Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, procedoi për seancë plenare Projektligjin për sponsorizime dhe donacione në fushën e rinisë dhe sportit.
Në këtë mbledhje, me ftesë të komisionit, i pranishëm ishte edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i shoqëruar nga drejtori i Financave, Haki Sfishta, për të raportuar lidhur me buxhetin për vitin 2017 në këtë ministri.
Gjatë fjalës së tij, ministri Bajrami tha se buxheti i ministrisë që ai drejton është 45 milionë euro në total, ndërsa kësaj shume, siç theksoi ai, i shtohen edhe 11 milionë huamarrje nga Banka Botërore, si dhe 25 milionë të marra donacione të ndryshme nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, buxheti përfshinë gjashtë universitete dhe katër institute, të cilat hyjnë në buxhetim në kuadër të Ministrisë së Arsimit. Ministri Bajrami tha më tej se në këtë buxhet përfshihet ndërtimi i objektit të Fakultetit të Shkencave Natyrore, ndërtimi i Fakultetit Juridik, katër shkolla të kompetencës, qendrat burimore, ndërtimi i dhjetë shkollave, si dhe meremetimi i disa sallave sportive.
Në takimin e sotëm, Bajrami e cilësoi minimal buxhetin për arsim, duke konsideruar se nuk përkon me deklarimet se arsimi është prioritet kombëtar më planin strategjik.
“Më këtë ndarje buxhetore nuk po tregohet që arsimi është prioritet”, tha ministri Bajrami. Problem shqetësues nga ministri u paraqit mbijetesa e universiteteve të reja për shkak të buxhetit të ulët. Komponenti tjetër kryesor, sipas tij, është mungesa e ngritjes së cilësisë në arsim, e cila po mbulohet nga mbështetja ndërkombëtare, që mundëson vetëm mbijetesë, por jo standardizimin e ngritjes së cilësisë në arsim.
Drejtori për Buxhet dhe Financa në këtë ministri, Haki Sfishta, prezantoi vijat buxhetore, duke vlerësuar se është bërë dallim i madh midis kërkesave buxhetore të nënprogrameve dhe të qarkores buxhetore. Sfishta,tha se për vitin 2017, brenda kufijve buxhetorë, janë ndarë 3 milionë e 500 mijë euro për blerjen e librave dhe për kategoritë nga nënprogramet nëpër shkolla, të cilat kanë kërkuar realizimin e programeve të tyre.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, kërkuan nga Ministria e Arsimit që ta ketë prioritet ndërtimin e Fakultetit të Shkencave Natyrore, i cili vepron në kushte të pafavorshme për studentët e këtij universiteti. Po ashtu, komisioni kërkoi rritje të buxhetit për arsim, ngase, siç vlerësuan ata, nuk ka ngritje të cilësisë pa rritje të buxhetit.
28 Nëntori brenda familjes së Isa Boletinit, ndër objektet m...
Komuna e Zveçanit seancë solemne për nder të 28 Nëntorit
Nesër përurohet Parku i Ulpianës, merr pjesë Rama
Nisin homazhet pranë kompleksit “Adem Jashari”, Konjufca: 28...
Dua Lipa uron 28 nëntorin: Një komb, një flamur
Aksident në Korçë, një i lënduar