Google ADS

Oscar Wilde, irlandezi skandaloz: Jetojmë të gjithë në baltë, por disa prej nesh i kanë sytë të kthyer nga yjet

23:22 | 16 Tetor 2018
Arbresh.info

Një burrë me inteligjencë të lartë dhe me batutën gjithmonë të gatshme. I votuar në kultin e të bukurës. Një joshës melankolik që thoshte: “Drama e madhe e jetës sime? Është që kam vënë gjeninë time në ekzistencën time; gjithçka që kam vënë në veprat e mia është talenti im”. Për të arti nuk qëndronte aq shumë tek librat, sesa tek vetë jeta. E nëse talenti e bëri të pavdekshëm falë romanit “Portreti i Dorian Greit” (jo rastësisht historia e “paktit me djallin”, e një esteti që bën të plaket një portret në vendin e tij), gjenia e tij ia transformoi ekzistencën në një vepër arti. Një ekzistencë me teprime, që e konsakroi si njeriun më të kërkuar në sallonet e Londrës gjatë gjysmës së dytë të viteve 18000, përpara se ta çonte drejt shkatërrimit.

Irlandezi “skandaloz” Oscar Wilde (kishte lindur në Dublin në 1854) jetoi në vitet ndoshta më moralistë të historisë angleze. Epoka kur, gjatë mbretërimit të mbretëreshës Viktoria (në fron që nga viti 1837), patriotizmit dhe prosperitetit të bazuar mbi pasuritë koloniale i korrespondonte një borgjezi e pasur, që shihte me tmerr teprimet dhe i dënonte homoseksualët fillimisht me burgim dhe më pas me varje. Dhe Wilde ishte ekscentrik dhe homoseksual.

Por, kjo gjë nuk i interesonte: për të e rëndësishme ishte të habiste, të befasonte, të joshte.

“E vuri menjëherë artin dhe fjalën e tij në shërbim të joshjes”, shpjegon Roberto Bertinetti, docent i letërsisë angleze në Universitetin e Triestes. “Kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe që në moshën 13-vjeçare shfaqi cilësitë që do ta bënin të famshëm: batutën e menjëhershme, lojën gjeniale, ironinë. Fliste frëngjisht dhe anglisht dhe vdiste të skandalizonte të tjerët. E dinte se ishte ajo mënyra më e mirë për të mos u harruar, dhe për ta bërë nuk tërhiqej mbrapsht edhe nga përçmimi haptas i kanotazhit dhe kriketit, sportet më popullorë të kohës. Tani mund të jetë diçka që të bën të qeshësh, por për anglezët bëhej fjalë për një herezi”.

Duket se që atëherë Wilde kish vënë në veprim filozofinë që disa vite më vonë do ta përmblidhte në një prej aforizmave të tij më të famshëm, që ai e quante në frëngjisht bon motos: “Këto kohë, për të hyrë në botën e bukur, duhet të argëtosh ose të skandalizosh njerëzit”. Ai, në mesin e këtij dyshimi, zgjodhi që t’i bënte të dyja.

Oscar e përftoi artin e kënaqësisë që fëmijë. Për të lënë përshtypje tek nëna e tij poeteshë – e cila mburrej për një trashëgimi inekzistente nga vetë Dante – nisi të shkruajë poema në greqisht dhe latinisht. E ëma Jane Frances Elgee, e cila kërkonte të quhej Hope – Shpresa, ishte nga ana e saj një borgjeze ekscentrike që ndiqte aspirata artistike të çuditshme, dashuronte sallonet dhe në Dublin ishte e famshme për dhuntinë e saj si oratore. Ndërsa i ati, një okulist me famë, ishte një feminist i pafre, i dënuar për përdhunim. Një sfond që nuk mund të mos linte shenjën e tij.

Në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, Wilde fitoi një bursë studimesh të kolegjit Magdalen në Oksford, ku ra menjëherë në sy për mendjemprehtësinë e tij (por edhe për arrogancën). Ishte trampolina e tij. Nisi të udhëtojë nëpër Europë duke shpenzuar pa u përmbajtur dhe i rrethuar nga një luks që nuk mund ta përballonte.

Në vitin 1879 vendosi të transferohej në Londër në një shtëpi në 13 të Salisbury street, me mikun e tij piktor Frank Miles. Në shtëpinë mbi Tamiz, siç e kishte pagëzuar ai shtëpizën e vjetër, nisi legjenda e tij. U bë i njohur në të gjithë qytetin për aforizmat, me të cilët u jepte gjallëri bashkëbisedimeve të salloneve të kohës. Sallone ku dëshironte shumë që të binte në sy.

“Një herë u shfaq në një darkë me një gjarpër përreth fytit”, rrëfen Bertinetti. Pikërisht kështu u bë i famshëm, që përpara se të kishte botuar diçka. Ishte në gojën e të gjithëve.

Një rebel i pandreqshëm ndaj diktatit të modës, e bëri elegancën e tij një model për të gjithë ata që aspironin të bëheshin dandy si dhe një armë joshjeje. Të gjithë marroseshin pas tij: jo për hijeshinë, se sa për magnetizmin. Gra dhe burra.

Pati një marrëdhënie me Milesin, i detyruar nga i ati që të braktiste shtëpinë për të mos u akuzuar për homoseksualitet. Këtu ishte dallimi: Wilde nuk i interesonte gjykimi i të tjerëve. Tashmë i shndërruar në një profet të dandizmit, në vitin 1882 ai shkoi në Shtetet e Bashkuara për një seri konferencash të organizuara nga sipërmarrësi teatror Richard D’Oyly Carte. Wilde arriti që të bëjë për vete, me anë të oratorisë së tij, edhe një grup minatorësh nga Kolorado të cilëve u foli për vlerat e artit. Kaq e madhe ishte magjepsja prej tij.

Megjithatë, kur u rikthye në Londër, dashuria e tij për luksin e çoi në varfërim: “Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve”, kishte thënë.

Dhe, tundimet kishin emrin e verërave dhe pijeve më të mira e më të kushtueshme, të sendeve antike dhe porcelanisë kineze, por edhe të glikanxos dhe opiumit. Pasuria e trashëguar nga babai u shndërrua shumë shpejt në një kujtim dhe homoseksualiteti rrezikonte të bëhej një problem.

“Një zgjidhje dukej se ishte martesa”, komenton Bertinetti. “Vëllai i tij, Uilli ishte sistemuar duke u martuar me një grua shumë të pasur, 30 vjet më e moshuar se ai, por Wilde vendosi që të lidhet me një vajzë që asnjëherë nuk do të arrinte t’i garantonte një jetë të pasur. Një provë që mes të dyve pati dashuri të vërtetë”, vazhdon Bertinetti.

Vajza në fjalë ishte dublinezja Constance Lloyd. Pas tre vitesh fejesë, në vitin 1884 të dy u martuan dhe në vijim patën dy fëmijë. Për ta, Wilde shkruajti në vitin 1888 ‘Princi i lumtur dhe përralla të tjera’, por kjo nuk mjaftoi për ta bërë një baba të mirë. Ekseset dhe burrat e shumtë shenjonin tashmë ditët e tij.

Joshte adoleshentët si Robert Rossin dhe përjetoi dashuri në vuajtje si ajo me John Grayn, që ndoshta i shërbeu si frymëzim për romanin “Portreti i Dorian Greit”. Por, mbi të gjithë ishte lord Alfred Douglas që, pasi kishte lexuar “Portreti i Dorian Greit” për “katërmbëdhjetë herë me radhë”, kërkoi që të njihte autorin. Në dukje, Bosie (kështu e quante Wilde), shfaqej si një prej të shumtëve. Por, ai takim i ndryshoi jetën: marrëdhëniet me bashkëshorten u bënë gjithnjë e më të tensionuara. Tamam si Henry, esteti që Dorian Grei në roman e dëgjon “i habitur, me sytë e shqyer”, edhe Wilde e shijonte tek bënte për vete një numër gjithnjë e më të madh burrash dhe grash. Përditshmëria e tij ishte e mbushur me takime me prostituta të reja në moshë, humbje parash, kërcënime dhe shantazhe. Por gjëja më e keqe ishte se joshja e fjalës, arma e tij më e mirë filloi që të humbasë magjinë e saj.

Marrëdhënia plot luhatje me Bosien shënoi edhe fillimin e fundit. Pasi kishte marrë një copë letër ku akuzohej se ishte një rrufjan dhe një sodomist, Wilde e paditi për shpifje dërguesin, i cili ishte Sir John Sholto Douglas, babai i të dashurit të tij. Shkrimtari e humbi çështjen dhe u dënua nga ana e tij për homoseksualizëm.

Ai proces poshtërues shënoi edhe hakmarrjen viktoriane ndaj joshësit të madh të salloneve. Akuza e vuri shumë herë në vështirësi. Me pyetje si kjo: “Përse ke çuar të rinj modestë në restorantet më të kushtueshëm?” Wilde u përgjigj: “Sepse janë të rinj dhe pafajësia e tyre më bën të çlodhem prej lodhjeve mondane”. Duke thyer me një frazë të vetme dy tabu: atë të homoseksualitetit dhe atë të ndarjes mes klasave sociale (në atë kohë një xhentëlmen nuk mund të ndante kohën dhe argëtimin me të rinj të klasave më të ulëta). E pyetën edhe nëse me të vërtetë, ashtu siç thuhej, ai kishte puthur një shërbëtor. Dhe Wilde, i skandalizuar, përgjigjej: “Por jo, aspak, ishte shumë i shëmtuar”. Por, kur e pyetën nëse kish qenë i dashur, nuk u përgjigj, por shpërtheu në lot. Ai që kish qenë mbret i fjalës, tashmë ishte tradhtuar pikërisht prej kultit për batutën e atypëratyshme.

U dënua me dy vite punë të detyruar. Punonte gjashtë orë në ditë në një mulli, me pak bukë dhe pak ujë, duke u katandisur në hijen e vetvetes. Douglas bëri publike letrat e tyre intime dhe Costanze kërkoi divorcin. Kur doli nga burgu në vitin 1897, të gjithë e shmangnin dhe marrëdhënia me Bosien përfundoi pak vite më vonë.

Nuk kish mbetur shumë nga i riu Dandy. E, megjithatë, për magjepsjen e tij në Evropë tashmë flitej me terma legjendarë (ashtu siç vazhdohet të bëhet edhe sot në të gjithë botën). Pa dhëmbë, i sëmurë me sifiliz dhe pa mundësinë as që të blinte veshje të përshtatshme, Wilde u vendos në Paris, ku vdiq në moshën 46-vjeçare. Aforizmi i tij i fundit melankolik ishte: “Jetojmë të gjithë në baltë, por disa prej nesh i kanë sytë të kthyer nga yjet”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme