Kosova, pjesëmarrëse në forumin ndërkombëtar “Classical: NEXT 2015”

13:56 | 15 Maj 2015
Arbresh.info

Kosova do të marrë pjesë në Forumin Profesional Ndërkombëtar të Muzikës Klasike “Classical: NEXT 2015”.

Për katër ditë mbi 1000 profesionist të muzikës klasike do të mblidhen në Rotterdam nga data 20 deri më 23 maj. Qëllimi i forumit është të ngris në një nivel tjetër komunikimin dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi në mes të profesionistëve të fushës së muzikës klasike në botë.

Ekipi kosovar, përfaqësues në Roterdam, përbëhet nga Dardan Selimaj – drejtor i Festivalit Ndërkombëtar DAM (Prishtinë), njëherësh koordinator i ekipit kosovar në “Classical: NEXT”, Baki Jashari – drejtor i Filarmonisë së Kosovës, Besa Llugiqi – soprano dhe Visar Kuçi – violinist. Stenda e Kosovës në “Classical: NEXT” mban numrin 41 dhe do prezantohet nën titullin “Kosova përmes muzikës” (Kosovo through music). Kjo do ta bëj më të lehtë përfaqësimin sa më të mirë të Kosovës në këtë forum.

Përfaqësimi i Kosovës në “Classical: NEXT” është përkrahur nga “Kultura për të gjithë – Faza III”, projekt i Unionit Evropian i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i implementuar nga “INTERARTS”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme