Ndoqi nga afër parada e marshime, u zuri pritë parukierëve dhe refuzoi të largohej nga vendi i shembjes së kullave binjake pas 11 shtatorit. Joel Meyerowitz tregon shkrepjet e tij më tronditëse.
Një ditë, 55 vjet më parë, Joel Meyerowitz po ecte rrugëve të qytetit të tij të Lindjes, New Yorkut, me një kamera 35mm kur i kapi syri diçka përmes një dritareje që e ndaloi në vend. Një grua e re po qëndronte me kurriz nga ai, duke krehur flokët e të dashurit të saj, ashtu si – siç Meyerowitz imagjinoi – ia kishte krehur kukullës së saj kur kishte qenë vajzë e vogël.
Teksa qëndron i ulur pranë zjarrit në hangarin e shndërruar në shtëpi në Toskanë, në muzgun e një pasditeje shkurti, Meyerowitz risjell atë që ndodhi më pas.
“U afrova, fshehtaz sa munda, dhe u përpoqa të fiksoj intimitetin e atij momenti. Isha shumë i turpshëm dhe përdora gjithë guximin- nëse nuk do të kishin qenë xhamat e dritares, ndoshta nuk do të isha afruar dot aq shumë”.
Në shtypin e fotografisë, djali vështron nga errësira drejt kamerës me vetullat e ngritura, një moment ndjeshmërie që vetëm një sekondë më pas mund të kishte shpërthyer në zemërim ndaj ndërhyrjes së Meyerowitzit. Dhe, me gjasë, fotografi do të ishte dëbuar me shkelma.
Ky ishte një ndër imazhet e para të fotografit amerikan të rrugës. Ajo që të trondit në këtë imazh nuk është aq trimëria e kapjes së momentit. Cartier-Bresson tekefundit ishte bërë i njohur duke bërë pikërisht këtë dhe Meyerowitz ndiqte rrugën e francezit. Më shumë se trimëria, momenti i kapur ishte me ngjyra.
Meyerowitz ishte përfshirë në fotografi më herët atë vit, kur si regjisor i ri arti u bë dëshmitar i një sesioni për reklama nga fotografi i madh amerikan, Robert Frank.
“Mënyra sesi ai valëviste dorën poshtë e lart ndaj vajzave që po fotografonte, ishte si një ndriçim për mua”.
Deri në atë ndriçim të mendjes, Meyerowitz kishte qenë i sigurt se çfarë dëshironte të bënte me jetën e tij. Ai ishte duke studiuar me kohë të pjesshme për master në historinë e artit dhe përpiqej të bënte diçka në pikturën abstrakte. Pasi pa Frankun duke punuar, u kthye tek agjencia e reklamave atë pasdite dhe dha dorëheqjen.
Që nga fillimi, Meyerowitz dhe miku e fotografi tjetër i tij, Garry Winogrand, donin të eksploronin erotikën e rrugës: “Nxehtësinë e vështrimeve midis njerëzve; misteri në ajër që vjen nga kapja e momenteve kalimtare”.
Në librin e tij të ri autobiografik fotografik, “Where I Find Myself” (“Ku e gjej veten”), Meyerowitz shkruan për ato ditë të largëta të jetës së tij: “Na pëlqente të ndiqnim lojën e dritës… vështronim ndryshimin e stinëve dhe sesi rrobat nisën të bëhen më të lehta… jetonim dhe merrnim frymë përmes fotografisë… ndjeheshim pjesë e lëvizjes që po e bënte fotografinë më interesante se kurrë më parë”.
Por, së pari duhej të tejkalonte turpin. Këtë e bëri këtë me projektin e tij fillestar duke shkrepur foto të kalimtarëve në parada. “Askush nuk mendonte se ka diçka të çuditshme në praninë e një fotografi në paradë, kështu që më jepte padukshmërinë”.
Një imazh i shkrepur në New York në vitin 1963, përshkruan një burrë afro-amerikan të relaksuar, me buzëqeshje në fytyrë, veshur me një jelek që qëndronte me qenin e tij pranë një burri të bardhë të ngjeshur në kostum që mbante dorën në zemër teksa vështron afro-amerikanin.
“Ai po nderonte flamurin po këtë nuk e kap kamera”, shpjegon Meyerowitz. “Është një imazh pa kontekst, por që sjell tensionet e dyanshme – e bardhë/e zezë, gjenial/pa djallëzi, patriotik/ jo dhe aq patriotik. Duhet të jesh në rrugë dhe të kapësh momentin e duhur”.
Nga imazhet e tij të rrugës, njëri përshkruan sesi një francez ka rënë përtokë në dalje të stacionit të metrosë së Parisit, një ditë më 1967. Në këtë fazë, Meyerowitz kishte nisur të shkrepte fotografi nga larg – në një distancë prej 20 këmbësh nga objekti. Të gjithë janë duke vështruar njeriun e shtrirë në tokë: gruaja e re shik që po merr shkallët e metrosë, djali i shpërndarjes që shtynte kutitë, një çiklist që afrohet për të pasur një pamje më të qartë të fatkeqësisë së tjetrit, një punëtor me kominoshe madje e shkel atë… “Asnjë prej tyre nuk e ndihmoi”!
“Në vitet ‘60 dhe ’70, mund të shihje në fotografitë e mia dhe të bashkoje vizat nga sytë e njerëzve që lidheshin me sytë e njerëzve të tjerë, duke formuar fushë forcash magnetike”.
Ajo çfarë tërhiqte fotografin në rrugë, sot është gati e vdekur.
“Askush s’e sheh më tjetrin. Të gjithë janë ngjitur për telefonat e tyre”.
Por, a ekziston më fotografia e rrugës?
“Po, lulëzon, por jo në mënyrën sesi e bënim ne. Fotografët më të mirë të rrugës tashmë tregojnë sesi njerëzit janë zvogëluar përballë parullave të reklamave. Rruga e ka humbur shijen e saj”.
Kurajoz, i lëvizshëm dhe plot jetë, Meyerowitz mbushi 80 vjeç më 6 mars. A ka në plan të dalë në pension?
“Artistët nuk e bëjnë këtë”, thotë ai, “vetëm sa kalojnë një njëra fazë në tjetrën në artin e tyre”. /Përgatiti: Juli Prifti /tesheshi.com/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...