusi kryesor është që ky lokalitete të shpallet park arkeologjik. Ne jemi shumë të nderuar dhe njëkohësisht kemi një barrë shumë të madhe sepse është një proces mjaft i ndërlikuar dhe po shpresoj nga fundi i vjeshtës ne ti përfundojmë vendosjen e shtigjeve për vizitor, vendosjen e tabelave informative dhe ti rregullojmë edhe ambientet tjera të infrastrukturës bazike”, tha Berisha.

Udhëheqësi i punimeve në lokalitetin Ulpiana tha ndër të tjera se ky park arkeologjik do të ketë një mbikëqyrje të vazhdueshme e  të përhershme në mirëmbajtje, ruajtje dhe gjithashtu edhe në siguri. Ai tregoi se  do të punohet edhe në promovimin e arkeo-turizmit që të kenë mundësi të shoqërohen vizitoret dhe të informohen më shumë rreth këtij parku. Krahas kësaj, Milot Berisha bëri të ditur që  po punohet edhe në përgatitjen e një materiali promovues për parkun Ulpiana, ku do të pasqyrohet gjithçka përbrenda një udhërrëfyesi që do të informoj vizitorët më shumë rreth fazës së evokimit të këtij lokaliteti arkeologjik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme