Pink Floyd publikon këngë për të ndihmuar Ukrainën

10:35 | 8 Prill 2022
arbresh.info

Grupi britanik, Pink Floyd ka publikuar projektin e tij të parë pas gati 30 vjetëve, për të mbledhur para si ndihmë humanitare për Ukrainën.

Në projektin muzikor është përfshirë edhe zëri i një këngëtari ukrainas, i cili ka hequr dorë nga një turne ndërkombëtar për të luftuar për shtetin e tij dhe më pas është plagosur.

“Hej, hej, ngrihu” është këngë e anëtarëve të grupit Pink Floyd, David Gilmour dhe Nick Mason, me vokalet e këngëtarit ukrainas, Andriy Khlyvnyuk.

Khlyvnyuk këndon një këngë patriotike ukrainase nga një projekt që ka realizuar para Katedrales Shën Sofia në Kiev dhe e ka publikuar më vonë në rrjetet sociale.

Gilmour ka thënë se videoja që ka parë ka qenë “moment i fuqishëm që e ka bërë ta shndërrojë atë në muzikë”.

Gilmour ka thënë se ka biseduar në telefon me Khlyvnyuk, derisa ky i fundit ka qenë duke u shëruar në spital.

“I kam lëshuar një pjesë të këngës përmes telefonit dhe ai më ka dhënë bekimin e tij. Të dy shpresojmë se do të bëjmë diçka bashkë në të ardhmen”.

Pink Floyd ka thënë se të gjitha të hyrat do të shkojnë si ndihmë për Ukrainën.

Pink Floyd është themeluar në Londër në vitet 1960.

Grupi njihet më së miri për këngët “The Dark Side of the Moon”, “Wish You Were Here” dhe “The Wall.”

Anëtari Roger Waters është larguar nga grupi më 1985 dhe pjesëtarët e mbetur kanë incizuar edhe një album më 1994./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme