Jaho Branaj
Përgatitja e dosjes për t’u shpallur pasuri botërore “Epika e Kreshnikëve” përfshin edhe traditën dhe ruajtjen e mjeshtërisë së punimit të instrumentit të lahutës, instrument muzikor shoqërues i këngëve të kreshnikëve, sepse janë vepra të mirëfillta arti. Nga studiuesit nuk ka patur vëmendjen e duhur ornamentika dhe gdhendjet e artit arkaik popullor të figurave mitike në këtë instrument të lashtë, shoqëruesi i vetëm muzikor i Epikës së Kreshnikëve.
Faktor se janë ruajtur instrumentet muzikore të lahutës, me moshë një apo edhe dy shekullore (ndoshta edhe më shumë), është edhe kulti që kishte ky instrument tek popullsia bartëse e traditës së Ciklit të Kreshnikëve. Së pari, edhe kur instrumenti muzikor bëhej i papërdorshëm nga dëmtimet e vjetërsisë, ai nuk thyhej, nuk digjej, nuk tretej (flakej), por ruhej me respekt në ndonjë qoshe të shtëpisë, kryesisht në tavanet e banesës fshatare.
Për mbajtjen e lahutës kishte rregulla: ajo varej lart në një kunj, nuk lejohej “ti lëshohej gja për ftyrë”, pra nuk lejohej që në atë kunj të vareshin objekte ose veshje të tjera përveç saj. Sipas zakonit, tradicional, asaj i ruhej edhe pamja. Në çdo rast që shfaqej në mjedisin e banimit, ishte ogur i mirë e mbrojtëse nga e keqja (sipas konceptit pagan nga kohët e mugëta të besimeve kultike e miteve). Pra, ishte si një ikonë brenda ambientit të banimit të familjes fshatare shqiptare; ishte një shëmbëlltyrë reale materiale e qenieve mitike mbrojtëse të etnisë tonë.
Duke i vlerësuar këto tabu, që lidheshin me këtë instrument me vlera arti, duhet të kuptojmë edhe rëndësinë që ka gjurmimi dhe vlerësimi i tematikës dhe figurave që janë gdhendur në kokat e këtij instrumenti të lashtë, si pjesë e artit të lashtë kultik të paraardhësve tonë.
Nga gjurmimi i kryer dhe fotografimi i shumë prej këtyre instrumenteve të vjetra, që ruhen kryesisht në dorën e rapsodëve dhe të koleksionistëve, pamja është me interes dhe befasuese. Gdhendja më e zakonshme që kanë lahutat është koka e dhisë. Është pranuar nga studiuesit se kjo vjen nga shenjtërimi i dhive të egra briarta, që mbajnë e ruajnë fuqinë e Zanave të mitologjisë iliro-shqiptare (ndoshta pasuese të dhisë Amalte, që ushqente perënditë).
Duhet të vëmë në dukje se kryet (koka) e dhisë është e pranishme në lahutat edhe të popujve të Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë, kurse figurat e tjera nuk i gjejmë tek popujt e tjerë të sipërpërmendur. Prandaj, kanë vlerë si tipologji të ardhura dhe të ruajtura nga trashëgimia shqiptare në krijime të artit të kulturës materiale (ashtu si dhe në vargjet e Ciklit Shqiptar të Kreshnikëve të ruajtura në mentalitetin dhe besimin e qenieve mitike e kultike në mijëravjeçarë nga etnia shqiptare).
Në gdhendjet e artit arkaik të lahutave kemi dhe figura të sfondit mitik me rol aktiv të zanave dhe orëve të cilat i ndihmojnë, i ruajnë prej rreziqesh, i këshillojnë dhe i mbrojnë heronjtë iliro-shqiptarë të Ciklit të Kreshnikëve. Rasti më interesant është gdhendja e qenies mitike shqiptare: Ora. Orën e shohim të gdhendur në një lahutë të shekullit XIX, sipas përshkrimit që ka në tekstin gojor të trashëguar brez pas brezi nga rapsodët. Ora për malësorin e veriut të tokave shqiptare, luan një rol të rëndësishëm. Orë kanë fiset, vëllazëritë dhe trimat e shquar.
Deri në mesin e shekullit XX, malësorët sapo zgjohen në mëngjes, thoshin lutjen: “Ndihmo Ora e Fisit”. Kur kreshniku Mujo është i plagosur në luftë të përgjakshme me sllavët, në shtratin e lëngimit e ruajnë Ora, gjarpri dhe bisha. Kënga orën e përshkruan: “Te kryet trimit ora po rrinë/ Gja e vogël Ora që po ishte/ Si dy rrfe n’ball dy sy m’i kishte/ Dy herë rresht s’mund ta kqyrje”.
Këtë figurë mitologjike e hasim të gdhendur në lahutë, në skulpturë rrumbullaket me dy sy brenda dy unazave; bebja e syrit është në formë maje shigjete, ka veshë të theksuar, por të dallueshëm si jonjerëzor, me një qëndrim gati për veprim. Me sa jemi në dijeni, Ora ka qenë e shpeshtë në lahutat e bregut të djathtë të Drinit.
Në këtë instrument me traditë të lashtë kemi të gdhendur edhe vetë rapsodin si bartës i këtyre mijëra vargjeve të këtij cikli. Në një lahute nga malësia e Pukës, vëmë re që tek figura e rapsodit, sytë e tij janë të padritë, të patheksuar si organ i fytyrës, por jo me gropëzim, pra pa theks që mungojnë. Kjo është e lidhur me vetë ceremoninë e të kënduarit, ku rapsodi përqendrohet në botën mitike dhe mistike të këngës, me zërin e tij dhe tingullin muzikor të instrumentit. Aty dëgjohet, nuk shikohet. Vlen të përmendet, se është konturuar qartë qeleshja tipike e malësorëve edhe kjo e trashëguar si element i veshjes etnike shqiptare nga lashtësia. Gjarpri që e hasim rëndom në reliev dhe skulpturë në artin ilir e deri në ditët tona, tek lahuta e kemi të ndërlidhur me konturet e trupit gjarpër me kokën antropomorfe (njerëzore). Në vështrimin volumor vëmë re një mjeshtëri në gdhendje që ka një koncept dhe nivel të lartë artistike, megjithëse ka dalë nga dora e një amatori. Në një lahutë haset gjarpri shërues që i mjekon plagët Gjergj Elez Alise dhe Kryekreshnikut Mujo, sipas vetë rapsodive që ruan cikli.
Sipas profesorit Zymer Nezirit, këngët e Epikës Legjendare janë monumenti më i madh i poezisë gojore shqiptare dhe ky epos ende bën jetë të gjallë, kryesisht në viset malore në Shqipëri, në Kosovë e në Mal të Zi, ndërkaq për nga forma dhe origjinaliteti ai është një nga eposet e fundit të gjalla në Evropën Juglindore. Lahuta si pjesë e pandarë e këtij eposi është një instrument muzikor i domosdoshëm për gjallesën e këtij Cikli, por është edhe vepër arti arkaik tradicional popullor që mbart subjekte mitike të panteonit të lashtë iliro-shqiptar.
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...
Çitaku: PDK do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së
Goditet nga vetura një grua në Prizren, dërgohet në gjendje ...