Google ADS

Krimet që i pa me sy i hedh në një libër

16:12 | 1 Nëntor 2016
Arbresh.info

Lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, sot erdhi e përmbledhur në libër nga njëra nga përjetueset e dhimbjeve, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Teuta Hadri luftën dhe dhunën që bëri ushtria serbe ndaj shqiptarëve, e pa me sytë e saj, madje edhe librin e titulloi me dy tituj : “Krimi që pashë me sytë e mi” dhe “Ditari i luftës së vitit 1999”.

Aty u prezantua edhe një dokumentar i luftës së vitit 1998, sekuenca, të cilat shfaqin tragjedinë dhe krimet e kryera në Drenicë dhe gjithë Kosovën.

Qëndresa e mjekes në luftë Teuta Hadri u vlerësua lart nga folësit, madje ata janë shprehur se nuk është libri ai që mblodhi të gjithë ata që ishin në promovimin e këtij libri, por ishte historia e popullit shqiptar.

Redaktori i librit “Krimi që pashë me sytë e mi”,  Bedri Islami tha se në këtë libër janë mbledhur britmat, qëndresat, mendimi, që së bashku përmbajnë historinë e kombit.

 

 “Nuk është thjesht një libër  ajo që na mblodhi sot, por britmë njerëzore ku janë përmbledhur vuajtje, qëndresat, mendimi, shpirti, thelbi i një populli, të cilat së bashku i përbëjnë atë të cilën e quajmë histori të kombit…E këtë histori e ka sjellë sot me dinjitet të jashtëzakonshëm njerëzor dhe mjeshtri të rrallë  të fjalës së shkruar një emër i njohur i lëvizjes së rezistencës për lirinë e Kosovës, një nga emrat  madhor të kësaj rezistence, veprimtare e shquar doktoresha Teuta Hadri”, tha Islami.

Islami deri sa fliste për librin dhe autoren është shprehur se libri është shkruar me fjalë zemre. Ai tha se ky është një libër jo vetëm i dhimbjeve por njëkohësisht edhe i shpresës dhe e të vërtetës.

 

 “E ka shkruar me pasion, saktësi me fjalë zemre të ciklosur nga plagët që kishte ajo pjesë e atdheut të përbashkët, e ka shkruar jo vetëm me fjalët e saj por edhe të fisit të saj,  me përkushtimin e dhënë brezave, dhe vendit ku është rritur dhe ku  ishte e gatshme të vendoste kokën e saj të flijimit…ky është një libër i veçantë, tejet i veçantë… është libër  ashtu siç ka qenë vetë historia jonë, është libër i dhimbjeve por njëkohësisht është edhe libër i shpresës, është libër i të vërtetës dhe i një periudhe të ndritur e cila duan apo nuk duan sot ajo do të mbetët në historinë e kombit tonë, qe periudhë e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharit. Është një libër që nuk e shkruan kushdo sepse përcjellë një libër ditar, ditar i një mjeke në luftë dhe jo i një mjeke në shtëpi’, rrëfeu Islami.

Edhe Fitnete Ramosaj, tha se në këtë ditar lufte përfshihen ngjarjet dramatike të luftës së Kosovës, ashtu siç janë parë me sytë e vetë mjekes Teuta Hadri.

“Doktoresha Hadri nuk u dorëzua asnjëherë para pengesave dhe vështirësive dhe në rrugën e lirisë, pengesa e vështirësi të shumta. ..Në këtë ditar lufte përfshihen ngjarje dramatike të luftës së Kosovës, ashtu siç i ka parë me sytë e saj, ashtu siç i ka përjetuar, ashtu siç i ka dëgjuar që nga 28 shkurti i vitit 1998, deri më 18 qershor 1999-tës, atëherë kur Kosova me mbështetjen e aleatëve të NATO-s e fitoi luftën kundër ushtrimit barbar të Serbisë. Në këtë libër shohim se si doktoreshë Teutë Hadri vë dorën për të parë plagët e trupave të pajetë të Jasharëve në Prekaz në trupat e grave dhe fëmijëve pas Epopesë së marsit të vitit 1998. Për të shënuar dëshmitë e barbarisë serbe në njërën anë dhe të sakrificës dhe vetë flijimin të pashembullt në historinë e mbarë botës dhe jo vetëm të kombit tonë”, tha Ramosaj.

E vetë autorja Teuta Hadri, ka falënderuar gjithë pjesëmarrësit, e përshëndetje të veçantë i ka drejtuar familjes Jashari.

 

 “Unë këtu së pari dua ta përshëndes Shqipe Jasharin. Atë krim që e pashë me sytë e mi, vërtetë nuk ka shpëtuar asnjë njeri nga kjo familje dhe sot familja Jashari e gëzon lirinë me gjithë këtë sakrificë që kemi pasur dhe sot ka trashëgimtar që vazhdojnë lirinë e Kosovës”, tha Hadri.

Edhe shkrimtari, Emin Kabashi ka vlerësuar librin e Teuta Hadrit, duke thënë se me ditarin e saj është krijuar atmosfera e ngjarjes dhe dëshmive të luftës, ku përmes kësaj autorja ka shpalosur luftën, zjarrin, dhunën e vrasjet.

Në këtë promovim morën pjesë edhe personalitetet të politikës, e deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme