Nga: Bedri Islami
Migjenin e kam njohur si duhet atëherë kur kam njohur edhe vuajtjen. Njohja e parë me të ka qenë një ngjarje e rëndësishme, por jo vendimtare. Ka qenë thjeshtë njëri ndër ato udhëtimet në botën e letrave, të cilat ende nuk më kishin tronditur. Më shumë se për artin, në fillim më kishte joshur për diçka krejt tjetër. Kishte të bënte me tim atë, që, ashtu si gjendej në shtëpi, ishte edhe në faqet e një libri që më dukej i hollë, i pamundur për të tronditur një botë, e aq më pak të ishte i përjetshëm. Pas emrit të babait tonë lexoja gjithnjë shtesën, ish-nxënës i Migjenit – dhe kjo ishte joshja e parë.
Natyrisht, isha ende fëmijë, mirëpo nga joshja e parë, si ndodh rëndom, atë nisa ta kuptoja përmes dhimbjes, atë kohë kur im atë nuk ishte më dhe largimi i tij nga jeta ishte mbështjellë me misterin e ikjes.
Më qëllonte, më pas, të qëndroja me orë të tëra duke lexuar vetëm pak faqe të “Vargjeve të lira”, dhe, po aq tronditëse sa ishte poema e Mjerimit, e ndoshta edhe përtej saj, më sillej tabloja e malësorëve me brekë legjendare në shtat që përgjunjeshin për një kokërr misër, e më përtej saj, britëse, do të ishte “Bukuria që vret”.
Por, thelbin ende nuk e dija… nuk e dija përse nga ai nuk mund ta ndahesha, si nuk ndahesha dot nga Dostojevski… Ishte ajo që Erenburg e quan, koha e netëve pa gjumë.
Tek Migjeni rikthehesha si tek një liman si sigurt. Më vonë, kur kam parë pikturat e El Grekos, kam ndjerë diçka nga magjepsja e ndodhur nga Migjeni. Realizmi i ashpër, ironia e tej hollë britëse dhe në të njëjtën kohë dhimbja, një tkurrje patologjike e shpirtit shqiptar që ishte përkulur për një kokërr misër, mendimi ku nuk ishte retorike dhe bukuria e të shëmtuarës, njëjtë si shëmtia e bukurisë.
E gjithë kjo përafrohet me atë çka ishte fillimi i shekullit të shkuar, zemërimi i papërmbajtur dhe shprehja mahnitëse e dhimbjes njerëzore, të pasionit por edhe të pafuqisë, dhe mbi të gjitha, rreth e rrotull tij kishte shumë, ama shumë dhimbja njerëzore, por asnjëra prej tyre nuk e kishte mposhtur njeriun që mund të hidhte në erë edhe një perandori.
Si thonte Hajne, duke mësuar, ndërkohë çmësohemi, edhe njohja ime me Migjenin harroi atë që kishte mësuar në fillim, se diku, në një faqe libri, plot mrekulli, kishte disa faqe për tim atë dhe filloi të mësohej me një perceptim tjetër, gati hyjnor, pikërisht të poetit që kishte vargun e parë të denjë për një libër, ” përditë perëndojë zotat”, me faktin se Migjenit nuk i interesojnë idhujt, as flamujt e fitoreve, ai gris ato të melankolisë, shtrëngon dhëmbët, si kryengritësit spanjollë në pikturën e famshme të Goja-s dhe, kur mendon se tashmë ke gjetur çelësin tek enigma e mrekullisë së tij, atëherë vijnë përmasat e vuajtjes njerëzore, por edhe e vërteta se Migjeni vuan bashkë me to.
Befas je i bindur se shpirtin e Migjenit e ka zënë mirësia. Por edhe harmonia. Një harmoni e paparë deri asaj kohe në letrat shqipe dhe që vështirë se do të vijë. Një epokë historike e dhënë në një libër, mbetur përgjysmë nga sëmundja.
Harmonia e Veprës së tij është e përsosur, tërësia e saj mund të ngrihej vetëm nga një poet i madh.
Si duket këtë ai e ka gjetur në qytetin ku lindi, Shkodrën e mbretërve dhe të njeriut hokatar, ku të tri besimet ishin bërë bashkë, ashtu si ujrat e tre lumenjve që rrethonin qytetin dhe në të cilën, bashkësia më e vogël, ajo ortodokse, 99 familje janë e njëqind nuk bëhen – thuhej, ishte më tolerante, dhe, ashtu si tiparet e hequra të Migjenit, ishte më e hajthme.
Poeti Balmont, pak i njohur në Shqipëri, lutej dikur që të mos ngutej kurrë në çmitizimin e idhujve të djeshëm. Idhujt e shembur mund të bëhen përsëri perëndi.
Migjeni mbetet idhulli i përjetshëm, pasi e ka parë botën tragjikisht, e ka konceptuar tragjikisht dhe e ka sjellë në mënyrën më njerëzore të mundshme.
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...