Portretet e Fahredin Spahisë: Në kërkim të momentit… të njerëzores!

18:04 | 18 Shtator 2018
Arbresh.info

Në Kaen të Normandisë, para muzeut që i dedikohet Luftës së Dytë Botërore, qëndron një skulpturë 7.6 metra e gjatë. Skulptura është reproduktim i fotos ikonike të Alfred Eisenstaedtit, të momentit të festimeve në Time Square të Nju Jorkut – fitores amerikane ndaj Japonisë dhe përfundimit të luftës më të tmerrshme që mban mend njerëzimi. Në foto është Greta Zimmer Friedman, e veshur me rroba të bardha të ndihmëses së dentistit, që puthet me George Mendonsan – ushtarin e Marinës amerikane.

“Nuk ishte zgjedhja ime të puthesha. Ai u afrua dhe më kapi. Ishte i fortë. Nuk e puthja unë, ai më puthte mua”, do të thotë Greta më vonë.

Skulptura në Kaen është me ngjyra. Është masive, ndaj duket impozante. Do të dukej edhe e bukur sikur të mos njihej fotoja që e frymëzoi këtë punim: vepra bardhezi e publikuar në revistën “Life”, më 1945, që përçon atë që Robert Frank thotë se fotografia duhet ta shpreh – “Njerëzoren e momentit”; apo atë që e thoshte Alfred Stieglitz – “Një realitet delikat që bëhet më real se realiteti”.

Portreti nuk është veç pozë, më shumë se kjo është një e vërtetë. Edhe nëse nuk e njohim të vërtetën rreth imazhit që kemi para, apo vet personazhin, fotografia flet dhe lë hapësirë për të menduar, për të interpretuar. Të tilla – për shembull – janë portretet e tri grave të moshuara të artistit të fotografisë, Fahredin Spahija, të realizuara në kohë dhe hapësira të ndryshme.

Çfarë sheh njeriu te to, te shamitë, te ato fytyra, ato rrudha, te “fshehja”…? Pse janë bërë këto fotografi për t’i parë ne?

Interpretimi mund të jetë subjektiv. Ato mund të duken si një version më i moshuar i gruas me dy fëmijë, “Nënës migrante” të realizuar nga Dorothea Lange gjatë Krizës së Madhe Ekonomike, në SHBA-në e viteve 1930. Janë nëna të përhumbura, siç është shoqëria jonë sot. Ato janë vuajtja dhe dhembja që nuk duam t’i kemi pranë; janë e kaluara dhe fatkeqësisht e sotmja jonë; janë mospërfillja dhe padrejtësia, pjesë e të cilave jemi me apo pa dashje…

“Fotografët do të donin, por shtazët dhe njerëzit nuk janë të prirë të pozojnë”, ka thënë artisti i fotografisë, Graeme Green.

As Greta Zimmer Friedman nuk donte të fotografohej. Kur e dimë deklaratën e saj, e shohim në foto hezitimin, atë rezistencën. Por, as deklarata e as hezitimi nuk kanë rëndësi, përderisa një moment unik u fiksua në përjetësi: një imazh i shtypur në letër të ndjeshme reviste në SHBA, shumë më e fuqishme se statuja 7.6 metra e lartë në Francë.

Interpretimet e mësipërme për tri portretet e Spahisë nesër mund të ndryshojnë. Fotografi është qenie e ndjeshme, si çdo artist. Ai kërkon komunikim, ndaj nuk ndjehet keq nëse shikuesi bëhet pjesë e sinqertë e një versioni të veprës së tij. Sepse ne jemi ajo çfarë lexojmë e çfarë shohim. Por, njerëzorja do të mbetet përherë te to.

Njerëzoren e kërkon Spahija te portretet që bën. Ata që e kanë parë me fotoaparat në dorë, mund ta njohin shpejtë heshtjen e tij gjatë kërkimit. Rri i tërhequr, nuk flet e aq më pak njofton për prezencën apo kërkon vëmendje. Zë vend dhe si një snajperist nuk lëviz derisa detyra e tij mbaron. Përderisa me snajperistin përfundon një rrëfim, me momentin që kap ai mund të lind një rrëfim tjetër, shumë më i fuqishëm se fjalët, si plotësim i një biografie…

Si shoqëri jemi të shqetësuar për mungesë leximi, për atë analfabetizmin që lidhet me shkronjat, sa që shpesh e harrojmë analfabetizmin viziv po ashtu shqetësues: se shohim e nuk dimë se çfarë shohim. Mu për këtë, duhet “lexuar” rrëfimet, portretet e Fahredin Spahisë, për të njohur më mirë qoftë njerëzit e famshëm apo ata të rëndomtë. Yousuf Karsh e bëri foton më të famshme të Albert Einsteinit, pa asnjë formulë fizike; Lee Jeffries më mirë se askush e shprehu shpresën – përmes kllosharëve të rrugës. Spahija përmes portreteve të tij shpreh karakterin bardhezi, pa anime: sinqeritetin, egoizmin, shpirtin, naivitetin, humanen, kreativen, snobizmin, ligësinë e subjekteve të tij… Në syrin e tij të gjithë janë të barabartë; nuk ka të privilegjuar. Të gjithë njësoj tërheqin vëmendjen e tij; të gjithë janë pjesë e utopisë së barazisë sociale për të cilën lufton çdo tamam artist. Në momentin e tij ai bëhet pjesë e botës së subjektit, siç bëhet më vonë shikuesi pjesë e fotografisë së tij.

“Nëse e pëlqej një moment, nuk e dua shpërqendrimin e fotoaparatit. Thjeshtë dua të rri, në të”, thotë Sean O’Connell, personazh i filmit “Jeta sekrete e Walter Mittyt”, teksa në malet e Afganistanit priste si “snajperist” të fiksonte në fotografi leopardin e rrallë, “macen fantazmë”. Por, nuk e shkrepi fotoaparatin.

Ky film flet për tranzicionin e dhembshëm të revistës “Life”, nga letra në faqe interneti. Por, përmes jetës bosh të kryepersonazhit Walter Mitty, pasqyrohet edhe fuqia e fotografisë si cytëse për ndryshime në jetë. Në kërkim të imazhit për ballinën e fundit të revistës “Life”, në ndjekje të gjurmëve fizike të fotografit aventurist O’Connell, bota dhe jeta kanë më shumë kuptim. Përmes objektivit të tij, Mitty e sheh leopardin – pritjen, guximin dhe zgjedhjen për një jetë ndryshe, pa iluzione, mbase si pjesë e “puthjes” së Eisenstaedtit dhe kërkimit të lumturisë në çdo moment të jetës.

Për këtë të vërtetë, pa iluzione, kemi nevojë. Për tamam art e për tamam artistë. Për veprat e mira e të sinqerta të secilit. Për portretet e Fahredin Spahisë që bëhen për hir të së bukurës e jo të përfitimit material. Për respektin që ka ai për çdo artist dhe dëshirën për të dokumentuar dashurinë e tyre për art. Për arkivin e pasur që e publikon e që është i qasshëm për secilin. E sidomos për arkivin e tij “të fshehtë” që duhet të hapet ashtu siç duhet të hapet edhe mendja jonë! /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme