Pippilotta Viktualia Rullgardina Krusmynta Efraimsdotter Långstrump. Sa herë Pipi prezantohej me emrin e plotë, i duhej pak kohë. Dhe jo vetëm në suedisht, por edhe në 100 gjuhët e tjera që është përkthyer historia e saj. Personazhi i saj është lindur në Suedi në 1945. Autorja Astrid Lindgren e shpiku historinë buzë krevatit duke ia treguar së bijës së sëmurë, Karin.
Që atëherë, 66 milionë libra janë shitur në botë. Vetëm në Suedi, janë prodhuar më shumë sesa 40 filma mbi historinë e Lindgren me shtatë aktore të ndryshme në rolin e Pipit. Në 21 maj të këtij viti kokëkuqja me quka dhe gërsheta rebele mbushi 70 vjeç, por e vërteta është që nuk është plakur fare.
Pipi, e famshmja
Ajo jeton vetëm në Villa Villekulla, bashkë me majmunin e saj z. Nilson dhe kalin Xhaxhai i Vogël. Anika dhe Tomas jetojnë ngjitur. Ata i kanë thënë lamtumirë mërzisë që kur Pipi erdhi në Villa Villekulla. Pipi nuk sheh ndonjë arsye pse duhet të shkojë në shkollë, sepse, si thotë ajo: për çfarë duhen “shumëzimet”.
Po pse vajza me çorapet ndryshe dhe një fustan të qepur vetë, me mamanë engjëll dhe babain, një mbret në Detin e Jugut, mrekulloi kaq shumë njerëz?
Roli emancipues
“Pipi Çorapegjata është një heroinë e vërtetë fëmijësh. Sidomos vajzat mund të identifikohen me të” ka thënë profesori i psikologjisë së Münster-it Alfred Gebert.
Pipi është e fortë, e zgjuar dhe e gatshme për të ndihmuar. Ajo jeton vetëm në një vilë të stërmadhe. Askush nuk e detyron të shkojë në shkollë, por prapë është e aftë të arrijë atë që do. Pipi ia del shumë mirë vetëm, edhe pse miqtë luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e saj. Modeli që krijon ajo është shumë i emancipuar, thotë Gebert: “Femrat që e kanë admiruar Pipin kur kanë qenë të vogla kanë shanse të përparojnë në punët e tyre, veçanërisht në konkurrencë me burrat dhe janë gra që bëjnë gjithçka për miqtë e tyre”.
Herbert Scheithauer, psikolog në Freie Universität në Berlin, ka një pikëpamje të ngjashme. Efekti i librave të fëmijëve në psikologjinë e tyre nuk duhet nënvlerësuar, thotë ai: “Te Pipi Çorapegjata, çdo gjë ka të bëjë me të pranuarit apo jo të rregullave, forcën dhe dobësinë e njerëzve dhe miqësinë.”
Fëmijët e vegjël janë veçanërisht të prirur të identifikohen me Pipin dhe në të njëjtën kohë të distancohen prej saj, sipas Scheithauer. Një tjetër element tërheqës i historisë së Pipit, është përmbysja e marrëdhënieve mes të rriturve dhe fëmijëve. Për Scheithauer, Pipi Çorapegjata është thjesht “e pakohë”.
Një recetë jete
Pipi mishëron gjithçka që fëmijët duan nga jeta: të vendosin vetë, të provojnë përvoja të reja, të kenë fuqi të jashtëzakonshme. “Fëmijët kanë nevojë për heronj si Pipi Çorapegjata. Këta heronj i ndihmojnë fëmijët të kalojnë vështirësitë”, thotë psikologia e fëmijëve nga Frankfurti Svenja Lüthge. Pipi e rrëmujshme është e aftë të forcojë fëmijët e pasigurt, spjegon Lüthge: “Pipi ka një recetë për jetën. Ajo është po aq e fortë sa një i rritur dhe madje guxon të bëj shaka me mësuesit dhe policët”. Në të njëjtën kohë, Pipi ka një ndjenjë shumë të fortë drejtësie dhe një zemër të madhe për më të dobëtit. “Për fëmijët, ajo mishëron modelin ideal”, thotë Lüthge.
Por a nuk mërziten fëmijët që Pipi është kaq jorealiste? “Përkundrazi. Fëmijët i duan cilësitë mbinjerëzore të heronjve të tyre. Mund të dalloni të njëjtën dukuri te Harry Potter”, thotë Wolfgang Bergmann.
Autorja nxit idealin e vetes së lexuesëve të saj të vegjël me fantazitë më të guximshme para se t’i udhëheqë pa trauma drejt botës reale. Kjo është dukuria e spjeguar nga Zigmund Frojd: “Kur ajo që duam të bëhemi përputhet me atë që jemi, shpirti feston”.
A ka Pipi të ardhme?
Bergmann thekson që fëmijët e sotëm rriten në mjedise urbane larg botës idilike të historive të Pipit. “Prandaj unë kam dyshimet e mia nëse do ketë një brez të ardhshëm që do lexojnë Pipin”, thotë ai.
Svenja Lüthge është më optimiste: “Astrid Lindgren përshkruan një fëmijëri shumë të veçantë që vetëm pak fëmijë mund ta provojnë me të vërtetë. Shumica e fëmijëve sot nuk kanë mundësi ta jetojnë dëshirën për liri. Aq më mirë nëse mbarten brenda kësaj bote të mrekullueshme ëndrrash”. Lüthge beson që Pipi do të jetë popullore edhe pas 10, 20 apo edhe 30 vitesh, “por me kushtin që ne si prindër ta përcjellim dashurinë për botën e Lindgrenit në brezat pasardhës. Pipi Çorapegjata përfaqëson afeksionin, miqësinë dhe kurajën dhe ajo tregon që duhet të veprosh për t’i kaluar vështirësitë me kurajë. Dhe pikërisht këtë duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë.”
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...