Fill pasi mbaroi Festivali Ndërkombëtar DOKUFEST në Prizren, në Pejë filloi edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit i quajtur ANIBAR. Sigurisht që DOKUFESTI ka kohë që ka marrë primatin e Festivalit më të njohur ndër ne me karakter ndërkombëtar, por e vërteta është se ANIBAR vazhdon t’i konkurrojë seriozisht dhe duke krijuar një traditë të qëndrueshme, të bëhet një adresë ndërkombëtare për vendin tonë të mbyllur, vlerat e pakta kulturore të të cilit me vështirësi ekspozohen në rajon dhe në botë.
Kështu në pamundësi që të lëvizim me prodhimet tona kulturore nëpër botë, festivalet e tilla me karakter ndërkombëtar na mundësojnë që prodhuesit kulturor nga vende të ndryshme të botës të vijnë tek ne dhe të shfaqin vlerat e tyre, duke njohur kështu një hapësirë të re kulturore, e cila vazhdon të kërkoj njohjet e saj nëpër botë.
Në këtë mënyrë ne edhe mësojmë shumë nga prodhimet e tyre, ndërsa zhvillimet kulturore tek ne janë në një nivel tepër të palakmueshëm, shkaku që, sikundër edhe në politikë dhe në çdo segment tjetër të jetës, pra edhe në kulturë, pushtetin e saj ka shtrirë një klasë injorantësh dhe mediokrish që kënaqen duke ekspozuar vlerat e tyre në nivel mëhalle.
ANIBAR nga 15 gushti e deri më 21 gusht, për qytetarët e Pejës dhe të Kosovës në përgjithësi, do të ofrojë prodhime të ndryshme nga fusha e animacionit, fushë kjo për të cilën ne ende nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë rëndësie ka në botë sot. Dihet se animacioni në formën e vet fillestare është paraqitur që në Egjiptin e lashtë dhe zhvillimi i tij ka shkuar krahas zhvillimit të teknologjisë, kështu për të arritur një shkallë të jashtëzakonshme prodhimi dhe vlere në shekullin nëntëmbëdhjetë.
Filozofia e kësaj fushe kaq të rëndësishme për artin dhe kulturën në përgjithësi mbështetet në fotografinë në lëvizje, e cila krijon iluzionin që ecën, përkatësisht iluzionin optik. Sot në botë kjo fushë e lidhur ngushtë me zhvillimet teknologjike ka shtruar ndikimin e vetë në argëtim, në reklama, në art, në video dhe në film. Vetë fjala animacion që rrjedh nga fjala latine animaro do të thotë të bësh diçka të gjallë, të gjallërosh diçka si në rastin e fotografisë kur e bën të lëvizë ajo.
Sigurisht që për një mjeshtër të mirë animacioni sot është e nevojshme njohja e krijimit artistik krahas njohjes së teknologjisë me të cilën finalizohet prodhimi i animuar. Prandaj festivali në Pejë, përkatësisht Festivali Ndërkombëtar për Animacion ka rëndësi të dyfishtë. Kjo për faktin se në aspektin e njohjes teknologjike ne kemi ecur më përpara se në mjeshtërinë e të bërit art. Sigurisht që festivali i tillë mund të jetë shumë inspirues për të rinjtë tanë që merren me krijimet në këtë fushë, të cilat tek ne shënojnë një deficit të konsiderueshëm.
Shih për këtë organizatorët e Festivalit janë kujdesur që nëpërmjet punëtorive të ndryshme t’i ndihmojë të rinjtë që jo vetëm të njohin këtë lloj krijimi, por edhe vetë të bëhen krijues të tij. Ata sigurisht kanë rastin që të mësojnë shumë edhe nga krijuesit me përvojë që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Aty do të jetë historiani i njohur i animacionit Amid Amidi, i cili ka një përvojë nga puna e tij edhe në Disney, ku ka punuar me Pinokin dhe Hirushen. Është e mjaftueshme prezenca e tij që të rinjtë të motivohen që ta duan këtë lloj arti dhe të merren më seriozisht me të.
Në këtë Festival, dashamirët e animacionit do të kenë rastin t’i shohin edhe dy prodhime vendore, përkatësisht një film nga Shqipëria dhe një nga Kosova.
Ndërsa në DOKUFEST temë qendrore ishte korrupsioni, këtu në ANIBAR është ngrohja global, kaq e rëndësishme edhe për ne, pavarësisht që në Kosovë ka një sjellje barbare ndaj ambientit, duke lejuar shkatërrimin e lumenjve, pyjeve dhe fushave. Megjithatë përherë duhet pasur parasysh se njeriu është pjesë organike e natyrës, ndaj armiqësimi me të është me pasoja të paparashikueshme.
Urojmë që tradita e këtij Festivali të vazhdojë dhe gjithnjë e më shumë të gjej përkrahje institucionale dhe shoqërore në përgjithësi.
Hedhja e granatave në stacionin policor në Zveçan, Maqedonci...
Gjenden mbetje mortore në Suhodoll
Hamasi: Jemi të përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit ...
Çështja e emigrantëve, Hasani për ANSA-n: Të përkushtuar nda...
Hapja e fabrikës për municion, Maqedonci: Jemi koordinuar me...
Miratohet Projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 203...