Në librin me titull “Gjysëm shekulli me pendë në dorë”, gjendet edhe ky shkrim përkujtimor i Mustafa Krujës, për mbi vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik, që është përkthyer dhe i përgatitur nga Izber Hoti me titullin “Promemorje e denjë”.
“Atentati i paskrupullt mbi patriotin Hasan Prishtina, pa dyshim e shqetësoi shumë edhe këtë intelektual të rrallë të kohës. Shqetësimin e vet për një humbje kaq të madhe të popullit shqiptar, Mustafa Kruja do t’a shprehë hapur në një shkrim të përgatitur për botim (s’dihet u botua apo jo), që gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë në Romë (fondi Shqipëria, kutia nr. 24, fasc.5, dok.nr. 94).
Përkujtimi i Mustafa Krujës për Hasan Prishtinën është i shkruar në gjuhën italiane, me makinë shkrimi, dhe nuk ka datë as kurrfarë të dhënash shoqëruese, veç nënshkrimit të autorit. Mirëpo, mbështetur në përmbajtjen e kësaj promemorie, shihet qartë se ajo është shkruar në vitin 1933, pra menjëherë pas vrasjes së Hasan Prishtinës, ndërsa mbështetur në faktin se ky material arkivor gjendet në mes të materialeve të tjera të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Italisë, vërteton interesimin e kësaj ministrie për jetën dhe veprimtarinë e dy të përmendurve, veçanërisht këtij të fundit.
Duhet theksuar se të dhënat për qëndrimin e Hasan Prishtinës në Itali, marrëdhëniet e tij e të Dervish bej Mitrovicës me Gabriele D’Anuncion janë objektive, por këto nuk mjaftojnë që këto personalitete të konsiderohen italofilë, siç përpiqet t’i paraqesë Mustafa Kruja. Megjithatë, as ky vlerësim as edhe disa të tjera të mundshme, nuk ndikojnë në vlerën e pakontestueshme të këtij përkujtimi.
Pasi ky përkujtim u përgatit për shtypin italian, Mustafa Kruja atë e shkroi në gjuhën italiane, prandaj ai u shqipërua dhe do të botohet në tërësi, por i shoqëruar me disa ndërhyrje të domosdoshme”, thotë Hoti.
Më poshtë është kjo promemorie e hartuar nga Mustafa Kruja, sipas përkthimit dhe redaktimit të prof. Izber Hotit.
Humbja e një atdhetari të madh – Hasan bej Prishtina
Më 15 gusht të vitit, në vijim kronikës së përhershme të gjakut të Ballkanit, shtypi evropian i shtoi edhe një fakt të përgjakun. Ish-Kryetari i Këshillit Shqiptar (Komitetit Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës I.H.) u vra në një rrugë të Selanikut prej … një shqiptari tjetër.
Shtypi grek u zemërua dhe kundërshtoi. Për origjinën dhe për shkaqet e këtij atentati ai bëri komente pak a shumë të drejta. Shtypi serb nuk mundi të përmbahej dhe haptazi shprehu kënaqësi dhe festoi, duke parë se u vra një armik i shtetit të tij, të cilin e konsideronte mjaft të rrezikshëm.
Në gazetat italiane informatat për vdekjen e Hasan Prishtinës thuajse nuk u shoqëruan fare me kurrfarë komentesh për një mik të ardhshëm, ndoshta pse ai nuk pati mundësi të tregonte me ndonjë fakt të rëndësishëm një miqësi të tillë. (Teksti në fjali i shkruar në origjinal me makinë u korrigjua e u plotësua me laps disa herë. (I. H.) Mirëpo, unë jam i sigurt se pas njohjes së biografisë së tij opinioni italian do të vajtojë dyfish: për një atdhetar të madh, bir i devotshëm i një vendi që është lidhur aq ngushtë me Italinë, me interesa dhe me ndjenja të përbashkëta, si edhe për një mik besnik të saj.
Duke u përpjekur pra, të ndriçojmë figurën e Hasan Prishtinës në shtyllat e një organi të opinionit publik italian, jam i bindur se do t’i shërbejmë jo vetëm emrit të njohur të një miku tim dhe bashkatdhetari të humbur, por edhe të këtij opinioni.
Për t’a njohur mirë personalitetin, karakterin, veprën dhe ndjenjat e Hasan Prishtinës duhet të kthehemi 25 vjet prapa, dmth. në fillim të jetës së tij politike.
Jemi pra në vitin 1908.
Një i ri shqiptar, para së gjithash i ri për nga shpirti, energjia dhe impulsi, sapo kishte filluar karrierën e tij politike si deputet në Parlamentin e Perandorisë Osmane, që revolucioni i osmanëve të rinj (xhonturqve) e kishte nxjerrë nga varri, ku e kishte varrosur një kohë të shkurtër porsa kishte ardhur në fron Abdyl Hamiti II. Ai në këtë parlament shkonte për të përfaqësuar popullatën e Kosovës, e cila pasi ishte ribashkuar në Ferizaj, i dha grushtin e fundit despotizmit shekullor e të përgjakshëm të sulltanëve të Stambollit, duke i dhënë fund kundërvënieve ndaj padronit perandorak mbi dyzet milionë shtetasve myslimanë e të krishterë, turq e jo turq. Mirëpo, Hasan Prishtina, në atë kohë 30 vjeç e i ngazëllyer mjaft nga patriotizmi, nuk e kuptonte mandatin e tij si instrument për sendërtimin e interesave shekullore të krahinës së tij, të cilën e donte shumë me atë laramani popujsh, që quhej Perandori Osmane. Në të vërtetë, ai në Parlament mbronte vetëm të drejtat e një populli, popullit të vet shqiptar, i cili ishte i shtypur, por jo edhe i nënshtruar.
Perandoria Osmane me zgjedhën e saj të përgërë përpiqej që këtë popull t’a linte në errësirën e padijes, me qëllim që të mos njihte të kaluarën e vet të lavdishme, që nga koha e heroit Skënderbe. Për këtë arsye, populli shqiptar ishte i vetmi popull të cilit i qe ndaluar, rreptësisht, duke zbatuar ndëshkime të jashtëzakonshme, të shkruante e të lexonte në gjuhën e vet, të kishte shkollat e veta. Ja pse intelektualët shqiptarë përkrahën dhe dhanë kontributin e tyre të madh për Lëvizjen e Osmanëve të Rinj, për proklamimin e Kushtetutës, e cila duhej t’u jepte dhe t’u garantonte të drejta të barabarta të gjithë popujve, të gjithë osmanëve. Shqiptarët, që në këtë kohë përbënin 80 për qind të popullsisë së territoreve të katër vilajeteve të dikurshme osmane, të Kosovës, Manastirit, Janinës e të Shkodrës, të cilët janë “pasardhësit më të drejtpërdrejtë dhe ndoshta më të pastër të popullatës më origjinale të mbarë krahinës”, shpresonin se do të mund të njohin e të mësojnë lirisht veçoritë e tyre (kombëtare – I.H.), të kenë institutet e kulturës kombëtare, që hap pas hapi dhe pas një fati të mirë të fitojnë edhe lirinë.
Mirëpo, rrugën e shqiptarëve, e fatale për Perandorinë Osmane, osmanët e rinj donin t’a pengonin me çdo kusht, duke shfrytëzuar mënyrat edhe më të rrepta se vetë Abdyl Hamiti. Për këtë arsye, shqiptarët nxituan thuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, si dhe në qendrat e tjera të Perandorisë, ku gjindej nji bërthamë sado e vogël e bashkatdhetarëve të tyre me entuziazëm të papërmbajtur, të hapin shkolla private dhe çerdhet e tyre kulturore. Kudo gëlonin mësimdhënësit e papritur të cilët, krahas arsimimit në ndonjë gjuhë të huaj, turke, greke ose italiane, kishin mësuar vetë dhe fshehurazi të lexonin e të shkruanin në gjuhën e vet. Në Elbasan, qendër gjeografike të territorit aktual të shtetit shqiptar, u themelua një institut mësuesish për përgatitjen e personelit didaktik kompetent. Një shoqëri kulturore, me qendër kryesore Korçën, kishte për detyrë të sigurojë mjetet e nevojshme financiare për mbajtjen e këtij dhe të institucioneve të tjera me karakter të përgjithshëm. Kongresi i posaçëm, i organizuar në Manastir, do të tumirë një alfabet thjesht latin, karshi alfabeteve të ndryshme të përdorura deri atëherë për gjuhën shqipe.
Thënë shkurt, rëndësia e arsimit është çmuar mjaft si element vital për ardhmëninë e kombit të tyre. Luftëtarët për liri zgjodhën kështu rrugën e përgatitjes, por të sigurtë, mirëpo osmanët e rinj nuk lëshuan pe. Ata shohin qartë qëllimin përfundimtar të këtij ngazëllimi me karakter thjesht kulturor. Duke shfrytëzuar mjete e arsyetime të ndryshme osmanët e rinj filluan shtypjen në të gjitha fushat, e cila u pasua me kërcënime e intriga të llojshme, si dhe me mbylljen e shkollave dhe të çerthujve kombëtarë.
As kjo nuk mjaftoi, prandaj ata organizuan ekspedita ushtarake në të gjithë Shqipërinë, pastaj luftëra të përgjakshme, varje, burgosje shumëvjetëshe, fishkëllima publike të të gjithë shqiptarëve që kishin guxim të mos mohonin gjuhën dhe kombin e tyre.
Luftëtari i ri, deputeti Prishtina (Hasan beu i takonte një familjeje fisnike nga Vushtrria, rrethi i Prishtinës, që dikur bënte pjesë në Vilajetin e Kosovës. Meqë ishte zgjedhur deputet i kësaj krahine mori mbiemrin e bashkësisë elektorale: Prishtina – shënimi i autorit), ishte shumë aktiv, i palodhshëm, punëtor e luftëtar këmbëngulës, në këtë luftë të rreptë ndërmjet shqiptarëve e turqve, ndërmjet drejtësisë e forcës. Fjala, pena dhe kuleta e tij ishin në dispozicion të çështjes kombëtare. Në tribunën e Parlamentit ai është Jupiter që me gjëmimin e tij ua ktheu mbi kokë të gjitha vetëtimat armiqve të popullit shqiptar. Një ditë, me rastin e një interpelance për ngjarjet e përgjakshme në Shqipëri, vezirit të madh Haki Pashës, ia ktheu përafërsisht kështu: “Sikur në këtë vend të mbretëronte drejtësia për të gjithë, ju sigurisht nuk do të gjendeshit në krye të kësaj qendre ministrore, por në bankën e të akuzuarve para Portës së Lartë. Meqë këtu secili detyrohet të ndajë drejtësi sipas qejfit të vet, unë ua tërheq vërejtjen se po qe se do të vazhdoni shtypjen tuaj kriminale kundër popullit shqiptar, ai do të dijë t’i mbrojë të drejtat e patjetërsuara kombëtare, kurse un do të jem paralajmëruesi i parë i kryengritjes së tij të shenjtë.”
Dhe vërtet e mbajti fjalën. Hasan Prishtina ishte organizatori i parë i kryengritjes së madhe kosovare që filloi disa muaj para shpalljes së luftës, të cilën shtetet ballkanike e bënë kundër Turqisë e që mbaroi me çlirimin e tërë Shqipërisë veriore, duke përfshirë Shkupin nga ana e kryengritësve. Pse frutet e këtij suksesi të madh nuk qenë adekuate me sakrificat e popullit shqiptar dhe me qëllimet e Hasan Prishtinës dhe të shokëve të tij të afërt, faji duhet kërkuar vetëm te disa prijës injorantë, të cilët, të helmuar nga propaganda e korruptuar me të holla nga armiqtë e interesuar, fanatizuan masën dhe e shtynë atë të kundërshtojë kërkesën për autonominë e Shqipërisë integrale me përcaktimin e kufijve etnikë. Një propagandë e tillë mbështetej në frikën naive se shqiptarët në trojet e tyre, duke vepruar kështu, do të bëheshin pre e lehtë e fqinjëve të pangopur. Në këtë mënyrë, autonomistët me në krye Hasan Prishtinën dhe idealistin e madh Bajram Curri, do të kënaqeshin me disa privilegje thjesht kulturore – administrative, pa asnjë peshë politike mbi fatin që duhej t’i takonte Shqipërisë menjëherë pas fitores së armës ballkanike mbi Turqinë.
Që Hasan beu synonte themelimin e një shteti autonom e vërteton qartë propozimi i tij, që më parë i bëri Komitetit Maqedon për të siguruar bashkëpunimin e kryengritësve bullgarë të Maqedonisë dhe atyre shqiptarë, mbështetur në një program autonomist të një shteti shqiptaro-maqedon. Ky propozim iu bë zotit Pavlov, kryetar i sektorit të Shkupit të kësaj organizate dhe deputet i kësaj krahine në Parlamentin turk, më vonë ministër i plotfuqishëm i Bullgarisë pranë qeverisë së Princ Wied-it të Shqipërisë. Mirëpo, për fat të keq, Komiteti Maqedon e refuzoi propozimin e Hasan Prishtinës, që ishte plot mençuri e me largpamësi politike.
Gjatë Luftës ballkanike, Hasan beu u gjend në tubimin elektoral në afërsi të kufirit të vjetër serb. Shkapërderdhja e ushtrisë turke, për shkak të kryengritjes shqiptare, lehtësoi shumë synimet ushtarake të armiqve të Shqipërisë. Falë këtyre rrethanave, serbët përparuan rrufeshëm në Kosovë. Hasan Prishtina u zu (nga forcat e armatosura serbe – I.H.). U lirua vetëm pas paqes në mes të aleatëve ballkanikë dhe të Turqisë. Pas këtij lirimi, Hasani erdhi në Shqipëri, duke lënë shumë pasuri në Kosovë, të cilën ia konfiskuan serbët. U kthye, pra, në Shqipërinë e lirë, të pavarur, të cilën e kishte ëndërruar, por me zemër të copëtuar për shkak të humbjeve të pjesëve më të mira t’atdheut, veçanërisht të Kosovës, ku i mbetën kujtime të shumta personale e kombëtare. Përpiqej t’a ngushëllonte vetveten me sendërtimin e pjesërishëm të ëndrrave të veta dhe vazhdimisht shpresonte.
Në Konferencën e Londrës, nga Fuqitë e Mëdha Shqipëria u formua si principatë e pavarur e sunduar nga princi Vilhelm Wied. Me të arritur në Shqipëri, prijësi emëroi qeverinë e tij të parë e të fundit me plakun Turhan Pasha në krye. Veç Esat Toptanit, dr. Turtullit, Filip Nogës dhe Myfid bej Libohovës, në këtë qeveri bënte pjesë edhe Hasan bej Prishtina, ministër i Postës dhe i Telegrafit.
Në Shqipërinë Qendrore shpërtheu kryengritja reaksionare e myslimanëve fanatikë, e nxitur nga elementët e jashtëm e të brendshëm e me qëllime të ndryshme. Princi e anëtarët e qeverisë u detyruan t’a braktisin vendin. Mirëpo, Hasan beu nuk deshi të dilte jashtë atdheut. Kishte dy muaj që Lufta (e Parë Botërore – I.H.) kishte marrë flakë, prandaj Hasan Prishtina mendonte se në këto rrethana misioni i tij patriotik ishte brenda dhe jo jashtë vendit. Në limanin e Durrësit mori një proskaf italian dhe bashkë me Bajram Currin, që ishte komandant i trupave vullnetare kosovare, i shkoi në ndihmë princit dhe pavarësisë kombëtare. Që të dy të shoqëruar nga një grup nacionalistësh e nga disa vullnetarë, zbarkuan në Shëngjin. Pasi kaloi nëpër Mirditë, Hasan Prishtina u vendos në Lumë, në afërsi të Prizrenit, ndërsa Bajram Curri vazhdoi rrugën në kështjellën e tij, quhet Krasniqe, afër Gjakovës. Qëllimi i tyre ishte i qartë. Serbët, pushtuesit e Kosovës shqiptare, ndiqeshin nga ushtria austro-hungareze që me siguri do t’a pushtonte atë territor.
Pra, duhej vepruar në mënyrë që t’i tregohej pushtuesit t’ardhshëm, edhe me ndonjë veprim t’armatosur karakteri shqiptar i kësaj krahine. Organizohen çeta dhe Hasani sulmon kufirin serb, mori disa fshatra, përparoi më tej dhe u gjind pikërisht në muret e Prizrenit. Serbët e kuptojnë menjëherë rrezikun që u kanosej. Nëse do të lejonin që në çetat shqiptare të binte edhe një qytet i vetëm, do të shihnin si do të ngrihej e gjithë popullata e Kosovës prej Shkupi në Sanxhak, që ishte mu plani i prijësve Hasan Prishtina e Bajram Curri. Për këtë arsye, serbët nxituan të bënin një ekspeditë të madhe ndëshkuese, duke rrënuar me zjarr e armë tërë ato krahina malore, që sot përbëjnë prefekturën shqiptare të pagëzuar me emrin e Kosovës, ngase nën sundimin osman ajo bënte pjesë në Vilajetin e gjerë të Kosovës.
Mirëpo, ndërmarrja e këtyre personaliteteve ani pse pa ndonjë rëndësi të madhe ushtarake, arriti plotësisht qëllimin e përcaktuar politik. Me këtë vepër, në të vërtetë tërhoqën vëmendjen e Qeverisë së Vjenës dhe të Komandës Austro-Hungareze. Kështu, meqënëse tërë territori serb qe i okupuar nga austriakët, Hasan Prishtina e Bajram Curri kishin besim të madh në komandën e pushtuesit dhe kështu ata arritën t’i sigurojnë krahinës së Kosovës administrim të pastër civil shqiptar në të gjitha qytetet, si dhe në shumë fshatra ku u hapën shkolla në gjuhën shqipe, që funksionuan gjatë tërë pushtimit austro-hungarez.
Nga të dhënat që u përmendën më sipër, është fare e lehtë të kuptohet se Hasan Prishtina ishte një mik i sinqertë i Austro-Hungarisë. Kjo perandori i garantoi Hasan Prishtinës se po qe se do të fitojë ana e saj, Shqipëria do të bashkohet në kufijtë e saj etnikë. Mirëpo, Perandoria Austro-Hungareze nga lufta e madhe doli e bërë copë e grimë. Shqipëria mbeti e vogël e cunguar, ndërsa Kosova, u dënua përsëri të vajtojë nën zgjedhën e huaj. Megjithatë, duhej shpresuar se kjo shpresë duhej të bëhej e përhershme. Edhe pse në këtë kohë u kthye gjendja e vitit 1913, nuk do të thoshte se ajo nuk mund të bëhej përtëritja e gjendjes së vitit 1916, kur u duk se fati u buzëqeshi shqiptarëve.
Pasi shpresa, sidomos ajo e politikanit, duhet të ketë njëfarë mbështetje në realitet, Hasan Prishtinës, edhe pse idealist, nuk mund t’i përvidheshin situata reale. Ai hetoi se bazë mbi të cilën mund t’a mbështeste çdo shpresë të irredentistit dhe atdhetarit të madh shqiptar, duhej të drejtohej nga Roma. Ai nuk mund të mos e dinte simpatinë që populli shqiptar kishte gjithmonë ndaj Italisë, si dhe marrëdhëniet e tij historike me shtete të ndryshme italiane, prej Venediku deri në Napoli.
Ai e dinte se ajo që bëri diplomacia italiane në Konferencën e Londrës në dobi të pavarësisë shqiptare, nuk ishte më pak e vlefshme nga ajo e Ballplatz-it. Rrethanat e luftës e kishin shtyrë Hasanin që të drejtohej më shumë kah Vjena se sa kah Roma.
Kështu veproi për shkak se vetëm në këtë mënyrë mund të zhvillonte një veprim në dobi të popullsisë së tij të shtypur. Pasi Perandoria e Habzburgëve u shkatërrua, gjendja ndryshoi. Hasan beu e dinte se e vetmja fuqi që do të përkrahte të drejtat shqiptare ishte Italia. Për këtë arsye, pas pushimit të armëve, Hasan Prishtinën e shohin në Romë. Ai këtu nuk erdhi t’i kërkojë ndihmë Italisë në dobi të Kosovës në këto rrethana, sepse e dinte se Italia gjatë luftës qe aleate e Serbisë, por të paktën të thoshte fjalën e saj në dobi të Shtetit shqiptar, siç ishte definuar në periudhën e paraluftës.
Ai kaloi disa muaj në kryeqytetin italian dhe pastaj u kthye në Shqipëri.
Veprimtaria që zhvilloi në këtë periudhë Hasan Prishtina, qoftë në atdhe ose jashtë tij, ka vulë të qartë të patriotizmit dhe të miqësisë më të sinqertë ndaj Italisë. Ai ndihmonte sa dinte gjithmonë qeveritarët, që të evitonin ngatërresat e çdo lloji, që paraqiteshin në rrethanat e pasluftës, kërkonte të eliminoheshin armiqësitë dhe synimet e planeve të elementëve kundërshtarë, si edhe luftonte intrigat e pandërprera të jashtkufijve, që bëheshin me qëllim të nxitjes së turbullirave në vend.
Në kohën e Konferencës së Paqes, Hasan beu shkoi sërish në Romë, kur mendoi se synimet italiane me ato jugosllave ishin të kundërta. Mirëpo, ai hetoi menjëherë se këto mospajtime nuk ishin të natyrës që do të ndikonin në çështjen e Kosovës. Atëherë shkoi në Rijekë dhe iu paraqit D’Anuncios, që menjëherë i bëhet idhull e për të cilin fiton simpati të madhe.
Më vonë, me një mik të vetin, Dervish be Mitrovicën, shkoi që të marrë pjesë në një komitet irredentist të shqiptarëve, bullgarëve, malazezëve, kroatëve e të hungarezëve të Vojvodinës, të themeluar nën mbrojtjen e poetit – ushtar i madh (Gabriele D’Anuncio – I.H.). Punon me pasion idealist dhe kështu fiton admirimin e komandantit të madh. Asgjë nuk i dukej më e çmuar në marrëdhëniet personale dhe asgjë nuk e mbronte sa nderi që ishte mik i një italiani të madh që shihej e shoqërohej me kujtimet që kishte për të, si dhe letrat që kishte marrë prej tij, të cilat ishin plot dashuri për popullin shqiptar.
Në verën e vitit 1920, Shqipëria sulmohet tradhtisht nga bandat serbe, që e rrezikuan edhe vetë qytetin e Shkodrës. Hasan beu është atje, pranë Bajram Currit i cili fiton famën e Garibaldit shqiptar e që komandon edhe kësaj radhe vullnetarët kosovarë në mbrojtje të atdheut të tij. Luftëtarët nuk mungojnë dhe janë të gatshëm të sakrifikohen për çdo pëllëmbë të tokës kombëtare. Mirëpo, flitet se mungon materiali luftarak; ka vetëm pak municion, nuk ka mjaft pushkë për të gjithë luftëtarët, asnjë ton. Çfarë bën qeveria?
Hasan Prishtina shkoi në Tiranë. Bisedoi me qeveritarët: “Çka bëni? Përse nuk dërgoni material? Me çka duhet të luftojnë këta rimarrës e shqipe të bjeshkëve të saj?”. Këta fatkëqinj të Qeverisë janë të zënë ngushtë e përgjigjen: “Ku t’a gjejmë materialin. Edhe shtëpitë janë të zbrazëta!”. “Do të provoj unë t’ua gjej këtë material të nevojshëm dhe atë pa asnjë qindarkë”. Qeveritarët e mjerë mbetën të habitur duke parë njëri-tjetrin. “Veproni, pa do t’u jemi mirënjohës”, i thanë patriotit të madh, por me një mosbesim të tepruar dhe jo pa ironi, të cilën nuk mundën t’a fshihnin. “I shërbej atdheut tim”, tha tjetri e shkoi.
Pas disa ditëve, ja, në limanin Medua dy barka të mëdha plot me materiale të ndryshme luftarake, të ardhur nga Rijeka: dhuratë e çmuar për Shqipërinë në atë kohë prej një miku të madh, të cilën e dërgoi vetëm mbështetur në fjalën e Hasan Prishtinës. Dervish bej Mitrovica, i ngarkuar me këtë mision nga D’Anuncio, zbriti shpejt për t’ia sjellë mikut lajmin e gëzuar. Miku njofton Qeverinë dhe lut atë që të shpejtojë shkarkimin, duke zbatuar urdhrin e autoriteteve të limanit, dhe për këtë arsye të dërgojë një numër punëtorësh.
Të nesërmen në Medua, arrin komandanti i xhandarmërisë së Shkodrës. “Ku janë punëtorët? As këta pak punëtorë që janë këtu nuk mund të punojnë, sepse leja për zhgarkim ende nuk ka arritur”, i tha Dervish beu komandantit sa e pa. “Unë këtu kam ardhur që të pengoj shkarkimin, qeveria ka urdhëruar që materiali të kthehet prapa”, ia ktheu komandanti.
Tradhtia? Mos vallë serbët kanë pushtuar Shkodrën? Edhe Tiranën? Asgjë nuk merret vesh. Dervishi vazhdon të telefonojë: thërret Hasanin e ai Tiranën. Nga ministrat dëgjohen përgjigje të turbullta e konfuze: “Qeveria ka urdhëruar ashtu si ka thënë komandanti i xhandarmërisë. Ajo e refuzon materialin. Është e detyruar t’a refuzojë, mirëpo ajo nuk mund të shpjegojë motivin, çështje shteti…” Hasanit të mjerë i copëtohet zemra. Merr një makinë e niset për Tiranë.
Ministrat e zotë, me dhëmbë të shtrënguara ia thonë arsyen e Qeverisë: Beogradi ka protestuar. Atdhetari i madh përpiqet më kot t’ua shpjegojë atyre arsyen shteti kundër arsyes së shtetit. Çdo gjë iu bë e qartë dhe shkoi tejet i dëshpëruar, mirëpo duke u betuar në përbuzje të përjetshme, në urrejtje të përjetshme. Përbuzje dhe urrejtje që i mori deri në varr e që u bënë shkaku i vdekjes së tij të përdhunshme e të hershme.
Në dhjetor 1921, Hasan Prishtina bashkëpunoi me një grup atdhetarësh të tjerë në një përpjekje që e solli atë në Presidencë të këshillit. U detyrua të ikë në brendì të vendit, ku qëndroi gati dy vjet. Pastaj kaloi në Itali. Qëndroi në Romë disa muaj, kur u bë një ndërrim në qeveri, të cilin edhe vetë e kishte dëshiruar.
Kjo qeveri i mundësoi atij kthimin në atdhe, mirëpo, pas gjashtë muajsh, partia kundërshtare kthehet sërish në pushtet dhe ai është i detyruar prapë të marrë rrugën e mërgimit. Që atëherë jetoi larg atdheut të adhuruar: në Itali, Austri, Francë, Stamboll, dhe në fund në Budapest. Disa javë para mbarimit tragjik të tij, kishte shkuar në Selanik për të rregulluar disa çështje të pasurisë së patundshme që kishte atje, si dhe për të parë nënën e tij plakë dhe të vëllanë.
I besoi vrasësit, i cili iu paraqit si mik. I besoi para së gjithash ngase ai ishte irredentist e një irredent nuk do të mund të ishte kurrë një shpirt i shitur te armiqtë e irredentizmit. Dhe, e pagoi tragjikisht gabimin. Vdiq me dashurinë e atdheut. I kurorëzoi me flijim të lartë sakrificat e 25 viteve në altarin e idealit më të pastër. Me vrasjen e Hasan Prishtinës irredentizmi shqiptar humbi një prijës trim, Shqipëria një bir të devotshëm e guximtar, ndërsa Italia njërin ndër miqtë më besnikë në Shqipëri.
Tentim vrasje në Gjilan/ Një burrë sulmohet nga disa persona...
Gërvalla dënon sulmin në Magdeburg: Populli i Kosovës është ...
Pritjet deri në një orë për të hyrë në Kosovë nga Merdarja
Ishte e fejuar, Lela thotë se e pret Leon jashtë për t’ia th...
Veprimet në Siri, dy senatorë amerikanë propozojnë sanksione...
6 veprime që duhet të ndalosh së bëri në mëngjes