Pesë vjet në bërjen e një filmi, premiera u prezantua në ABC

18:56 | 15 Dhjetor 2015
Arbresh.info

Regjisori i filmit Sami Mustafa kishte lënë Francën për pesë vjet duke ndjekur hap pas hapi dy vëllezërit: Kefaet dhe Selami Prizreni të cilët dëboheshin prej një vendi në një vend tjetër. Ky film i mbështetur nga QKK është prezantuar sot premierë në ABC, kurse vetë Mustafa ka treguar për KultPlus për rrugëtimin e këtij filmi që pret ta prezantoj edhe në New York dhe në festivale të tjera

Kefaet dhe Selami Prizreni, dy djem të komunitetit rom të cilët bënin një jetë krejtësisht normale në Gjermani, ku Kefaeti atje kishte shkuar qysh i vogël, ndërsa Selami kishte lindur atje. Të dy donin shumë muzikën hip hop, e të cilët edhe këndonin shpesh kur kishin ndonjë aheng shoqëror, e të dy pretendonin të mbërrinin shumë përmes rreshtave të hip hop-it. Por një ditë,  në orët e hershme të mëngjesit uniformat blu të errëta të gjermanëve trokitën në derën e banesës së tyre, ku i shoqëruan ata në stacion policor, e kështu edhe marrin urdhër për kthimin e tyre në vendlindje. E ç’vendlindje,  kur ata nuk i njihnin as të afërmit e mos të flasim për shtëpinë të cilën nuk e kishin më.


Këtu fillon rrëfimi rrëqethës i dy vëllezërve, Selami dhe Kefaetit,  ku këtij të fundit jeta i ishte kthyer thuajse përmbys, pasi që, edhe gruaja i ishte ndarë e dy fëmijët e tij rrallëherë i shihte. “Trapped by Law”, është filmi dokumentar që vjen nën regjinë e Sami Mustafës, me një skenarë të papërgatitur,  sepse i gjithë ky dokumentarë tregon jetën e vërtetë të vëllezërve Prizreni, të cilët u kthyen në Prizren duke e bërë një jetë herë në një qosh e herë në një tjetër, duke mos u dorëzuar asnjëherë për të marrë një vizë e për tu kthyer tek familja në Gjermani. Ky dokumentar premierën kombëtare e kishte të martën në Kinemanë ABC në Prishtinë, ku edhe pse tema ishte shumë aktuale dhe shumë e ndjeshme, e hyrja ishte pa pagesë,  numri i të pranishmëve nuk ishte i madh. Por ata që ishin e vlerësuan shumë lartë filmin.


Për pesë vite me radhë regjisori, Sami Mustafa qëndroi me djemtë duke i ndjekur nga afër e kështu edhe duke u ballafaquar me vështirësitë që kalonin ata. Kur themi vështirësitë ato ishin nga më të ndryshme, por më e rënda ishte përvoja e tyre që të nxirrnin një pasaportë serbe, pasi që, nëse posedonin një pasaportë të tillë nuk kishin nevojë për vizë, gjë e cila nuk rezultoi me sukses. E kështu nga një vend i Serbisë djemtë kthehen në Prishtinë, ku këtu takojnë disa shokë të Samiut, pra regjisorit, ku në një ndej  ata treguan edhe talentin e tyre për këndim, ku kështu u ftuan nga festivali “Rollin Film Festival”, që të këndonin një këngë të shkruar nga vetë ata. E pas kësaj pjesëmarrjeje Kafeti dhe Selami filluan të shkonin nëpër vende të ndryshme të populluara nga komuniteti rom, ku kështu dalëngadalë mblodhën të gjitha dokumentet e nevojshme për marrjen e një vize, dhe u nisën përsëri drejt ambasadës së Gjermanisë, e që ky ishte momenti më i vështirë për të dy vëllezërit, pasi që ambasada ua ndalon lëvizjen edhe për pesë vitet e ardhshme.


Regjisori i “Trapped by Law”, Sami Mustafa tha për KultPlus se me këtë film ka dashur të trokas në ndërgjegjen e njerëzve, e sidomos politikave të sodit, pasi që, sipas tij, nuk kanë pasur asnjë arsye konkrete që ti kthenin në Kosovë edhe dy protagonistët e filmit.
“Çështja politike ishte ajo që më shtyu që ta bëjë këtë film. Kjo ishte edhe çështja tek filmi im dokumentar që nuk kishte asnjë arsye për kthimin e dy djelmoshave, ndoshta arsyeja e vetme ishte se ata ishin rom, dhe kjo është e paarsyeshme, sepse njëri nga ata edhe ka lindur atje, ndërsa tjetri ka shkuar që në moshë të vogël”, u shpreh Mustafa i cili është lindur në Kosovë, por jeton dhe vepron në Francë. Regjisori  nuk e di gjuhën shqipe e as gjuhën rome, ai vazhdon të flas në anglisht duke na treguar edhe arsyen konkrete se pse ka vendosur që pesë vite të jetës së tij ti shfrytëzoj në bërjen e një filmi dokumentar.


“Arsyeja që e kam bërë filmin është që kjo gjë të trokas në vetëdijen e njerëzve, dhe shpresoj që do të ia arrijë qëllimit. Duhet të organizojmë edhe disa shfaqje të tjera të filmave,  sepse duhet që ta shohin të gjithë”, tha më tej ai ku tregoi se Kefaeti dhe Selami tanimë kanë shkuar në Gjermani, por diçka më konkrete për jetën e tyre nuk dinë.


“Trapped by Law”, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, poashtu rikujtojmë se ky film premierën botërore e pati në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Jihlava, Republika Çeke, ku ishte i nominuar për çmimin Dokumentari më i mirë në Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe për çmimin First Light. ky dokumentar hapi Festivalin Kasseler Dokfest në Gjermani, ku është edhe i nominuar për çmimin “Çelësi i Artë”, ndërsa sipas regjisorit,  destinacioni i radhës i filmit është në New York, ndërsa, sipas tij, ai është në pritje të disa konfirmimeve të tjera nga festivalet e ndryshme. /KultPlus.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme