Prezantohet programi i ditës së parafundit të DokuFest-it

15:29 | 12 Gusht 2016
M. A.

Në ditën e tetë të festivalit DokuFest, është mbajtur një konferencë për media, në të cilën është prezantuar programi për ditën e sotme.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se në këtë konferencë, programi është prezantuar nga përzgjedhësi i filmave të shkurtër, Samir Karahoda, Aline Shmid, Andreas Duque dhe Simon Ellis.

Karahoda tha se deri më sot, kur kemi arritur në ditën e parafundit të festivalit gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe se ka pasur një interesim të shtuar nga publiku krahas viteve të mëparshme.

Përzgjedhja e filmave më të mirë, që do të bëhet nesër, në natën përmbyllëse të festivalit ka qenë shumë e vështirë. Karahoda ka vlerësuar debatin e mbajtur dje, me temë mbi distribuimin e filmit të shkurtër.

Në mungesë të regjisores, producentja Aline Shmid prezantoi filmin “Sonita”.

Filmi paraqet jetën e një vajze afgane e cila ëndërron të bëhet repere dhe ballafaqimin e saj me rrethin ku jeton. Në Iran, një vend ku femrat janë shumë të shtypura dhe detyrohen të martohen në moshë të re, mund të themi lirshëm se Sonita përdor muzikën si mjet proteste dhe bën thirrje për emancipim. “Ishte shumë e vështirë të xhironim në Iran sepse vajzat nuk lejohen të këndojnë. Qeveria iraniane nuk është e lumtur për këtë film, edhe pse ai nuk është kritikë e drejtpërdrejtë ndaj tyre” tha Shmid.

Filmi u xhirua për katër vite në tre lokacione të ndryshme, Gjermani, Zvicër dhe Iran.

Andres Duque vie nga Barcelona për të sjell filmin “Oleg and his rare arts”.

“Ishte hera e parë që filmi është shfaqur në ambient të hapur dhe qyteti është fantastik” tha Duque.

Dokumentari është portret mbi jetën e  kompozitorit rus, Oleg Nikolaevich Karavaichuk.

“Mu deshën më shumë se dy vite për t’u bërë shok me Karavaichuk dhe për ta bindur atë të xhirojmë filmin. Ai është një tip shumë i komplikuar. Ndihem shumë mirë që kam arritur ta realizoj filmin dhe po e shfaqim atë në DokuFest”, shtoi Duque.

Regjisori Simon Ellis tha se ishte shumë i lumtur që ka mundur të vijë personalisht sivjet në DokuFest.

“Kam 15 vite që udhëtoj nëpër festivale të ndryshme , dhe mezi ka pritur të arrij në këtë festival, kam dëgjuar shumë për DokuFest-in. Ka vetëm dy ditë që kam ardhur dhe po mundohem të shikoj sa më shumë filma” tha ai.

Aktivitet e shumta të festivalit po vazhdojnë. Në Sunset Stage, nga kalaja do të mund të shikoni perëndimin e diellit nën tingujt e iso-polifonisë shqiptare, nga grupi Jonianët, teksa DokuNights do të ndërrojë ritmin për më shumë underground techno sonte.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme