Monodrama “Portreti i Pakryer”, me autor Besim Rexhajn dhe me regji të regjisores Elmaze Nura, erdhi mbrëmë premierë për publikun e Teatrit “Dodona”.
Aurita Agushi vjen në skenë dhe brenda skenës e mban gjallë personazhin e Norës për gjithsej pesëdhjetë minuta.
Ajo e vetme, varion nga një pjesë në pjesën tjetër dhe ngërthen brenda lojës së saj edhe personazhe me të cilat
fati i saj ka qenë gjithnjë i lidhur. Në këtë pikë, ajo shfaqet e lodhur nga rrethanat në të cilat ndodhet nga imponimet nga jashtë, e që vijnë e shkelin brenda ndjenjave të saj. Megjithatë personazhi i kësaj shfaqje ecën me forcën e saj shpesh duke ngjallur vetës shpresën. Nora në krejt këtë situatë luftën më të fortë e zhvillon brenda zërave të vetes që e pushtojnë. Ajo për dhjetë vite përpiqet ta ruajë dashurinë për njeriun e jetës së saj i cili kishte qenë një disident dhe i burgosur politik. Është letra e lamtumirës ajo që e sjellë Norën në situata kritike, të skajshme psikologjike e jetësore, e që në fund ky personazh tretet brenda errësirës së skenës, derisa në sfond alarmi nxjerrë edhe tragjiken e kësaj shfaqje.
Publiku që ka shijuar dramën “Lojë e pafundme” veçse e di vazhdimin e fatit të këtij personazhi. Qëllimi i parë autorit Rexhaj ka qenë që ta artikulojë tragjiken e jetës në rrethana të caktuara shoqërore, politike, socio-ekonomike. Ai thotë se këtë tragjikë e ka futur në fatin e një gruaje, duke e lidhur me fatin e një familjeje.
Synimi ka qenë të identifikojë dhe pastaj të artikulojë paradokset, kundërshtitë e mentalitetit e të rrethanave shoqërore, të historive të formimit të individit, e të familjeve, të cilat me paradokset e veta dëmtojnë veten dhe anëtarët e vet të familjes. Autori Besim Rexhaj tregoi në detaje konceptet e kësaj trilogjie, veçmas të kësaj shfaqje.
“Tek dy monodramat fokusi është në Norën, në individin, tek një femër e cila është viktimë e viteve 90’ta, e kurtheve të jetës dhe e kurtheve të familjes së saj, pra të babait të saj, i cili në vitet e 90’ta bënte punën e djallit, në sistemin politik. Nora ia del të mbijetojë, përkundër që në vitet e 90’ta pëson ndarjen nga Bardhyli, ata që e kanë parë “Lojë e pafundme”, e kuptojnë se ajo edhe pse kalon në ferrin e luftës, aksidentalisht arrin të shpëtojë”, tregoi autori Rexhaj, i cili shpjegoi se edhe pse monodrama përfundon tragjikisht nëse shikohet tërësia e trilogjisë del se ajo ka mbijetuar në dramën “Lojë e pafundme”.
Regjisorja Elmaze Nura tregoi se me konceptin e saj regjisorial është përpjekur që ta sjellë dramën në një version modern, pavarësisht që ajo shtjellohet brenda një periudhe të fundit të shekullit të kaluar. Ajo tregon se edhe pse ky tekst nuk është i lehtë të përpunohet, kjo nuk ka qenë e vështirë të kapet nga ana e saj për shkak se vet shfaqja prek pothuajse çdo individ, i cili mund ta përkthejë këtë shfaqje në zbrazëtinë e vet shpirtërore.
“Kjo shfaqje mund të perceptohet jo vetëm në aspektin femëror, pasi që unë dhe aktorja kemi qenë femra, por unë mendoj që çdo qenie njerëzore që ka humbur dikë në jetë, e që nuk është realizuar në një pjesë të jetës mund ta gjejë vetën brenda kësaj shfaqje. Ky tekst nuk ka qenë i lehtë të përpunohet për shkak se ka brenda vetes shtresa dhe nënshtresa dhe duhet të lexohet me shumë kujdes sepse ka edhe psikologji, filozofi dhe politikë brenda vetës”, tregoi regjisorja Nura për KultPlus.
Muzika e kësaj shfaqje erdhi e realizuar nga kompozitori Memli Kelmendi, ndërsa koreografia nga Agnes Nokshiqi, me skenografi të Majlinda Kelmendit e kostume të Samka Ferrit, kurse ndriçimi nga Skënder Latifi. Kjo shfaqje është kooproduksion me Teatrin “Dodona ndërsa është pjesë trilogjisë që fillimisht është prezantuar në shfaqjen “Vorbulla”, por faktikisht shfaqja “Portreti i pakryer” edhe pse e fundit autori e ka vendosur fillimin e ngjarjes pikërisht tek kjo shfaqje./Kult Plus/
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...