Google ADS

Ministri Shala viziton shtëpinë e Xhafer Devës pas zjarrit që shpërtheu të shtunën

20:15 | 31 Mars 2015
Arbresh.info

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Shala, me një pjesë të ekipit të tij, ka qëndruar të martën pasdite në Mitrovicë, ka parë nga afër shtëpinë e Xhafer Devës, pas zjarrit që shpërtheu të shtunën në këtë objekt.
Ai është njoftuar për gjendjen aktuale të objektit, nga drejtori i kulturës në Komunën e Mitrovicës, Ardian Kavaja, drejtori i urbanizimit, Sami Zeka dhe drejtoresha e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Rrezarta Loxha.
“Jemi sot këtu që të shohim nga afër gjendjen e objektit, por edhe të njoftohemi me konstatimet e komisionit për gjendjen e objektit dhe mundësitë për renovimin e tij. Nga zyrtarët e komunës u njoftuam në detaje rreth kësaj çështjeje, ku dëmet e shkaktuara konsiderohen të mëdha, por është shumë me rëndësi që gjendja statike e objektit është e mirë dhe ka mundësi të restaurimit të shtëpisë, e cila është pjesë e programit të ministrisë për restaurim gjatë këtij viti”, tha ministri Shala.
Sipas tij, fillimisht janë ndarë 115.000 euro për restaurim, mirëpo pas dëmeve që ka pësuar objekti, kjo shumë është e pamjaftueshme, kështu që duhet bërë edhe një vlerësim shtesë për të përcaktuar shumën e nevojshme për kryerjen e punëve.
Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ministri Shala ka vizituar edhe Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica, për të shikuar mundësit e mbështetjes së dy projekteve, për rregullimin e çatisë së objektit dhe dyerve e dritareve të jashtme, si dhe Palestrën e Sporteve “Minatori”, ku janë vonuar punimet në renovimin e saj.
Shala është angazhuar që punët në këtë objekt të kryhen sa më parë dhe palestra të rifunksionalizohet në mënyrë që mos të pësojnë sportistët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme