Google ADS

Ndërron jetë Kasem Trebeshina

19:58 | 7 Nëntor 2017
Trina Galanxhi

Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, shkrimtari i njohur Kasem Trebeshina. Prej kohësh ai jetonte në Ankara të Turqisë, në shtëpinë e vajzës së tij. Trupi i tij i pajetë ka mbërritur sot në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit tek varrezat e Tiranës.

Kasem Trebeshina ka lindur në Berat me 8 gusht 1926.

I aktivizuar që në rini në Luftën Nacionalçlirimtare, pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore, që ishte homologe e OZN-së jugosllave, dhe që drejtohej nga Koçi Xoxe.

Trebeshina ndërpreu studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare.

Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës.

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare.

Thuhet se ekziston një letër e tij e njohur si “Promemorja” drejtuar për Enver Hoxhës, shkruar më 5 tetor 1953, dhe e botuar pas rënies së komunizmit, ku Trebeshina denoncon hapur vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore.

Vërtetësia e Promemories është vënë në pikëpyetje.

Një pjesë e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 në Prishtinë. Por, pjesa më e madhe e veprës së tij është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.

Për kritikët, veprat e Trebeshinës qëndrojnë ndërmjet traditës kuteliane dhe surrealizmit, por atij vetë i pëlqen ta quajë realizëm simbolik.

Vendi i veprës së Trebeshinës ne letersine shqipe mbetet ende i papercaktuar perfundimisht.

“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese e atyre që janë botuar deri më sot e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalsen” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme