Ndikimi i pyjeve urbane

11:42 | 8 Mars 2015
Arbresh.info

Kur mendojmë për pyjet na vjen në mendje një zonë rurale e mbuluar me pemë. Por një komunitet i vogël pranë Uashingtonit ka dëshmuar se pyjet mund të krijohen edhe në një zone urbane, mjafton që të ketë hapësirë për të mbjellur pemë.

Qyteza Forest Heights shtrihet pranë autostradës. Ajo nuk ka qendër urbane apo biznesi.

Por ky komunitet i vogël ka një kryebashkiake aktive dhe novatore, Jacqueline Goodall.

“Vizioni im është që komuniteti ynë të jetë qyteza më e gjelbëruar e Merilandit. Në fakt kjo qytezë ishte e gjelbëruar shumë para lindjes së ambjentalizmit”.  

Vizioni bazohet tek mjedise me pemë. Sot kryebashkiakja Goodall ka mobilizuar 150 studentë nga Universiteti i Marilandit për ta ndihmuar të mbjellë 500 rrënjë pemë.

Puna po bëhet pranë shkollës fillore të qytetit, e cila ndodhet në një zonë që përmbytet gjatë shirave. Pemët do të mbrojnë mjedisin përreth shkollës si dhe lagjen nga përmbytjet.

“Zona pyjore do të thithë një pjesë të ujit, pra s’do të ketë nevojë ta pompojmë ujin. Do të ketë më pak ndotje dhe më pak dëme për banorët”, thotë zonja Goodall.  

Julia Keen është një ndër studentët që marrin pjesë në këtë projekt:

“Mendoj se puna jonë sjell ndryshim, duke u treguar banorëve se po bëjmë diçka për t’i ndihmuar. Po u tregojmë fëmijëve se ne kujdesemi për komunitetin dhe u krijojmë atyre hapësirë për të lëvizur e luajtur lirisht”.

Anne Bucklew e Shërbimit Amerikan të Pyjeve ka ardhur për të analizuar punën për krijimin e një pylli urban.

“80% e amerikanëve jetojnë në zona që konsiderohen urbane. Kemi 40 milionë hektarë me pyje urbane dhe është shumë e rëndësishme t’i mbrojmë ashtu siç po veprohet në këtë komunitet”.

Që nga viti 2008, komuniteti Forest Heights ka mbjellë 1 mijë e 100 rrënjë pemë. Kur të rriten plotësisht, pemët do të ndikojnë në kursimin e energjisë, do të sjellin rritjen e çmimit të banesave të zonës, do të ulin ndotjen e mjedisit dhe do të pakësojnë ndikimin e përmbytjeve. Zonja Goodall përllogarit një përfitim prej 3 milionë dollarësh për qytetin.

“Kur e fillova projektin, mbillja pemë sepse janë tërheqëse për syrin. Me kalimin e kohës kuptova vlerën e tyre dhe tani i shoh si një investim për komunitetin”.

Banorja Betty Wilson admiron pemën dekorative që kanë mbjellë para shtëpisë së saj:

“E zbukuron shtëpinë. Më pëlqen të mbaj mirë oborrin dhe kjo pemë i jep shumë hijeshi”.

Kryebashkiakja Goodall thotë se nisma po ndërgjegjëson banorët për përfitimet në shëndet, mjedis dhe ekonomi që sjell mbjellja e pemëve. Ajo shpreson se komuniteti Forest Heights do të shndërrohet një ditë në një oaz të gjelbëruar./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme