Pesëmbëdhjetë bibliotekat më të bukura në botë

20:14 | 3 Shtator 2018
Arbresh.info

Sipas një studimi të fundit të kryer nga MailOnline Travel, libraritë e mëposhtme janë cilësuar si disa prej librarive më të bukura në botë.

LIBRARIA EL ATENEO GRAND SPLENDID NË BUENOS AIRES, ARGJENTINË

Ndodhet brenda teatrit të vjetër ku gjithçka është lënë ashtu siç ka qenë në fillim, e pandryshuar fare. Ky teatër u hap për publikun në vitin 1919, ku u dhanë shfaqe të ndryshme. Në vitin 2000, kjo ndërtese gjigande u shndërrua në një prej librarive më të bukura në botë, holli qendror i së cilës u zbukurua me afreske të pikturuara sipas stilit Italian. Kjo librari, e cila është shndërruar në një prej destinacioneve më të vizituara nga turistët, ka rreth 120,000 libra dhe një kafene, e cila është ndërtuar mbi skenën e vjetër të teatrit.

LIBRARIA MAISON ASSOULINE, NË LONDËR, ANGLI

Është një nga libraritë më luksoze që ndodhen në zemër të Londrës, ku përshtypje të bën druri i errët dhe tavanet shumë të larta. Arkitektura e saj është bërë nga arkitekti anglez Edward Lutyens dhe ajo u hap për publikun në vitin 1922. Në katin e parë ju mund të gjeni libra të ndryshëm për shtije, përzgjedhjen e së cilëve mund ta shoqëroni duke pirë kafe, çaj, verë apo shampanjë. Ndërsa në katin e sipërm, janë vendosur të gjitha koleksionet më antike, të cilat duan edhe një kujdes më të veçantë.

LIBRARIA SHAKESPEARE & COMPANY NË PARIS, FRANCË

Shumë pranë Notre Dame de Paris, ndodhet libraria Shakespeare & Company në rrugën 37 de la Bûcherie, që u hap në vitin 1951 nga amerikani George Whitman. Ai fillimisht e quajti librarinë “një strehëz për të gjithë ata që aspironin të bëheshin shkrimtarë në atë kohë”. Publikime të ndryshme letrare lindën pikërisht në atë vend. Edhe në ditët e sotme, vizitorët nëse duan mund të qëndrojnë dhe për të fjetur në këtë bibliotekë sepse pas rafteve të mbushura plot me libra ka krevate portativë, të cilët përdoreshin në të kaluarën nga shkrimtarët që strehoheshin aty.

LIBRARIA LELLO, NË PORTO, PORTUGALI

Është një prej librarive më të vjetra që ndodhen në Portugali. Fasada e saj ka një stil tipik gotik dhe madhësia e pjesës së saj të brendshme është impresionuese. Ajo u hap në vitin 1960, nga dy vëllezër, José dhe António Lello. Thuhet se ka qenë pikërisht kjo librari, frymëzimi i shkrimtares së librave të famshëm të Harry Poter-it. Kati i dytë i kësaj librarie shërben edhe si një kafene, në të cilën ju mund të ndaloni dhe të çlodheni.

LIBRARIA “THE LAST BOOKSTORE” NË LOS ANXHELOS, SHBA

I hapi dyert e saj për publikun 18 vite më parë, në vitin 2000. Karakteristikë e kësaj biblioteke janë tavanet shumë të larta dhe shtyllat e betonit që ndodhen në të gjithë sipërfaqen e saj. Ajo ka mbi 250,000 libra të rinj dhe të përdorur në të dyja katet e saj, si edhe një numër shumë të lartë të serialeve dramatike amerikane të viteve 1970, si Vinyl apo edhe shumë novela grafike.

LIBRARIA “THE AMERICAN BOOK CENTER” NË AMSTERDAM, HOLANDË

U hap në vitin 1972 nga dy ortakë amerikanë, të cilët pak më vonë hapën një librari tjetër, po me të njëjtin emër në Hagë. Karakteristikë e kësaj librarie është trungu i një peme që ndodhet në katin e saj të parë dhe që vazhdon edhe në të dytin. Kjo librari mund të prenotohet edhe për evente të ndryshme kulturore. “The American Book Center”, në Amsterdam, konsiderohet si një ndër libraritë ku ndodhen disa prej librave të shkruar më mirë në anglisht, në të gjithë kontinentin e Europës.

LIBRARIA “PURO VERSO” NË MONTEVIDEO, URUGUAI

Fillimisht ishte një ndërthurje midis një librarie, një dyqani disqesh muzikore dhe një restoranti. Ajo ka një stil shumë të veçantë, Art-Deco, me hapësira të mëdha, shkallë nga të dyja anët dhe me dritare xhami të pikturuara. Ky biznes u hap në fillim të viteve të shekullit të 20-të, por falimentoi në vitin 1999 dhe që prej atij viti ai u shndërrua në një parajsë për të gjithë dashamirësit e leximit.

LIBRARIA LER DEVAGAR, LISBONË, PORTUGALI

Është ndërtuar në një fabrikë të shekullit të 19-të. E gjithë hapësira është e ndarë në dy kate, ku përveç librave ka edhe shumë skulptura dhe ajo që të bën më shumë përshtypje është një biçikletë fluturuese. Kopjet e librave që ndodhet këtu janë të shumta dhe një lexuesi mund t’i duhet një kohë shumë e gjatë vetëm sa për të përzgjedhur librin që do të vendosë të lexojë. Të premten dhe të shtunën ajo qëndron e hapur për lexuesit e saj deri në orën 02:00 të mëngjesit.

LIBRARIA BARTER BOOKS, NË ALNWICK, ANGLI

Është një prej librarive më të mëdha antike në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ndodhet brenda një stacioni metroje në Alnwick, Northumberland në Angli.

LIBRARIA “ACQUA ALTA” NË VENECIE, ITALI

Është një prej librarive unike në botë. Ju këtu do të gjeni libra të rinj dhe të përdorur të cilët ndodhen të vendosur në varka, kajak dhe gondola të ndryshme. Disa prej librave janë përdorur për të ndërtuar disa shkallë ndërsa disa të tjerë janë përdorur edhe për të mbuluar disa pjesë të vjetra të godinës, duke i dhënë asaj një pamje shumë të bukur. Në këtë librari ndodhen shumë manekinë me maska dhe kapele tipike veneciane.

LIBRARIA ATLANTIS BOOKS NË SANTORINI, GREQI

Kjo librari u hap në vitin 2004 nga një grup miqsh nga Qiproja, Anglia dhe Amerika, të cilët pasi panë që në këtë ishull nuk kishte asnjë librari, vendosën të hapin një të tillë. Ka një numër të madh librash në gjuhë të ndryshme, si në greqisht, anglisht, spanjisht dhe në gjermanisht.

LIBRARIA CORSO COMO NË MILANO, ITALI

U hap në vitin 1990. Në ditët e sotme ajo është kthyer në një prej qendrave më luksoze ku ju mund të gjeni, restorante, kafene, dyqane të ndryshme dhe mbi të gjitha edhe librarinë e famshme.

LIBRARIA WAANDERS IN DE BROEREN NË ZWOLLE, HOLLANDË

Ndodhet në një ndërtesë të vjetër të stilit gotik. Sapo hyn në këtë librari të bëjnë përshtypje tavanet e larta me afreske të ndryshme.

LIBRARIA EL PENDULO, MEXICO CITY, MEKSIKË

Është e përbërë nga dy kate plot me rafte më libra. Në secilin kat të kësaj librarie ka vende pushimi për të gjithë lexuesit të cilët mund të ulen aty dhe të konsumojnë edhe një kafe nga kafeneja që ndodhet në katin e parë të saj.

LIBRARIA ZHONGSHUGE, SHANGAI, KINË

Është një prej librarive më të veçanta në botë sepse tavani i saj është i veshur i gjithi me pasqyra. Kjo bibliotekë është konsideruar nga shumë vizitorë si një anije kozmike e mbushur plot me libra, kjo edhe në sajë të arkitekturës së brendshme. U themelua nga mësuesi Jin Hao. /American Eye/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm