Më 1984, Talking Heads incizon live-albumin “Stop Making Sense” (si dhe filmin me të njëjtin titull, me regji të fituesit të Oscarit, Jonathan Demme). Për këtë projekt, një nga më të shtrenjtit e më të veçantët në historinë e rokut, u mbajtën katër koncerte. Xhirimet u bënë me ndriçim teatri. Në fakt, gjithçka ishte… teatër!
David Bowie dhe Bryan Ferry përfaqësonin një trend përmes të cilit muzikantët duhet të veçohen edhe nga veshja. Pra, të përçonin një estetikë vizive. Ferry madje e ka pranuar se ka pëlqyer edhe ikonografinë naziste (jo veprat e tyre), filmat e Leni Riefenstahlit, ndërtesat e Albert Speerit, marshet masive me flamuj… teatralitetin!
Këtë e bënin edhe Talking Heads. Udhëheqësi i këtij grupi, David Byrne, besonte se edhe muzika duhet të interpretohet në mënyrë vizive, në një si një formë teatri.
Këtë teatër muzikor që nisi në vitet 1960 me grupet Velvet Underground në SHBA e Pink Floyd në Angli, Talking Heads – një nga grupet më origjinale e më avangarde të viteve 1980 – e vazhdoi në mënyrën e vet.
Njëzetë vjet pas projektit “Stop Making Sense”, grupi nga Kosova, Retrovizorja (Kreshnik Hoti, Bashkim Salihu dhe Elina Duni), incizon një nga albumet më të mira shqiptare të rokut, “Lakuriq”. E, më 2014, mban një mini-koncert në Prizren, si fillim… “i fundit”!?
Por, çka mund të ketë të përbashkëta ky grup me emrat e sipërpërmendur që i njeh bota?
Shumëçka e asgjë! Në rrethanat tona është e pamundur të bësh tamam teatër. Aq më shumë të vazhdosh të bësh art që nuk i përshtatet masave. Retrovizorja ishte ndër të parat grupe shqiptare që e preferonin anonimitetin; që pak e hiç e ekspozuan veten e aq më pak të investonin në video-klipe. Më shumë se vetja, kryesorja te një rok grup duhet të jetë muzika. E, muzika e Retrovizores ishte e guximshme dhe moderne – vazhdimësi unike e eksperimenteve të kohës.
Më 1997, U2 incizon albumin “Pop”, më 2000 Radiohead incizojnë albumin “Kid A”, e Sigur Ros më 2002 albumin me titullin e çuditshëm “()”. Këto tri albume i japin kah tjetër rokut dhe nënzhanreve të tij (art-rokut, rokut progresiv, rokut elektronik dhe atij alternativ). Gjithçka tutje ngjan me eksperimentet që gjermanët i bënë në vitet 1960, në atë që quhej Krautrock. S’ka rregulla dhe ky është rregulli kryesor në tentimin për të bërë diçka të mirë dhe origjinale.
Pjesë e këtij eksperimenti ishin edhe Retrovizorja, një bend sa alternativ aq psikodelik; sa konceptual aq edhe minimalist; me tema të çuditshme e harmoni jo të rëndomta… Por, që përçon një origjinalitet, guxim, anonimitet e enigmë që të bën të projektosh imazhe me muzikën e tyre – atë estetikën vizive. Kjo vërehet edhe në interpretimet me Elina Dunin në Prizren. Jo te ngjyrat dhe projeksionet në sfond, por te distanca e anëtarëve të bendit nga publiku, tek thjeshtësia në interpretim. Por, edhe te tekstet e sinqerta që e shmangin patetikën, që vështirë mbahen mend sepse janë vënë në funksion të muzikës (edhe fjalët përçojnë muzikalitet, për çka Adiemus e Vangelis e trilluan “pseudo-latinishten”).
Roku i mirë i reziston kohës. Çdo muzikë e mirë. Çdo artist i sinqertë. Çdo vepër që nuk bëhet për t’u përfolur po për t’u shijuar. E tillë është edhe krijimtaria e grupit Retrovizorja… të parit dhe të fundit kult-bend shqiptar!
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale