Josif Papagjoni
Në festivalin e teatrove shqiptarë, që organizohet këto ditë në dy salla, arTurbina dhe Akademia e Arteve, pjesë e tij janë përpos të tjerave edhe idetë, mendimet, diskutimet që bëhen për shfaqjet në konkurrim, vlerat e paraqitura në përbërësit teatrorë: dramë, aktrim, regji, skenografi, kostumografi, koreografi etj.
Dikur kjo komponente qe tejet e pranishme, energjike dhe me ndikesë në përpunimin e opinionit dhe mendimit artistik, gjer dhe të estetikës së teatrit, duke hedhur në tavolinë një mori çështjesh e temash që rriheshin shpesh me seriozitet e përkushtim në dialogun mes artistëve.
Rasti e ka sjellë të jem pjesë e shumë tavolinave të rrumbullakëta të diskutimit ose “tavolinat e kritikës”. Nëse dikur, të themi para vitit 1990, këto bëheshin në mënyrë tejet serioze dhe kishin përsipër autoritetin e mendimit zyrtar, pra qenë, veç pjesës fisnike e të dobishme të rrahjes së mendimeve, edhe pjesë e kufizimit, kontrollit, ndrojtjes e shpesh frikës prej ndonjë ndëshkimi të mundshëm, gjegjësisht optikës së ngurtë të asaj kohe – pas vitit 1990 hapësira e mendimit kritik mbi shfaqjet erdhi përherë duke u zvogëluar e rrudhur, sa u katandis kokoshi një thelë. Kritika nuk pranohej më në meset e artistëve, ajo u tkurr, u anashkalua, u shpërfill, humbi natyra e saj e institucionalizuar si forum sipëran i mendimit dhe vlerësimit, gjersa u përjashtua.
Ka një shumësi arsyesh dhe rrethanash, por unë po e ndiej përherë e më shumë se mospranimi, konfliktualiteti dhe gjer cinizmi e grindjet mes kritikës dhe artistëve, jo si individë, por tashmë si produkt artistik me përkatësi publike kanë ardhur duke u shtuar e thelluar. Artistët duan përherë një shportë me fjalë të mira, përkëdhelje e lazdrime, si natyra të ndjeshme që janë, ndërsa kritika përherë e më shumë i shmanget thënies së plotë, të sinqertë dhe pllenuese të ideve e vlerësimeve të saj korrekte, me drojën se humb një mik, humb një komunikim njerëzor, andaj dhe u shmanget sherreve të bezdisshme, gjer dhe delireve të ndokujt, boll ka hallet dhe streset e tij çdokush në një realitet që të refuzon ose të ironizon.
Dhe ajo struket në qetësinë dhe paqen e vet; mjaftohet me shfaqjet e mira, shkruan për to, lavdëron, rëndom pa iu futur telasheve etj., etj. Ose siç më pat thënë një miku im, sjell një maune me karamele e çokollata dhe i shpërndan falas te çdo trupë, shfaqje, artist. Këtu nis pikërisht tjetërsimi fatal i kritikës, hipokrizia, shtirja. E vërteta thuhet më së shpeshti pas shpine, në tavolina, rëndom edhe me cinizëm e mohime kategorike dhe jo në sy.
Unë jam bezdisur aq fort, shpesh gjer ne neveri, me mburrjet e aktorëve, lazdrimet e njëri-tjetrit kur janë pranë njëritjetrit dhe porsa kthejnë shpinën flasin më të keqen për kolegun e tyre: ky është dështak, nuk gëlltitet dot, ka cofur, s’ka bërë kurrgjë etj., etj. E kur mund të vijë ajo kohë kur mendimin ta themi hapur, doemos me takt e qytetari? Në një medium të mbytur nga mediokriteti intelektual dhe moral, nga rëndomtësia dhe sherret, sot më duket e largët ajo ditë. Njerëzit i bishtnojnë shfaqjes haptazi të mendimeve. Madje u bishtnojnë forumeve, ku mund të artikulohet një ide e pllenshme, një mendim që hyn në punë.
U pëlqejnë më shumë kafenetë, thashethemnaja, nuk duan të gjykohen për punën e tyre që është në fakt publike dhe e gjykueshme gjerësisht, pjesë e shoqërisë. Pra, po e shoh se dhe këto tavolinat e kritikës po e humbasin rolin e tyre emancipues, po keqkuptohen dhe ç’është më e keqja, artistët vetë nuk kanë dëshirë t’i ndjekin diskutimet, u shmangen, nuk vijnë, u pëlqen më fort të pinë një kafe a gotë birrë në barin ngjitur, sesa të harxhojnë fjalë a të lodhin veshin në debate. Nuk kam parë as pedagogë a studentë të arteve, fare pak. Lëre po t’u thuash shfaq një mendim.
Jo! Për hir të mohimit ndaj një forme tradicionale, shpesh dhe zyrtare dhe e veshur me autoritetin e shtetit dikur, them se nuk duhen braktisur forume të tilla estetike dhe intelektuale për të diskutuar për teatrin, gjendjen dhe ardhmërinë e tij dhe konkretisht për shfaqjet e një festivali. Unë kam vënë re në mjaft festivale në Kosovë, ku ka pasur një traditë të mirë të trashëguar, se këto tavolina vit pas viti kanë ardhur duke u rrudhur, por edhe në jo pak festivale e veprimtari teatrore që kam qenë në botë, ato kanë ndryshuar kah e trajtë.
Shumë funksione mund t’i mbulonte p.sh. një gazetë e posaçme që të botohej ditët e festivalit, a një buletin, a një portal me disa emra të njohur analistësh, që shkruajnë dhe të tjerë që ftohen të japin mendime, duke shmangur doemos gjithë bërllokun që mund të ndërkallet nga mendjet dhe qëndrimet vulgare, cinike a perverse. Po ashtu, një tavolinë gazetarësh është e mirëpritur.
Dhe, ndofta, nga format më publike e promovuese të mendimit kritik, janë rubrikat a bisedat e përditshme në televizione, me analizat e shfaqjeve, roleve, prurjeve, problemeve gjer dhe gjendjes se teatrit shqiptar sot, të cilat për fat të keq producentët dhe redaksitë e tyre janë fare pak të interesuar. Por këtu duhen dhe ca para që të jenë pjesë e projektit, natyrisht. Po ashtu, një libër për festivalin, vlerat, çështjet, portrete, intervista etj., mund të ishte ideuar dhe realizuar.
Nuk kushton asgjë në teknologjitë e sotme të botimit, me një tirazh 100 a 200 kopje maksimalja. Një film dokumentar, një… Ah, më duket se po më rreh si tepër fantazia, po kërkoj si shumë, po i iki së vërtetës që kemi nëpër këmbë… Nuk e di, por si zejtar i kësaj lëmie, pra kritikës, e shoh se hapësira e saj zvogëlohet e zvogëlohet dhe nesër s’do t’i qaset kush kësaj udhe jo të lehtë, që kërkon njëherësh shumë dije, shume guxim dhe shumë karakter… por si njeri që e dua teatrin dhe me një dozë jo të vogël optimizmi, ndofta rrjedha e ujit shkon në shtratin e duhur e nuk shkërmoqet rrëpirave të indiferencës, moskuptimit, shpërfilljes dhe ngufatjes…
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok