Ministria s’i përgjigjet kërkesës për anulimin e vendimit të çmimeve teatrore

09:09 | 27 Maj 2015
Arbresh.info

Ministria e Kulturës nuk u është përgjigjur ende ankesave ndaj vendimit të jurisë për çmimet vjetore për teatër, i bërë publik në Ditën Botërore të Teatrit më 27 mars.

Me çmimin për vepër jetësore ishte nderuar regjisorja Melihate Qena. E për katër çmime të tjera nuk kishte fitues. Juria s’kishte mundur të gjente shfaqjen më të mirë, regjisorin më të mirë, aktorin ose aktoren më të mirë dhe shfaqjen më të mirë për përfaqësim ndërkombëtar. Ky fakt ishte konsideruar si dëshmi për krizën e skenës teatrore në vend.

Anëtarët e jurisë, aktori Bislim Muçaj, bashkë me Agim Selimin, Musa Ramadanin, Besim Rexhajn e Naser Shatrollin, kishin qenë unanimë sa i përket ndarjes së çmimeve, pos atij për përfaqësim ndërkombëtar. Dy ditë më pas në adresë të MKRS-së kishte arritur një ankesë nga teatri laborator “Loja” dhe “Qendra Multimedia”. Këto dy institucione të pavarura kulturore nuk ishin pajtuar me vendimin e jurisë, shkruan KD.

Por MKRS-ja, pavarësisht që kanë kaluar gati dy muaj pas ankesës, nuk i është përgjigjur asaj. Madje regjisores Melihate Qena ende nuk i është dorëzuar çmimi, që ka shpërblimin prej 5 mijë eurosh. Për çmimet e tjera juria kishte thënë se kanë aplikuar gjithsej tri shtëpi private teatrore me katër shfaqje.

“Për këtë çështje drejtojuni departamentit përkatës dhe komisionit. Kabineti politik i ministrit nuk përzihet në këtë çështje”, ka thënë Ndue Ukaj, zyrtar për informim në MKRS.

Kryetari i jurisë, regjisori Agim Selimi, ka thënë se kjo çështje është punë e kryer.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme