Muzeu i Korrupsionit në DokuFest, atraksion që vlen të vizitohet

12:22 | 12 Gusht 2016
Arbresh.info

Shumica e vizitorëve të Muzeut të Korrupsionit, që është i vendosur në kej të Lumbardhit, në qendër të Prizrenit, nuk kanë ide se çfarë do i pret brenda.

“Dëgjova që përmendet dhe erdha të shoh se për çfarë njëmend bëhet fjalë” – tha njëri nga vizitorët e shumtë. Ata i presin Lumi, aktori në filmin e nominuar për Oskar “Shok” dhe Onati, një aktor tjetër, të cilët janë udhërrëfyesit e muzeut të improvizuar.

Këta dy ciceronë të rinj e shpjegojnë secilin artifakt dhe copëz të mbetur nga “koha kur kishte korrupsion në shoqërinë tonë”. Diploma e falsifikuar me vulë të filxhanit të kafes, dollapi i stërmbushur me dojse të gjykatave, fotografi të atyre që e luftuan korrupsionin, janë këto vetëm disa prej shumë detajeve të paraqitura në këtë “muze”, për vizitorët. Këto gjësende janë të vendosura me qëllim që të krijohet iluzioni i “ecjes në një kohë kur korrupsioni mbretëronte në shoqërinë tonë”.

“Ideja e krijimit të një situate imagjinare dhe satirike si muzeu, është që të nxisim reagime nga qytetarët, që ata të kërkojnë llogaridhënie nga udhëheqësit e tyre, që të luftojnë këtë problem që po na e vështirëson jetën tonë çdo ditë e më shumë. Pse jo, edhe të krijojmë një situatë ku njëmend korrupsioni është pjesë e së kaluares tonë” – shprehet Vigan Hoxha, nga UNDP, një nga krijuesit e konceptit të muzeut.

Muzeu i Korrupsionit do të jetë i hapur deri më 13 gusht dhe është pjesë e bashkëpunimit të Projektit Anti-Korrupsion të UNDP-së dhe DokuFest-it.

Projekti Anti-Korrupsion i UNDP-së (SAEK) mbështetet nga Zyra Zvicerrane për Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme