Librat për Skënderbeun, ndër më të rrallët në Bibliotekën e Kongresit amerikan

00:04 | 3 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Në Bibliotekën e Kongresit në Washington, ruhen disa libra të rrallë për Skënderbeun.

Grant Harris, drejtor i Sektorit të Evropës, i tha Zërit të Amerikës se këta libra janë ndër më të rrallët në fondin e Bibliotekës. Dy prej librave u ekspozuan në Washington me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Harris thotë se sigurisht ka shumë libra për historinë e Skënderbeut të botuar në vitet 1500 dhe 1600 dhe një nga librat e paraqitur këtu është mjaft i rrallë, i vitit 1596.

“Skënderbeu u bë një legjendë e vërtetë në Evropën Perëndimore, prandaj për të u botuan aq shumë libra. Për mbrojtjen e Evropës nga turqit, ai njihet si udhëheqës ushtarak i jashtëzakonshëm”, thotë Harris.

Libri, shpjegon Harris, është përkthyer nga varianti frëngjisht. “Në bibliotekën tonë e kemi edhe botimin origjinal. Por ka një shtesë që nuk është në variantin frëngjisht. Është fjala për një sonet të Edmund Spencerit, janë gjithsej 14 vargje me lavdërime për bëmat e Skënderbeut”, ka thënë ai.

Harris paraqet një libër tjetër që është edhe më i vjetër; është i botuar në vitin 1541 nga shtëpia Aldus.

“Sigurisht, është i shkruar në latinisht”, thotë ai.

Libri, shpjegon Harris, përmban informacione nga dy autorë, të cilët pothuajse me siguri i bazojnë të dhënat e tyre te ato që ka shkruar Marin Barleti./VoA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme