Google ADS

Mbi totalitarizmin dhe gënjeshtrën

09:57 | 4 Shkurt 2020
Arbresh Info

Nga: Hannah Arendt (pjesë nga biseda me shkrimtarin francez Roger Errera, bërë më 1974)
Përktheu: Sajaldin Salihu

Totalitarizmi

Totalitarizmi fillon me përbuzjen e gjërave që i keni. Pason mendimi: “Gjërat patjetër duhet të ndryshojnë, të bëhet më mirë sesa është”. Sunduesit totalitarë e organizojnë këtë lloj ndjeshmërie masive dhe, duke e organizuar, e artikulojnë në atë mënyrë sa t’i shtyjnë njerëzit që ta duan.

Njerëzve dikur u është thënë “mos vritni” dhe ata nuk kanë vrarë. Tani u thuhet “vritni” dhe ata, edhe kur mendojnë se kjo është diçka e keqe, e bëjnë, sepse kjo bëhet pjesë e kodit të sjelljes. Ata mësojnë se kë duhet ta vrasin dhe si ta vrasin dhe si ta bëjnë këtë bashkërisht. Ky është “gleichschaltung”, pra proces i bashkëpunimit. Ju bashkëpunoni jo me të fuqishmin, por me fqinjin tuaj – jeni i koordinuar me shumicën. Por, në vend se të komunikoni me të tjerët, tani jeni ngjitur me ta. Dhe, natyrisht, keni një ndjenjë fantastike. Totalitarizmi zgjon nevoja shumë të rrezikshme emocionale te njerëzit që jetojnë në një izolim të plotë dhe të frikësuar prej njëri-tjetrit.

Gënjeshtrat

Gjithçka mund të ndodhë prej çastit kur nuk kemi shtyp të lirë. Totalitarizmi ose çdo lloj diktature e krijon situatën kur njerëzit të mos mund të informohen. E si mund të keni mendim për diçka nëse nuk jeni i informuar? Nëse ju gënjejnë prore, atëherë pasoja e kësaj nuk është se do t’u besohet gënjeshtrave, por pse askush nuk do të besojë më në asgjë. Kjo ndodh sepse gënjeshtrat, për nga thelbi, doemos duhet të ndryshohen dhe qeveria që gënjen doemos duhet ta shkruajë historinë e vet, duke e nisur gjithçka nga e para. Kështu lind jo vetëm një gënjeshtër, me të cilën do të jetoni deri në fund të jetës, por edhe një numër i madh gënjeshtrash, varësisht se kah fryn era politike. Dhe një popull që nuk mund t’i besojë askujt ai nuk mund as të marrë vendim. Ai nuk është i privuar vetëm nga kapaciteti për të ndërmarrë ndonjë aksion, por edhe nga kapaciteti për të menduar dhe gjykuar. Dhe me këtë popull ju mund të bëni çfarëdo që dëshironi. /Revista “Akademia”

Të ngjashme