Google ADS

Noli dhe Konica, këta përçarës të mëdhenj të botës shqiptare

13:15 | 28 Qershor 2016
Arbresh.info

Noli, për shkak të ambicieve të tij politike, i priu një kryengritjeje shkatërrimtare në Shqipëri (1924); Konica, për interesat e tij meskine, bëri aktin e shëmtuar të tradhtisë: në cilësinë e ministrit-ambasador ia dorëzoi vulat e shtetit që përfaqësonte ambasadorit të shtetit pushtues (Italisë)
1.Mbi diasporën shqiptare në Amerikë

Diaspora shqiptare në Amerikë u krijua në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, atëherë kur nis edhe fuqizimi ekonomik dhe politik i Amerikës dhe roli i saj në Europë fillon të bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm. Emigrimi i shqiptarëve në Amerikë, gjatë kësaj periudhe, është më intensiv nga Shqipëria e Jugut, për shkak të ndikimit grek në këtë zonë. Një numër syresh udhëtuan në Amerikë me anijet greke, në shumicën e rasteve si klandestinë. Njëlloj simbolike për rrugëtimin e shqiptarëve drejt “ëndrrës amerikane”, si edhe e popujve të tjerë të Europës, paraqet “Titaniku”: ndër të mbyturit dhe të mbijetuarit e “Titanikut” ka pasur edhe shqiptarë. (Deri tani dihet për një familje dibrane tre anëtarësh të mbytur dhe së paku për një person nga Vithkuqi i Korçës të mbijetuar.) Është e njohur se emigracioni shqiptar në Amerikë ka pasur karakter ekonomik, vetëm se duhet marrë parasysh edhe faktin se në fillim të shekullit XX, drejt Amerikës udhëtuan edhe një numër aventurierësh shqiptarë, të tillë që kryesisht përbëjnë atë shtresë të popullsisë, e cila pretendon të jetojë duke shfrytëzuar mirëqenien ekonomike të emigrantëve, të cilën arritën ta krijonin me një shpejtësi të madhe. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe një numër intelektualësh dhe politikanësh, ose ata që më vonë do të bëhen të tillë.

Emigracioni shqiptar në Amerikë u fuqizua shumë shpejt, duke arritur të bëhet i suksesshëm në tre plane njëherësh:

1. Arrin të organizohet mes veti dhe të unifikohet (në këtë pikë ka pasur ndikim të madh fakti se emigrantët vinin nga e njëjta hapësirë shqiptare dhe, për rrjedhojë, kishin edhe interesa të njëjta politike);

2. Arrin t’i imponohet shtetit amerikan dhe të përfitojë mbështetje për Shqipërinë (takimi i hershëm i Nolit me Vilsonin dhe mbështetja që ai i dha Shqipërisë);

3. Arrin t’i imponohet politikisht vendit të origjinës, pra Shqipërisë, duke u bërë faktor i rëndësishëm në zhvillimet politike, fetare dhe intelektuale (themelimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe i ashtuquajturi Revolucioni i Qershorit i vitit 1924).

Vetëm se duhet pasur parasysh një gjë: derisa bëjmë këtë histori të shkurtër politike të diasporës shqiptare në Amerikë, duhet të tërheqim qartë një vijë ndarjeje midis veprimit politik të kësaj diaspore në vendin e origjinës, me parimet dhe vlerat e demokracisë amerikane. Thënë me një fjalë, veprimet që bëjnë herë pas here përfaqësuesit e kësaj diaspore në vendin e origjinës, nuk kanë asgjë të përbashkët me këto vlera.

Më anë tjetër, jeta në një shtet të fuqishëm, me ndikim të jashtëzakonshëm në tërë botën, do të stimulojë te shqiptarët e kësaj diaspore një iluzion të përsëritur, recidivist në krahasim me diasporën shqiptare në përgjithësi: se diaspora, në këtë rast ajo e Amerikës, është denjë, e meriton dhe duhet ta sundojë vendin amë. Ky iluzion është shfaqur edhe pas bërjes së Shqipërisë, e më vonë, në mënyrë sporadike, edhe pas bërjes së Kosovës. Natyrisht kjo nuk ka pasur të bëjë fare me politikat amerikane ndaj shqiptarëve, por ka qenë iluzion vetëm i kësaj diaspore.

2. Noli dhe Konica

Për më shumë se gjysmë shekulli, skenën politike dhe intelektuale të diasporës shqiptare në Amerikë (dhe pjesërisht edhe atë shqiptare) e dominuan dy emra të njohur, Noli dhe Konica. Por veprimet e tyre nuk shfaqin asnjë respekt për parime dhe vlera demokratike. Në pikëpamje politike, Noli dhe Konica paraqiten aventurierë, pushtetdashës të mëdhenj dhe, në disa raste, zjarrvënës të Shqipërisë (Noli, Revolucioni i Qershorit).

Derisa Konica shquhet për inkonsekuencë politike, duke filluar si anarkist dhe duke përfunduar si rojalist, Noli shfaqet krejt i afërt me idetë komuniste. Megjithatë veprimi i kryehershëm i Nolit, për të themeluar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare duhet konsideruar si njërën nga arritjet më të mëdha, kulmore, të diasporës shqiptare në Amerikë, që e vendos Nolin dhe këtë diasporë në shkallën më të lartë të hierarkisë së patriotizmit shqiptar. Ishte një akt që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm edhe në jetën politike dhe fetare në diasporën shqiptare në Amerikë, por më shumë në Shqipëri. Deri më sot nuk ka ndonjë dëshmi se Noli, si kryepeshkopi i parë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, mund te ketë bërë koncesione atyre që ia mundësuan aktin e shpalljes së autoqefalisë (rusëve), ndonëse Noli ka qenë i prirë për koncesione të tilla. Por, më anë tjetër, në pikëpamje politike, Noli shfaqet arrivist i dhunshëm, idealet politike të të cilit nuk kanë asgjë të përbashkët as me filozofinë kishtare, as me demokracinë amerikane, ku ai mund të kishte marrë një mësim politik. Revolucioni i Qershorit i vitit 1924 është një aventurë politike e Nolit, e cila mund të arsyetohet vetëm me ambiciet e tij karrieriste, si një kontribut madhor i Nolit në historinë dëshpëruese të luftës së shqiptarëve për pushtet dhe nuk mund të gjejë asnjë arsyetim tjetër politik. Më anë tjetër, ambicia e Nolit për t’u bërë kryeministër i Shqipërisë me rrobën e priftit ortodoks, në një vend të sapo dalë nga sundimi i Perandorisë Otomane, ku mbi 70% e popullsisë është myslimane, duket tepër qesharake, për të mos u quajtur e dyshimtë. Ndërkohë, pikëpamjet e majta revolucionare të Nolit sa vinë e forcohen edhe pas Revolucionit të Qershorit, duke kaluar nga pragmatizmi politik në botëkuptim dhe në program e tij letrar (“Anës së lumenjve”, “Marathonomaku i Madh” etj.). Pikëpamjet politike të Nolit paraqiten kontroverse edhe në raport me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Dedikimi i Nolit për komunistët te “Albumi” ndoshta mund të gjejë një arsyetim, me faktin se komunistët e Shqipërisë u rreshtuan në anën e koalicionit antifashist dhe çliruan vendin, siç thotë ai, por, sikundër dihet, Noli do ta vazhdojë këtë mbështetje edhe më vonë, duke u bërë njeri i afërt me diktatorët e Tiranës. Ai, deri në vdekje, nuk u distancua ndonjëherë nga ky regjim, edhe përkundër faktit se deri më 1965 regjimi i Tiranës e kishte shfaqur faqe botës fytyrën e tij jashtëzakonisht të shëmtuar.

Ndryshe nga Noli, në pikëpamje politike Konica paraqitet me ambicie më të vogla politike, por jo më pak kontrovers se Noli. E thamë që në fillim se Konica ishte anarkist, pastaj, duke ndjekur interesat, jo parimet, bëhet rojalist. Ai e mbështeti Zogun kur e pa se mund të përfitonte prej tij, ndërsa në sytë e shqiptarëve këtë mbështetje e arsyetoi me stabilizimin e shtetit shqiptar. Fejtoni i tij publicistik “Shqipëria si m’u duk” është model i poltronizmit intelektual dhe i inkosekuencës politike të një intelektuali. Por, derisa në punë të grindjeve politike Konica ishte po aq i zëshëm sa Noli, me veprimet e tij ai nuk shkon deri në atë pikë, sa të arrijë të bëhet i dhunshëm: ai është më i sofistikuar, më mondan dhe më përfitues, njëkohësisht. Ai mbetet i njohur për pasionin e tij të madh, për të bërë jetë luksi me paratë që nuk i fitonte vetë. Më anë tjetër, biografët e Konicës, të magjepsur nga erudicioni i tij, kanë bërë çmos për ta nxjerrë të larë figurën e tij edhe atëherë kur veprimet e tij kanë qenë asgjë më pak se tradhti ndaj kombit dhe shtetit. Në të vërtetë, pas pushtimit italian të Shqipërisë, Konica bën veprime aq joparimore dhe aq të paqëndrueshme dhe aq jokonsistente, saqë është vështirë të merret vesh se çfarë synonte në të vërtetë. Ai, madje, bëhet edhe objekt i dyshimeve të FBI-së amerikan dhe vihet në vëzhgim të saj, për shkak të takimeve të shpeshta me një nëpunës shqiptar të konsullatës italiane në Uashington. Në një anë, ai vazhdon të mbështesë Zogun dhe e quan atë përfaqësues legjitim të shtetit shqiptar, por me Zogun i prish marrëdhëniet për shkak të mosmbështetjes financiare; vihet në anën e Italisë në luftën italo-greke dhe harton një broshurë propagandistike për këtë qëllim (“Sfondi i luftës italo-greke”), të cilën e botojnë dhe e shpërndajnë zyrat e propagandës fashiste anembanë Amerikës; i shkruan letër Musolinit me kërkesë që qeveria italiane të marrë përsipër shpenzimet e tij të prapambetura në Uashington, duke njohur në këtë mënyrë legalitetin e pushtimit italian. Së fundi, situata bëhet tragjikomike: kur Italia i paguan Konicës katër mijë dollarë borxhe të ambasadës dhe tre mijë dollarë paga të prapambetura (gjithsej shtatë mijë dollarë, që i bie afërisht rreth njëqindmijë dollarë, sipas vlerës së sotme të dollarit amerikan) dhe si kundërveprim, merr në dorëzim kredencialet dhe vulat nga vetë dora e Konicës. Konica ishte përfaqësues i një shteti sovran dhe veprimi i tij nuk mund të arsyetohet me bindjet e tij politike, as me ndonjë ves ose veti të personalitetit të tij. Në të vërtetë, dy-tri vitet e fundit të jetës së Konicës në Uashington, 1939-42, janë aq konfuze dhe politikisht aq diletante, sa të bëjnë të dyshosh se, edhe para se të përfundonte jetën fizikisht, Konica tashmë kishte degraduar si intelektual erudit dhe politikan i shkathtë. Ai tashmë kishte rënë viktimë e jokonsekuencës së vet dhe prirjeve politike anarkiste dhe makiaveliste.

Në këtë kuadër, edhe zënkat e gjata dhe të vazhdueshme të Nolit me Konicën kanë shkaktuar përçarje të mëdha në komunitetin shqiptar të Amerikës dhe të shqiptarëve në Shqipëri. Grindjet e tyre nuk kanë qenë aspak parimore. Polemikat e tyre flasin për dy njerëz vetëmburrës dhe egocentrikë, me mentalitet provincial tipik shqiptar, të cilët janë në gjendje të sakrifikojnë çdo parim për interesa meskine. Konica zhvishet nga çdo vlerë humane, po edhe kombëtare, kur i kërkohet të japë mendim për një ndihmë që kërkonte Noli i sëmurë, duke u shprehur haptas për refuzimin e kësaj ndihme, që e kishte kërkuar Noli nga qeveria e Zogut. Por edhe Noli, shumë vjet pas, ndonëse më i përmbajtur, tallet me Konicën, me veset e dhe me karakterin tij prej ngatërrestari.

Më anë tjetër, sado që Noli dhe Konica e eklipsuan për një kohë të gjatë diasporën shqiptare në Amerikë, largimi i tyre nga skena do të lërë një zbrazëtirë përgjithmonë të paplotësuar. Askush më nuk do të arrijë ta zërë vendin e tyre; as “Vatra”, as “Dielli” nuk do të bëhen më kurrë çfarë kanë qenë në një moment të caktuar të historisë shqiptare. Diaspora shqiptare në Amerikë do të marrë një rol shumë të rëndësishëm në punët politike të shqiptarëve me rastin e luftës në Kosovë në vitin 1999, por megjithatë ajo nuk do të arrijë kurrë t’i imponohet vendit amë, siç ka ndodhur gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

3. Për Kosovën

Pas Luftës së Dytë Botërore, diaspora e vjetër shqiptare në Amerikë humb dinamikën e saj dhe identifikohet me politikat e shtetit amerikan. Janë disa faktorë që e bëjnë këtë diasporë të heshtur dhe pa ndikim, siç është ndarja bllokiste, lufta e ftohtë dhe mbetja e Shqipërisë pas “perdes së hekurt”, mbyllja dhe izolimi i Shqipërisë, sikundër edhe përçarjet mëdha politike dhe ideologjike të emigracionit shqiptar në përgjithësi. Me vdekjen e Mit’hat Frashërit në anijen që ishte bërë gati të ankorohej në Nju-Jork, duket se do të humbet përgjithmonë një zë i fuqishëm, i cili do të mund ta bashkonte diasporën shqiptare, jo vetëm në Amerikë, rreth ideve antikomuniste. Pra, as në këtë pikë diaspora shqiptare nuk paraqitet e bashkuar. Ajo bëhet terren i përshtatshëm për veprimtari agjenturore të Tiranës, por edhe të Jugosllavisë së atëhershme, e cila, për shkak të Kosovës, krahas emigracionit kroat, përçarjen e emigracionit shqiptar e vendos ndër prioritetet e saj më të larta.

Së këndejmi, edhe në raport me Kosovën, diaspora e vjetër shqiptare në Amerikë nuk shfaqet asnjëherë si zë i fuqishëm. Reagimet e kësaj diaspore kanë qenë të vakëta, pa ndonjë ndikim qoftë në politikat amerikane, qoftë në opinionin amerikan. As “Vatra”, as “Dielli”, as Konica, as Noli nuk thonë asgjë të rëndësishme për Kosovën. Konica, madje, në veprën e tij më të mirë dhe më të plotë “Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” (që synonte të ishte letërnjoftim shqiptar për mbarë botën) bën një përshkrim historik dhe etnografik të viseve shqiptare, në të cilën përfshin Konicën e tij, por nuk e përfshin Kosovën dhe as viset e tjera shqiptare mbetur në Jugosllavi. Kjo gjendje vazhdon kështu, derisa vetë Kosova zë të japë sinjale të qarta të përpjekjeve të saj për t’u çliruar dhe derisa në Amerikë zë të konsolidohet një diasporë e re, me memorie më të freskët dhe me ndjeshmëri më të madhe ndaj çështjes së Kosovës.

Fillimi ndodh më 1982, menjëherë pas demonstratave të fuqishme të vitit 1981 në Kosovë. Në vjeshtën e atij viti, në City University të Nju-Jorkut, më 6 nëntor, mbahet një konferencë shkencore ndërkombëtare për Kosovën, në përgjigje të propagandës serbe dhe jugosllave, e cila, në qarqet ndërkombëtare, përfshirë edhe ato amerikane, kishte ndërmarrë një fushatë të jashtëzakonshme propagandistike për ta damkosur Kosovën dhe për ta shtrembëruar realitetin e saj. Meritën për mbajtjen dhe suksesin e kësaj konference e kanë tre emra të nderuar të “diasporës së re” shqiptare në Amerikë: Arshi Pipa, Sami Repishti dhe Safete Sofie Juka. Me këtë konferencë i jepej një përgjigje shkencore propagandës serbe dhe botimi i punimeve të konferencës në vëllimin “Studime mbi Kosovën” (“Studies on Kosova”) më 1984, dhe veçmas studimi monografik i Safete Sofie Jukës “Kosova: Shqiptarët në Jugosllavi në dritën e dokumenteve historike” (“Kosova: The Albanians in Yugoslavia in light of historical documents”), do të shënojë fillimin e një epoke të re jo vetëm të rolit të diasporës shqiptare në Amerikë, por edhe të çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.

Pra, ishte një ngjarje kthesë, historia e së cilës mbetet të shkruhet në të ardhmen.

(Kumtesë e mbajtur në konferencën shkencore “Studimet albanistike në Amerikë”, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme