Nesër premiera e Javës së Xhazit Turk

16:44 | 13 Prill 2015
M. A.

Grupi “Telvin” do të bëjë hapjen e natës premierë të Javës së Xhazit Turk, që do të fillojë nesër. Java e Xhazit turk fillon në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe do të zgjasë deri me datën 18 prill. 

Edicioni i katërt i këtij festivali është organizuar nga ambasada turke, i cili sivjet është zgjeruar në pesë net, në dallim prej viteve të kaluar që ka qenë vetëm tri net.
Po ashtu, për dallim nga vitet e kaluara, ky festival më 15 prill do të mbahet edhe në Shtëpinë e Kulturës “Xhemail Berisha” në qytetin e Prizrenit dhe në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në qytetin e Gjakovës më 17 prill. Ndërsa tri netët e tjera do të mbahen në Prishtinë.

Me datën 16 do të përformojë njëri nga kontrabasistët më të mirë të Turqisë, Volkan Hursver Quartet, i cili është me prejardhje nga Mitrovica dhe ka bashkëpunim me instrumentistët më të mirë të Turqisë dhe botës.

Yalcin Ayjdin, diplomat nga ambasada turke, tha se nga sivjet ata kanë ndryshuar strategjinë e këtij festivali dhe se ata kanë dashur t’iu japin më shumë hapësirë muzicientëve lokalë.

“Siç e dini të gjithë diplomatët ndryshojnë dhe sivjet unë e kam marrë përsipër dhe do të mundohemi të ndryshojmë së shpejti shemën e këtij festivali. Sivjet ka ndryshuar strategjia dhe po duamë të ju japim hapësirë më shumë muzicientëve lokal dhe sivjet i kemi ofruar Ertan Iliaz që të jetë koordinator i festivalit dhe që nga ky vit festivali do të koordinohet nga ai. Së shpejti kam dëshirë që festivali të mos jetë nën patronazhin e ambasadës por të jetë lokal, që të gjitha funksionet të jenë nga persona lokal”, tha Ayjdin.

Ndërsa, koordinatori i kësaj Jave, Ertan Iliyaz, tha se ata janë munduar që të bëjnë shumë ndryshime dhe se në vitet e ardhshme pritet që ata të zgjerohen edhe nëpër qytete të tjera.

“Kemi kënaqësinë t’iu ftojmë, prej datës 14 deri në 18 prill do të mbahet Java Turke e Xhazit ku është organizuar nga ambasada Turke. Sivjet kemi pasur mundësi që ta zgjerojmë festivalin, vitin e kaluar kanë qenë tri net, ndërsa sivjet është bërë pesë net. Ndërsa, kemi pasur iniciativë që të mbahet edhe në qytetin e Prizrenit dhe të Gjakovës. Shpresojmë që vitin tjetër ta mbajmë edhe në Pejë edhe në Mitrovicë dhe në vende tjera. Por, krejt këto varen nga sponsorët. Fillimisht dua të them se me datën 14 premiera do të mbahet në teatrin kombëtar, ku grupi “Telvin” do të jetë në teatrin kombëtar të martën. Të gjithë koncertet do të jenë në ora 20:00 dhe të gjitha janë pa pagesë”, tha Iliyaz.

Koncertet do të mbahen çdo herë nga ora 20:00 dhe hyrja do të jetë pa pagesë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme