Shitja e librit ka pësuar rënie të dukshme krahasuar me numrin e banorëve të Prishtinës dhe numrin e studentëve, ndërsa koha kur vërehet një interesim më i madh për blerjen e librit është sezoni i verës, thonë shitës të librarive më të njohura në kryeqytet, si dhe shitës ambulantë të librit.
Jahir Ahmeti, përfaqësues i librarisë “Toena” në Prishtinë, veçon vitin 2004 si vit në të cilën ka pasur më së shumti shitje që nga viti 1997 prej kur edhe është hapur libraria ku ai punon.
“Pas kësaj periudhe vazhdimisht ka pasur një rënie në kërkesën e librit. Me që nuk ka lexues dhe as kërkesa për blerje të librit, libri botohet në tirazh më të vogël dhe çmimi kushtues i tij del më i shtrenjtë.
Shpenzimet për përgatitjen e librit janë të njëjta si kur bëhet fjalë për tirazh më të vogël si për tirazh më të madh, prandaj çmimi kushtues i librit është i shtrenjtë për kushtet tona. Po të kishte më shumë lexues tirazhi do të rritej dhe çmimi rrjedhimisht do të binte”, deklaron Ahmeti për KosovaLive.
Ajo që ka ndikuar në rënien e shitjes së librit, sipas tij, janë edhe veprimet e jashtëligjshme, si fotokopjet, librat pirat, të cilët shumëzohen pa leje.
“Në Angli shtypen tirazhe të mëdha të librit dhe te ne vjen libri me 500 faqe me çmim prej tri euro e gjysmë, ndërsa këtu nuk ka shans të shtypet një libër i tillë dhe të shitet me këtë çmim, sepse tregu është i vogël. Pastaj në shitjen e librit kanë ndikuar shumë edhe veprimet e jashtëligjshme, siç janë fotokopjet, librat pirat, të cilët shumëzohen pa leje. Ato janë të lira pasi nuk paguajnë të drejtën e autorit, nuk paguajnë detyrim ndaj shtetit”, thotë Ahmeti.
Jeta Bokshi, librashitëse në librarinë “Dukagjini” thotë se në librarinë ku ajo punon ka shitje të mirë të librit. Sipas saj, brenda ditës mesatarisht shiten nga 250 libra të të gjitha zhanreve dhe të botuar në disa gjuhë.
Bokshi deklaroi se sezoni në të cilën libraria është më e frekuentuar dhe ka më shumë shitje është ai i verës.
“Libraria jonë ka libra të shtrenjtë, por ka edhe libra me çmim mesatar. Por duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në Kosovë, gjithsesi çmimi ndikon në shitje”, nënvizon ajo.
Shitësi ambulant i librit, Elbasan Kastrati, thotë se ka shitje të librit, por jo ashtu siç ka qenë para disa viteve. Ai thekson se në periudhën e pesë viteve të para të pasluftës libri është shitur më së shumti.
“Tani nuk shitet edhe aq shumë dhe besoj që ndikues është çmimi i librit. Qarkullimi ditor i librit nuk është i madh dhe në sezonin e verës ka më shumë kërkesa për librin. Librat më të kërkuar gjatë kësaj kohe janë romanet dhe librat psikologjik të autorëve të huaj në përgjithësi.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?