Fjala është për qytetet: Enkelana, Uskana, Draudacum, Oeneum, Damastion, Lamud, të antikitetit, të cilat supozohet se ndodhen në hapësirat e Maqedonisë së sotshme, dikur të banuara nga fiset ilire, të cilët jo se janë të humbura, por meqenëse ato fshihen diku në thellësitë e tokës, presin për t’u zbuluar nga arkeologët.
Historia e njerëzimit njeh një varg qytetërimesh nëpër botë që kanë ekzistuar dikur dhe gjatë të kaluarës janë zhdukur nga faqja e dheut. Ato në historiografi njihen si qytetërime të humbura! Kjo ka ndodhur me të kaluarën e të gjithë popujve, por edhe të shqiptarëve. Është fakt i pamohueshëm se edhe trojet shqiptare në Maqedoni kanë një pasuri arkeologjike shumë të begatshme, e cila në mënyrë intensive shtresohet që nga periudha paleolitit dhe vazhdon të jetë e pranishme deri në epokat e mëvonshme. Dihet për një numër të qyteteve të rëndësishëm gjatë antikitetit, të cilat përmendën në burimet e shkruara të autorëve antikë, por akoma janë të paidentifikuara në terren.
Meqenëse cilësimi qytete të humbura është tejet provokues, atëherë ato do t’i shpallnim qytete në kërkim!? Në mungesë të rezultateve të pamjaftueshme të hulumtimeve arkeologjike, nga burime të ndryshme të shkruara nga periudha antike mësojmë për disa emra qytetesh, siç janë: Engelana (në pellgun e Liqenit të Ohrit), Uskana (Kërçova), Draudakumi (Gostivari), Oeneumi (Tetova), Damastioni (Brazda – Shkup!?), Deborus (Dibra), Lamud(ava) (Llopatë – Kumanovë), etj.
Qyteti ilir
Rrëfime dhe anekdota të shumta janë thurur nëpër shekuj, të cilat edhe sot e kësaj dite ruhen në gojëdhënat popullore. Por, megjithatë, burimet e disa autorëve, të cilat përshkruajnë rrugëtimin e krijimit dhe zhvillimit e qytetërimit ilir gjatë historisë, janë informacione që duhet verifikuar me dëshmi arkeologjike. Dihet që njoftimet më të hershme të shkruara për ekzistencën e qyteteve në Iliri i takojnë mesit të shekullit IV p.e.s., por siç dëshmojnë edhe të dhënat arkeologjike, zanafillën e tyre duhet kërkuar akoma më herët, aty nga mesi i shek V p.e.s.
Mbi bazën e të dhënave arkeologjike, gjuhësore, antropologjike dhe të burimeve të shkruara, është arritur në përfundim se kultura dhe etnosi ilir kanë origjinë autoktone. Ata lindën dhe u formuan në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë, gjatë mijëvjeçarit të dytë dhe të parë p.e.s. Ne fund të epokës së hekurit, si rezultat i konsolidimit të mëtejshëm të kulturës e të gjuhës, u formuan bashkësitë fisnore të qëndrueshme ilire, të cilat përmenden me emër në burimet e autorëve antikë.
Gjatë shekujve IV-II p.e.s., qyteti dhe jeta në Iliri marrin një zhvillim të vrullshëm dhe të urbanizuar. Qytetet ishin ngritur mbi kodra të mbrojtura nga pikëpamja natyrore dhe të fortifikuara me mure rrethuese, të ndërtuara me blloqe gurësh të gdhendur. Në arkitekturën e tyre të brendshme qytetet ilire u ndërtuan sipas shembullit të qyteteve bashkëkohëse të vendeve fqinje Në vendet më të mira ndërtoheshin ngrehinat e rëndësishme shoqërore, si tempujt, portikët, teatrot, stadiumet, odeonet etj.
Qyteti ilir, para se gjithash, përbënte qendër ekonomike, ku krahas skllavopronarëve jetonin dhe vepronin zejtarët dhe tregtarët. Në periudha të caktuara qyteti kishte edhe funksion ushtarak, shoqëror e kulturor. Ndërkohë që periudha e zhvillimit dhe e lulëzimit të qytetit mundësojnë formimin e kulturës qytetare, e cila përkonte me kohën e fuqizimit më të madh të shtetit ilir. Në këtë kontekst duhet shikuar edhe fatin e atyre qyteteve të ndërtuara gjatë epokës qytetare edhe në vise të ndryshme të Maqedonisë së sotshme.
Engelana e Dasaretisë
Si çdo vend, edhe pellgu i liqenit të Ohrit e ka të kaluarën e tij, e cila ndërthuret midis legjendave dhe dëshmive të kulturës materiale. Falë interpretimit të burimeve të shkruara, mund të ndërtohet e vërteta mbi lashtësinë e këtij nënqielli, i cili fillimisht ka qenë i banuar nga enkelejtë dhe pastaj nga dasaretët. Dhe, pikërisht në krahinën që gjatë antikiteti e mbante emrin Dasaretia, mendohet se gjendet qyteti Enkelana. Duke përshkruar ekspeditat ushtarake të Maqedonisë, Polibi ndër të tjera thekson: “Filipi atëherë u nisë me ushtrinë dhe ripushtoi qytetet që zumë në gojë këtu sipër; pushtoi pra, Kreonin dhe Geruntin e Dasaretisë, dhe ndër qytetet rreth liqenit Lyhnid, Enhelanën, Keraken, Sationin e Bojojën, dhe në krahinën e kaloikinëve qytetin Bantia; përveç këtyre edhe qytetin e pisantinëvet, Orgesën.”.
Mbi vendndodhjen e këtij qyteti të antikitetit ilir mbretërojnë dy hipoteza, njëra e mbështetur nga arkeologët shqiptarë, kurse tjetra nga ata maqedonas. Enkelana për shqiptarët, kurse Engelana për maqedonasit, përbënë emrin e njërin ndër fiset më të vjetër dhe më të madh ilire, Enkelejve. Ky qytet paraqet edhe një qendër karakteristike e epokës së qytetërimit ilir.
Përderisa arkeologu i njohur shqiptar Neritan Ceka, i mbështetur në hulumtimet e Skënder Anamalit, edhe njëherë rikonfirmon se qyteti Enkelana ndodhet në Kalanë e Pogradecit, arkeologët maqedonas, siç janë: Vera Bitrakova, Pasko Kuzman etj., kanë dalë me supozimin se Engelana duhet kërkuar në lokalitetin “Gabavski Rid” te kalaja mbi Shën Erazmo të fshatit Pdomol pranë Ohrit. Sipas arkeologut Kuzman, kalaja mbi Shën e Erazmo është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. dhe ajo ka qenë kryeqendra e fisit të maqedonasve veriorë – engelanëve dhe “baza” e mbretërve të maqedonasve antikë.
Uskana e Penestisë
Kështu po ngjet edhe me qytetin antik Uskana, i cili në burimet e shkruara të antikitetit njihet si (krye)qendra e Penestisë, tokës së fisit ilir të penestëve, por që akoma nuk është zbuluar vendndodhja e tij. Këto janë disa dëshmi që do të vihen përballë (hipo)tezave të deritanishme, të cilat këtë qytet e kanë vendosur nëpër vende të ndryshme, qoftë jashtë ose dhe brenda territorit të Kërçovës.
Njoftimet e para për ekzistimin e penestëve, të Penestisë dhe të qytetit Uskana, vijnë nga autorët e antikitetit, ndër të cilët do të veçonim informacionet e Polibit dhe, sidomos, Tit Livit. Përveç burimeve të shkruara nga ana e autorëve antikë, njoftime dhe informacione mbi qytetin Uskana sjellin rezultatet e hulumtimeve të kohëpaskohshme të studiuesve të fushave të ndryshme. Në mungesë të ndërmarrjes së ndonjë projekti të mirëfilltë hulumtues, kemi marrë në konsideratë rezultatet e hulumtimeve përnjohëse dhe topografike të publikuara nga studiuesit: Toma Smiljaniq, Ivan Mikulçiq, Gordana Spasovska-Georgievksa dhe, sidomos, arkeologu Viktor Lilçiq.
Duhet përkujtuar se në plan më të gjerë mbisundojnë dy mendimet të përgjithshme në drejtim të vendndodhjes së Uskanës. Sipas disa studiuesve, ky qytet i antikitetit duhet kërkuar jashtë territorit të Kërçovës, në rrethin Ohrit, ose në rrethinën e Peshkopisë në Shqipëri (Hilmi Sadiku, Ivan Mikulçiq). Ndërkohë që grupi më i madh i studiuesve qëndron fort pas hipotezës se Uskana duhet kërkuar në trekëndëshin: Kërçovë-Sërbicë-Zajaz. (B. Neise, Nikolla Vuliq, Fanulla Papazogllu, Viktor Lilçiq, Neritan Ceka, Selim Islami). Edhe rezultatet deritanishme i përafrojnë akoma më shumë hipotezat e studiuesve se Uskana ndodhet në qytetin e Kërçovës.
Qytetet e Pollogut
Kur flitet për aspektin gjeo-topografik të fushëgropës së Pollogut, padyshim që mendja të shkon te dy qytetet: Gostivari dhe Tetova. Ndërkaq, sa herë që bija fjala për antikitetin e kësaj krahine, atëherë përballesh me toponimet e dy qyteteve ilire: Draudacum dhe Oeneum. Në përgjithësi, mbi të kaluarën e krahinës së Pollogut (toponim ky që po ashtu ndërlidhet me antikitetin) edhe sot e kësaj dite ekzistojnë dy hipoteza që shtyhen njëra me tjetrën. Sipas njërës del se fisi dardan shtrihej deri te burimet e lumit Vardar, kurse tjetra pohon se gjatë antikitetit, fisi ilir i penestëve e ka populluar krahinën e Pollogut. Si njëra ashtu edhe hipoteza tjetër, më shumë thirren në burime e autorëve antikë sesa në rezultate arkeologjike.
Draudacumi
Se ku ndodhen gjurmët e Gostivarit të vjetër, aty ku sot ngrihet ky qytet apo gjetkë, kjo është një çështje që shtrohet para arkeologëve dhe studiuesve të ndryshëm të së kaluarës. Për të krijuar një pasqyrë mbi të kaluarën antike të këtij qytetit, para se gjithash duhet mbështetur në informacionet e disa burimeve të shkruara të autorëve antikë, ku edhe haset toponimi Draudacum. Ndërkohë që, gjurmët në terren flasin se vendbanimet e tipit të urbanizuar duhen të kërkohen në rrethinën e Gostivarit.
Të dhënat e para mbi këtë qytet i mësojmë nga autorët antik Poliby dhe Tit Livi, të cilët i përshkruajnë ekspeditat ushtarake të ndërmarrë nga mbreti maqedonas Perseu. Sipas këtyre autorëve, Perseu në vitin 169 p.e.s., pasi ka ripushtuar Uskanën, e ka pushtuar edhe Draudacumin. Për ta shfrytëzuar situatën, mbreti maqedonas, dërgon emisarët e tij për të bërë një aleancë me mbretin ilir, Gentin, për ç’gjë delegatët e tij është dashur që ta kalojnë malin Sharr (Skardin antik). Si Poliby, ashtu edhe Tit Livi, sjellin informacione të cilat në fakt nuk ndryshojnë pothuajse fare mes vete. Siç duket, Tit Livi i ka shfrytëzuar përshkrimet e autorit grek.
Polibi gjithashtu shkruan se Perseu, si përfaqësues të tij te mbreti Gent, dërgoi Pleuratin, me prejardhje ilire, i cili kishte mërguar në Maqedoni dhe Adeun nga Beroja… Ata e kaluan malin Skard dhe e përshkuan krahinën, të cilën e quajtën si “Iliria e shkretuar”. Nga përshkrimi, me sa duket, fjala është për tokat, të cilat pak më parë i kishte shkretuar ushtria maqedonase për të penguar dyndjen e dardanëve në Iliri dhe në Maqedoni. Dhe, nëse kjo që u tha do të barazohej me gjendjen në terren, atëherë gjurmët e Draudacumit antik duhet kërkuar te fshati Gradec, disa kilometra larg Gostivarit. Ndërkohë që disa arkeologë në këtë lokalitet i kërkojnë gjurmët e qytetit të antikitetit të vonë Pollog!?
Oeneumi
Kur flitet për qytetin e antikitetit Oeneum, gjithmonë mendja të shkon te Tetova. Por, për të vërtetën antike të këtij qyteti akoma nuk ka ndonjë qëndrim të qartë shkencor. Megjithatë, tentimet për ta vendosur ndonjërin nga qytetet e antikitetit në Tetovën e sotshme (ose pranë saj) nga ana e hulumtuesve të ndryshëm nuk ka reshtur asnjëherë. Si rrjedhojë, janë më se të njohura përpjekjet e arkeologëve të ndryshëm që me gërmadhat e kalasë mbi qytetin e Tetovës, të njohur si “Hisari” nën fshatin Shipkovicë, të lidhet qyteti i Oeneumit.
Këtë supozim e ka nxitur arkeologu serb, Nikolla Vuliq, i cili duke u mbështetur te burimet e shkruara nga Tit Livi, Oeneun e llogarit si qytet të penestëve. Duke u mbështetur pikërisht në të dhënat që flasin mbi sulmin që Perseu ia ka bërë Uskanës në vitin 169 p.e.s., ai insiston se qyteti Oeneum duhet të kërkohet në rrethinën e Tetovës. Në favor të këtij supozimi shkon edhe përshkrimi i kësaj krahine nga Tit Livi, i cili thotë se pozita ku është ngritur Oeneumi, nga njëra anë mbrohej nga lumi Artat, kurse nga ana tjerë nga malet e larta. Kjo flet se hidronimi Artat përputhet me lumin, i cili buron nga malet e Sharrit, që nga vendasit quhet Shkumbin ose Artana, gjë që përputhet edhe me pozitën e Kalasë së Hisarit.
Damastioni në Dardani
Damastioni është një toponim shumë i pranishëm në historiografinë e lashtësisë, por i pazbuluar arkeologjikisht akoma. Çështja e këtij qyteti antik është mjaft e komplikuar, sepse për këtë ekzistojnë më shumë supozime dhe hipoteza. Se ku ndodhet me të vërtetë Damastioni, është një pyetje që dekada, për të mos thënë edhe një shekull të plotë, po e sfidon komunitetin studiues të fushave të ndryshme shkencore.
Për zbulimin e vendndodhjes së vërtetë të këtij qyteti, mbase duhet të pritet akoma, por se kush ka qenë në të vërtetë Damastioni, i ngritur gjatë shekujve VII-III p.e.s., flasin më shumë burime të shkruara dhe fakte materiale. Studiues të fushave të ndryshme deri më tani kanë hedhur hipotezat e tyre, kryesisht të bazuara në zbërthimet e burimeve historike, përshkrimet gjeografike, si dhe shpjegimet etimologjike. Dëshminë e parë dhe të vetme nga autorët antike për ekzistimin e Damastionit e sjell Straboni në veprën e tij “Gjeografia”, i cili ka shkruar: “Pas Epidamnit dhe Apollonisë gjer te malet Keraune banojnë: bylinët, taulantët, parthinët e bryget; aty afër janë edhe minierat e argjendit në Damastion, rreth të cilave dyestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelenjtë, të cilët i quajnë edhe sesaretë”.
Përveç burimeve të shkruara, ajo që më së shumti e bën të besueshme çështjen e Damastionit, padyshim që janë monedhat e shumta të prera, të zbuluara në këtë qytet. Dihet se deri më tani janë gjetur mbi 40 monedha të Damastionit, shumica e tyre në Kosovë, si dhe në zonat që kufizohen me territorin i cili gjatë shek. IV p.e.s. ka qenë nën kontrollin e peonëve.
Pra, sipas pozitës ku duhet kërkuar qytetin minierë, që sipas përshkrimeve antike ndodhej në afërsi të kufirit të Peonisë, janë ngritur më shumë supozime, të cilat kanë propozuar më shumë lokacione të mundshme, ku duhet kërkuar Damastioni. Pikërisht, pra, në këtë trevë janë gjetur më së shumti monedha të prera në qytetin e Damastionit, të cilat përkojnë me njoftimet e Strabonit, si dhe me ato të Palimpsestit të Vatikanit mbi xeheroret e argjendit, të cilat gjendeshin në afërsi të Damastionit.
Duke iu referuar burimeve të shkruara dhe monedhave të gjetura, del se Damastioni duhet kërkuar në tokat e dardanëve. Në favor të këtij konstatimi shkon edhe supozimi se Damastioni mund të ndodhet në rrethinën e Shkupit. Me këtë supozim ka dalë arkeologu Ivan Mikulçiq, i cili pretendon se qyteti Damastion ndoshta ndodhet te fshati Brazda në veri të qytetit të Shkupit. Këtij supozimi të arkeologut Mikulçiq, nëpërmjet hulumtimeve të reja, duhet t’i bëhet një mbindërtim shkencor për ta gjetur të vërtetën e këtij qyteti ilir.
Lamudi te Kumanova
Vendbanimet e periudhës së hershme romake zakonisht janë ngritur nëpër vendet e ulëta, në fushë, kurse vetëm një numër tejet i vogël i vendbanimeve të blegtorëve shtriheshin nëpër luginat e larta malore. Gjatë periudhës së vonë romake pjesa dërrmuese e tyre është fortifikuar me mure mbrojtëse. Fortifikata të ngjashme të tipit refugio paraqiten gjatë shekujve III dhe IV në pjesët periferike të ultësirave të cilat shërbenin si vende strehimi për popullatën që jetonte nëpër vendbanimet në fushë në rast të rrezikut.
Në këtë drejtim spikat një vendbanim i madh i tipit opidum, mbi Likovë, që shtrihet në periferinë perëndimore të fushës së Kumanovës, i futur në thellësi të luginës malore. Gjatë periudhës së hershme romake ky vendbanim nëpërmjet rrjedhës së lumit të Likovës ka zbritur rreth pesë km majtas fushës pjellore, ku do të zhvillohet në një qytet të madh dhe me një status të MUNICIPUIMIT. Bëhet fjalë për qytetin më të rëndësishëm të antikitetit të Karadakut të Kumanovës, i cili shtrihet në anën perëndimore të fshatit Llopat. Duhet përkujtuar se një mbishkrimi, që është gjetur te mitreumi – tempulli kushtuar hyjnisë Mitra, i zbuluar në këtë lokalitet, përmendet edhe stacioni Lamud(ava). Në bazë të të dhënave të këtij mbishkrimi, Ivan Mikulçiqi, duke hequr dorë nga qëndrimi i mëhershëm se stacioni Lamud duhet kërkuar në ndonjërën nga qendrat e zonave kufitare me provincën e Trakisë, pohon se ky qytet mund të fshihet te gërmadhat e fshatit Llopat, i shënuar në mbishkrimin në fjalë si stacioni Portorium publici vestigalis Ilirici.
Ky stacioni doganor aty nga shekulli II fillon të zhvillohet dhe përforcohet edhe më shumë ekonomikisht dhe, duke u organizuar në një vendbanim të urbanizuar, ai ngrihet edhe në një qendër të mirëfilltë administrative, por edhe doganore. Gjithnjë sipas mendimit të arkeologut Ivan Mikulçiq, gjatë periudhës së vonë romake Lamudi bëhet edhe një qendër e organizuar mirë administrative për rajonin Kumanovë-Preshevë, duke fituar edhe statusin MUNICIPIUM.
Përfundim
Në mungesë e politikave racionale, edhe pas kaq vitesh vazhdon trajtimi asimetrik i trashëgimisë kulturore në Maqedoni. Dhe, si pasojë e një qasjeje të këtillë të (pa)qëllimtë nga ana institucionale, kemi pastaj një hapësirë me dy realitete shkencore: realitetin (zyrtar) maqedonas dhe atë jashtë-institucional shqiptar. Edhe sot e kësaj dite kemi institucione të trashëgimisë, pothuajse të pastra etnikisht, vetëm me kuadro maqedonase, financim mono-kulturor, hulumtim seleksionues të lashtësisë, prezantim dhe afirmim të njëanshëm të monumenteve etj.
Dhe, për më shumë, si rezultat pikërisht i kësaj gjendjeje, e cila mbretëron në këtë vend të mbingarkuar me mosbesim dhe tensionime, kemi një lashtësi të pandriçuar sa duhet, në errësirën e së cilës humbasin qytete të rëndësishme të antikitetit ilir. Prandaj është koha që të fillojnë hulumtimet e domosdoshme për zbulimin e këtyre qyteteve ilire nëpër trojet shqiptare në Maqedoninë e sotme./Mixhait Pollozhani/
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën