Nga Tiziano tek Caravaggio, koleksioni i famshëm i artit të familjes Durazzo (FOTO)

08:33 | 10 Korrik 2019
Arbresh Info

-Familja më e njohur në metropolet evropiane emigroi nga Durrësi më 1389-n dhe u nis drejt aventurës së një jete të re në Itali. Ata nxorën 9 dozhë (presidentë) të Republikës gjenoveze, 30 ambasadorë e konsuj, dhjetëra senatorë, dy kardinalë të famshëm, artistë e jezuitë të njohur në botën e dorëshkrimeve, etj.

Familja “Durazzo“ e një emigranti shqiptar që la Durrësin ne vitin 1389 dhe u nis drejt aventurës, e cila nxori 9 dozhë (presidentë) të Republikës gjenoveze, 30 ambasadorë e konsuj, shumë e shumë senatorë, dy kardinalë të famshëm, njerëz të artit e të letërsisë, jezuitë të njohur në botën e dorëshkrimeve, etj, u bë ndër më të njohura në metropolet europiane.

Një pinjoll i kësaj familje ishte dhe Giacomo Durazzo, një nga mecenët e artit, ish ambasador dhe drejtor i Teatrove Imperiale të Vjenës, parat ë cilit do ë jepte koncert në Venecie dhe djaloshi i ri i quajtur Mozart. Gjithë këta njerëz të mëdhenj ishin dhe amatorë të famshëm të artit, veçanërisht pikturës, skulpturës e librave të rrallë, të cilat zbukuronin pallatet e tyre jo vetëm në Gjenova por edhe gjetkë.

Më 1719, siç shkruhet në “Atti di Societa Storia e Patria“, Durazzo-t kishin si konsulent të tyre për blerjen e veprave të artit një piktor të njohur, Paolo Gerolamo Piola dhe se nga një vizitë në Bologna e Firenze ata ishin kthyer me disa vepra të Guido Reni-t dhe të Veronese-s. Disa vite më vonë, më 1724 ata blenë në Madrid një vepër të Rubens, që kishte qenë pronë e Filippi IV dhe një Madalena të Tiziano-s. Ata vazhdimisht investonin në pasurimin e koleksionit të tyre të veprave të artit duke u dalluar ndër gjithë fisnikët e tjerë gjenovezë.

Në Revistën e Muzeumeve të Italisë (Revue des Musées d’Italie, Catalogue raisoné des peintures et des sculptures…) historiani i artit André Lavice, i bën një përshkrim të hollësishëm veprave të artit që ishin në Galerinë Durazzo në atë kohë. Ja çfarë shkruan ai, duke rradhitur autorët e ndryshëm sipas emrit alfabetik dhe veprave të tyre që ishin në Galerinë Durazzo:
– Amerighi (Michelangelo) i mbiquajtur Caravaggio – Psyché një figurë e shtrirë pranë Dashurisë dhe që fle në gjirin e saj.

Në të djathtë, në hije, duket një Faune që vështron duke qeshur. Balli dhe sytë e Psyché-së janë gjithashtu në hije, ndërsa pjesa tjetër është e ndriçuar mirë;
– Badigalopo (Giuseppe) – Gjashtë figura historike;
– Barbieri (Giovanni Francesco) i mbiquajtur Guerchin – Monedha e Cesar- it, një tablo e mrekullueshme, por mjerisht disi e dëmtuar. Po ta krahasosh me atë të Van Dyck, figura e Krishtit është më pak e bukur, por personazhet e dyta janë të pikturuara mjaft mirë. – Shpëtimtari që i shfaqet nënës së tij pas ringjalljes dhe që përkulet te Maria, në gjunjë. Pas tij duket një apostull që mban Kryqin e Pasionit. Majtas, në qiell, endet një ëngjëll.
– Bonacorsi (Piero), i mbiquajtur Pierino del Vaga – Virgjëresha që ushqen Jezunë.
– Boni – Akili, të cilin Thétis ia beson Centaurit. Fëmija që përqafon nënën gjithë afsh. Nimfa dhe centaurë.
– Caliari (Paolo), i mbiquajtur Veronese – Martesa e Katerinës, një tablo e vogël dhe disi e dëmtuar.
– Caulasi (Guido), i mbiquajtur Cagnacci – Akili midis grave të Lycomede. Ka një veshje femrash dhe tund shpatën në ajër. Uliksi i veshur si tregëtar me një arkë të hapur para tij plot gjerdanë, si dhe i rrethuar nga shumë kureshtarë.
– Cantarini (Simone), nga Pesaro – Udhëtimi në Egjipt, Maria ka një kapele kashte në kokë dhe anash barinj, ku njëri prej tyre prin delet.
– Carracci – Ecce Homo, Jezuja me kurorën me gjemba dhe një pallto të kuqe;
– Castello (Valere) – Engjëjt që kanë shkuar te Abrahami. Patriarku u sjell miqve një pjatë në tavolinë. Sara duket në sfond;
– Castiglione (Benedetto), i mbiquajtur Greghetto – Agar dhe Ismaili. Nëna që ka ngritur vellon që mbulon të birin, tek klith dhe kthehet me ankth nga engjëlli që po vjen djathtas;
– Dyck (Antoine van) – Portret burri i veshur me të zeza. – I riu Tobie që mban peshkun, i ndjekur nga qeni i tij. Në ajër duket ëngjëlli. – Portret i një fëmje i veshur me mëndafsh të bardhë dhe që mbështetet te një karrige. Në tokë duken fruta. – Dy djem dhe një vajzë në mes. Fëmijë të këndshëm. – Portret i një bjonde të bukur, e ulur. Një dorë e saj është mbi kokë ndërsa tjetra mbështetet mbi një nga fëmijët, i cili është në këmbë pranë saj.
– Ferrari (Gaudenzio) – Madona me fëmijën.
– Franceschini (Paolo) – Thétis që hedh fëmijën e vet në Styx, duke e kapur nga thembra. Nimfa përreth.
– Langetti, gjenovez – Shën Pjetri në burg, i ulur me trupin dhe profilin e ndriçuar mirë. Një grua pranë tij është në këmbë dhe duket se i numuron ditët që i kanë mbetur për të jetuar. Prapa, gardiani duket në hije. – Vetëvrasja e Ameleck. Ai është i shtrirë përtokë me një kurorë në kokë. Një ushtar mban në dorë një thikë që sapo e ka tërhequr nga plaga e tij e madhe, të cilën po e shikon një plak. – Urimi i Jakobit.
– Lotti (Charles) – Jakobi me rrobat e përgjakura të Jozefit.
– Merighi (Francesco) – Vdekja e Akilit. Ai është me mjekër. Një njeri që mban një hark dhe një grua, vështrojnë trupin e shtrirë në tokë.
– Monti , bolonjez – Akili që tërheq trupin e Hektorit.
– Moroni – Portret i plakut, i cili është me mjekër të bardhë dhe me pallto të zezë.
– Pellegrini (Antonio), venecian – Betimi i Gertrudës, nëna e Hamletit, një grua ende e re dhe në plan të parë.
– Piola (Domenico) – Fëmijë.
– Procaccini (Julio Cesare) – Gruaja adultere. Fajtorja është e tmerruar para Krishtit dhe ithtarëve të tij.
– Reni (Guido) – Mëshirë romane. Vajza e lumtur që po mban të gjallë të atin. – Shën Eustache, i cili është në gjunjë mes kalit dhe qenit të tij. Rreze drite në qiell dhe majtas një engjëll. – Shën Jeronimi që shkruan. Një nga mënyrat e para të pikturimit të Caravaggios. – Vestale, një grua, koka e së cilës, gjysma është e mbuluar me një vello deri te sytë. – Kleopatra, një kokë e bukur dhe me një trup në një reliev të mrekullueshëm. – Porcia. – Fëmijë i shtrirë anash;
– Ribera (Josef) – Shën Jaku me shkopin e gjatë, me një mjekër të zezë dhe një dritë të mrekullueshme. – Një filozof, një plak i thatë me supin dhe gjysmën e trupit të xhveshur. – Demokriti. Ai qesh duke treguar me gisht një vend në glob. – Herakliti, i cili bën të njëjtin xhest me gisht dhe që qan. – Shën Jeronimi.
– Rigaud (Hyacinthe) – Portret i Ipolitto Durazzo, si një kalorës simpatik dhe veshje mbrojtëse, si dhe me një kapele të gjerë si ajo e Louis XIV.
– Riobusti (Jacopo), i mbiquajtur Tintoretto – Portret i bukur i Agostino Durazzo.
– Rubens (Pierre Paul) – Portreti i tij me rroba të zeza dhe një kapele të gjerë. – Portret i Filippe IV në këmbë.
– Strozzi (Bernardo), i mbiquajtur Cappuccino – Peshkopi, një figurë në këmbë, me mustaqe të zeza dhe pa kapele, më shumë një figurë ushtaraku sesa besimtari të devotshëm.
– Vannucchi (Andrea), i mbiquajtur Del Sarto – Madona, një tablo e vogël dhe e rrumbullaktë, ku nëna dhe fëmija janë pikturuar shumë bukur.
– Vecchia (Piero) – Krishti dhe dy xhelatët.
– Vecellio Tiziano, i mbiquajtur Tiziano – Madalena, me flokë të gjata mbi gjinjtë e saj të xhveshur. – Cérès me Bachus, një nimfë si dhe Dashuria.
– Shkolla veneziane – Davidi duke marrë bekimin e Zotit nga dora e Samuelit. Davidi është shumë i ri.
– Zampieri (Domenico) – Vdekja e Adonis. – Shën Sabastiani, i lidhur pas një peme.
– Zanchi (Antonio) – Sakrifica e Jeffe, i cili është i xhveshur dhe duarlidhur. Mbreti e ka kapur për flokësh.
– Zanetti (Domenico) – Akili që merr nga duart e Thétis armët për tu hakmarrë ndaj vdekjes së Patroklit.

Në vitet 1700, koleksioni privat i Durazzo-ve përfshinte mbi 400 vepra arti të autorëve më në zë të epokës. Në këtë koleksion bënin pjesë dhe një numër i madh skulpturash, veçanërisht të skulptorëve të famshëm në atë kohë si Domenico dhe Filippo Parodi. Skulpturat e tyre, krahas skulpturës romane të Vitellius, qëndronin plot hire në mjediset e vilave të Durazzo-ve dhe së pari në „Galerinë e Pasqyrave“ (ku në dekoret e saj Nicole Kidman do të realizonte rolin e Grace Kelly në ditët tona), siç ishin veprat në mermer Metamorfosi, Stagioni apo Mito di narcisio. Gesu bambino dormento është padyshim një kryevepër e Parodit. Në fakt Durazzo-t e pëlqenin shumë dhe skulpturën e në veçanti kur ishte fjala për portretet e tyre në mermer, siç ishin portretet e Gio Luca Durazzo, Marcellino apo Stefano dhe Eugenio Durazzo. Kush më mirë se mermeri do t‘i bënte ata të përjetshëm?…

Një përshkrim akoma më interesant kemi në një botim të vjetër rreth madhështisë së Palazzo Reale Durazzo, ku jetoi kjo familje prej dy shekujsh dhe ku ishte nje nga koleksionet e mëdha të Europës dhe pronë e një familjeje të vetme: Durazzo. Ja pse vizita e këtij pallati të cilin kam patur fatin ta vizitoj dy herë bashkë me konsullin e Shqipërisë në Monako, Giuseppe Durazzo, ishte një nga itineraret e çdo udhëtari europian që kalonte nga Gjenova: Rubens, Van Dyck, Rembrandt, Tiziano, Veroneze, etj, etj, gjenitë e artit figurativ ishin aty. Duke përshkruar Pallatin Durazzo, autori shkruan:
„Ky pallat është më i madhi dhe më i denji për të qëndruar një sovran, pasi i ka të gjitha komoditetet që duhen, apartamentet e mëdha, një bibliotekë të pasur, një teatër, një oborri të gjerë dhe një perspektivë të bukur në „Via Balbi“. E ndërtuar nga dy arkitektë Piero Francesco Cantone dhe André Falcone, me shkallët e mrekullueshme prej mermeri të ndërtuara nga kalorësi Carlo Fontana, ai të tërheq me pamjen e tij. Para se të hysh në sallon janë dy portrete në bust nga Filippo Parodi, ndërsa brenda ndeshesh me dy tablo të mëdha njëra e Bertolottos, ku duket audienca e ambasadorit Agostino Durazzo tek Sulltani si dhe një tablo tjetër e Domenico Piola ku duket darka e shtruar nga sulltani për ambasadorin nga Gjenova. Ka dhe një vizatim të bukur të Agostinos mbi kalë. Pasaj shquhen dy portrete të dozhëve Vincenzo Durazzo dhe Cesare Durazzo të piktorit Sarzana. Po kështu dhe një portret tjetër i Vincenzo Durazzo nga Molinaretto.

Një tjetër dozh Durazzo është pikturuar nga Domenico Parodi. Portreti i kardinalit Marcello Durazzo është realizuar në Romë nga Morando. Galeria e vogël përballë hyrjes ka tablo të shumë autorëve me figurat e Gjon Batistit, prometeut, Herkullit të lidhur nga Cerbere, Tituis ku skifteri i ha mëlçitë, Venusi e Dashuria, „Helena“, “Enea që mban atin e tij mbi shpatulla“, etj. Në sallonin e quajtur “Giordano“, spikat tabloja „Peren që mban kokën e Meduzës“, po kështu tabloja Seneka dhe nxënësit e tij. Ka një portret të Van Dyck. Po kështu tabloja Shën Virgjëresha dhe fëmija Jezu nga Van Dyck. Në sallonin Paolo, shquhet tabloja re Paolo Veronezes, “Dreka në shtëpinë e Simon fariseut“; ka shumë buste greke, romake, si dhe një bust të Parodit. Në sallonin e quajtur “Salloni i Kohës“, ka një kube të mrekullueshme të pikturuar nga Parodi. Eshtë një tablo e Holbein, një portret i Tintorettos, një tjetër portret i Tintorettos, etj. Në “Dhomën e quajtur të Aurorës“ është një tablo e Caravaggios: „Shën Pjetri që mohon Jezunë“. Ka një figurë me veshje spanjolle të Van Dyck; po kështu një tjetër e Van Dyck „Kalorësi nga Kajro“; është tabloja „Catherina Durazzo“ e Van Dyck, një portret burri e Tintoretto-s (gjysmë e djegur), një Shën Pjetri i Guido Reni; një tablo „Burrat që luajnë dam“ e Caravaggios, një portret i Paola Durazzo nga Molinaretto. Në sallonin e quajtur Salloni i Tapiserive, ka shumë portrete të familjes Durazzo: Francesco Durazzo me fëmijët, e Parodit, Eugene Durazzo nga Molinaretto; Jerome Durazzo po nga Molinaretto;. Në “Salloni i Fundit“, është një tablo e Rubens „Junion që lidh sytë e Argos“; tabloja „Familja e Shenjtë“ e Van Dyck, “Lindja e Zotit“ nga Tiziano; „Portreti me turban“ i Rembrandt… Në Shapelën e pallatit është një tablo e mrekullueshme ku “Krishti mban kryqin“, e Tizianos, ndërsa në bodrum një kopje e “Madalenës“ së Veronezes…“


Padyshim gjithë këto tablo, vetëm brenda këtij pallati, pa folur për pallatet e tjera, kanë qenë një marramendje e jashtëzakonshme për vizitorin me sqimë dhe erudit të artit botëror, e që tregojnë dashurinë e madhe të kësaj familjeje për artin. Shumë artistë punuan në pallatin e tyre, siç ishte Van Dyck, i cili pikturoi dhe një tablo të dozhit Marcello Durazzo në këmbë, apo tablo të tjera.
Kujtoj një ekspozitë të hapur në Paris në Musée de Luxembourg për 500 vjetorin e Tintoretto-s (2018). Dhe të mendosh se tablotë e Tintoretto-s gjendeshin me shumicë në sallonet e Durazzove, e kupton menjëherë madhështinë e atij koleksioni.

Le të mos flasim pastaj për “Madalenen“ e Tizianos, për tablonë e famshme të Veronezes „Darka në shtëpinë e farisejve“, një nga më të shtrenjta, apo tablotë e tjera të Rubens, Van Dick, Guido Reni… gjithçka ishte madhështi në atë koleksion që e ishin çdo ditë para syve te atyre dozhëve Durazzo, senatorëve të kësaj familjeje që la aq shumë gjurmë në historinë gjenoveze dhe europiane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme