Rrugëtimi i “Home Sweet Home” për në Oscar kërkon lobim

01:16 | 25 Tetor 2016
Arbresh.info

Propozimi zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar, filmi i metrazhit të gjatë “Home Sweet Home”, tashmë është në fazën fillestare të promovimit.
Filmi me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Faton Bajraktarit, deri tashti është prezantuar në një varg festivalesh prestigjioze të filmit.

Producenti i filmit, Trim Musliu, tregoi planet për lobimin që duhet t’i bëhet filmit në rrugën e tij drejt çmimit Oscar.

Të hënën paradite, ekipi i filmit “Home Sweet Home” u prit në një takim nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili premtoi përkrahje për rrugëtimin e filmit që ka temë kohën e pasluftës në Kosovë.

“Filmat e tillë forcojnë identitetin kulturor dhe shtetëror të Kosovës, por për të arritur suksese ndërkombëtare, iu nevojitet një mbështetje më e madhe nga të gjitha institucionet. Kosova ka shumë histori dhe rrëfime që mund të përdorën për të prodhuar filma të mirë”, është shprehur Thaçi.

Një mendim të njejtë e ndanë edhe regjisori Bajraktari, i cili kërkon nga institucionet vendase një mobilizim për ta përkrahur filmin.

“Home Sweet Home”, premierën kombëtare e pati në muajin prill në kuadër të edicionit të nëntë të festivalit ‘PriFilm Fest’, ndërkohë premierën internacionale e pati në “Karlovy Vary”.

Më 6 nëntor, filmi do të shfaqet në Los Angeles, në kuadër të “Europian Film Promotion”, në mesin e 26 filmave evropianë, të cilët janë propozime për t’u nominuar me Oscar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme