Paçarizi: Seminari i sivjetmë me prurje cilësore

11:13 | 13 Gusht 2017
Arbresh.info

Kanë përfunduar përgatitjet për Seminarin e 36-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, seminar ky që do të mbledhë në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme.

Kështu ka thënë profesori në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Rrahman Paçarizi, në një intervistë për KosovaPress, derisa ka theksuar se sfida më e madhe mbetet sigurimi i fondeve.

Sipas tij, seminari do të fillojë nesër dhe do të zgjas deri më 25 gusht.

“Përgatitjet e seminarit zgjatin rreth një vit. Telashet më të mëdha i kemi me sigurimin e fondeve për mbulimin e shpenzimeve të seminarit. Ky ka qenë problemi kryesor sivjet, mirëpo duke iu falënderuar Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Rektoratit, ne i kemi siguruar tashmë fondet. Janë bërë ftesat, janë shtypur materialet, është siguruar akomodimi dhe ushqimi për seminaristët dhe ne jemi gati që të hënën të nisim edicionin e 36-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, tha ai.

Paçarizi është shprehur se numri i pjesëmarrësve është i madh, përderisa ka thënë se ka seminaristë dhe studiues që marrin pjesë në këtë seminar, për më shumë se dhjetë vite me radhë.

Temat që do t’i trajtojë seminari, Paçarizi thotë se do të zhvillohen përgjatë tri sesioneve, ndërsa thotë se për dy sesionet e para, atë të gjuhës dhe letërsisë, ka interesim të jashtëzakonshëm të pjesëmarrësve.

Për shkak se sesioni i kulturologjisë është themeluar vonë, para tri vjetësh, profesori Paçarizi thotë se ka rënie të numrit të të interesuarve, ndërsa shton se kjo mund të ndodhë edhe për shkaqe të tjera.

Sa i përket rëndësisë së seminarit, ai tha se do të merrte shumë kohë numërimi i efekteve pozitive që seminari i ka, ndërsa ka renditur disa prej tyre.

Ndryshe, hapja solemne e Seminarit XXXVI, do të bëhet të hënën, më 14 gusht 2017, në orën 11:00, ndërsa punimet do të zhvillohen në Prishtinë nga 14 – 25 gusht.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme