Google ADS

Në Prizren po punohet për edicionin e 16-të të DokuFest-it

08:39 | 8 Dhjetor 2016
Arbresh.info

Festivali më i madh i filmit të shkurtër dhe dokumentar, DokuFest, ka nisur përgatitjet për edicionin e radhës. Organizatorët qysh tani kanë hapur thirrjen për filmbërësit që me punën e tyre duan të prezantohen në Prizren verën e vitit të ardhshëm.

DokuFest njofton që ka hapur thirrjen për aplikim për edicionin e 16-të të Festivalit. Afati i fundit për aplikim është e premte, 28 shkurt, 2017.

“Ftojmë të gjithë autorët e dokumentarëve, filmave të shkurtër, animacioneve dhe filmave eksperimentalë që të aplikojnë me filmat e tyre për edicionin e 16-të të DokuFest, që do të mbahet nga data 4 deri më 12 gusht 2017 në Prizren, Kosovë”, thuhet në njoftimin e festivalit. Autorët mund të aplikojnë përmes platformave FilmFreeway dhe Reelport.

“Ne jemi në kërkim të veprave të reja të cilat eksplorojnë kufijtë, e sfidojnë publikun, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë me kreativitet”, thonë organizatorët.

Festivali DokuFest për 15 vite me radhë ka mbledhur në qytetin e Prizrenit filmbërës, aktorë, muzikantë e dashamirë të kulturës nga e gjitha bota.

Çdo vit ky Festival vjen më një koncept të ndryshëm duke tematizuar kështu probleme globale që i preokupojnë shoqëritë. Në kuadër të këtyre tematikave

shfaqen filma, ekspozita e mbahen panele e diskutime. Vitin e kaluar ky festival trajtoi problemin e migrimit kurse “Ndrysho, mos u mshef” ishte motoja e edicionit të trembëdhjetë.

Ky Festival po ashtu njihet për krijimin e mundësive për punësim, krijimin e investimeve të reja, ngritjen e të hyrave tatimore, dhe stimulimin e ekonomisë lokale përmes turizmit.

Sipas një analize të realizuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, përfituesit kryesor nga ky festival dhjetë ditor i filmit dokumentar dhe të shkurtër janë bizneset lokale në qytetin e Prizrenit, siç janë hotelet, qiradhënësit, restorantet, kafe-baret, shitësit ambulant, por edhe bizneset në nivel kombëtar, si avio-kompanitë, bankat dhe kompanitë e telekomunikacionit.

GAP thotë se duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara gjatë edicionit të vitit 2015, ishin të pranishëm më shumë se 15,000 pjesëmarrës.

Rikujtojmë se edicioni i 16-të i DokuFest-it do mbahet në gusht të vitit 2017, në qytetin e Prizrenit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme