Kosova dhe Mali i Zi me marrëveshje për bashkëpunim kulturor

14:27 | 28 Prill 2017
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Malit të Zi kanë nënshkruar sot një marrëveshje kulturore e cila i rregullon raportet kulturore ndërmjet dy vendeve dhe e konkretizon këtë bashkëpunim.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e kulturës të dy vendeve, Kujtim Shala dhe Janko Ljumoviq, në praninë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.

Fillimisht, kryeministri Mustafa priti në takim ministrin e Kulturës të Malit të Zi, Janko Ljumoviq, ku u bisedua për shkëmbimet ndërmjet dy vendeve, më theks të posaçëm në fushën e kulturës.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast, vlerësoi raportet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy shteteve duke theksuar përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit me Malin e Zi.

Pas takimit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Kosovës, Kujtim Shala dhe ministri i Kulturës i Malit të Zi, Janko Ljumoviq, nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim kulturor, e cila synon të zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse të dy shteteve në fushën e kulturës, duke mbështetur bashkëpunimin në të gjitha fushat e kulturës dhe artit, për t’i njohur dhe prezantuar publikut dhe palëve të treta, trashëgiminë kulturore dhe të arriturat bashkëkohore kulturore të të dyja vendeve.

Sipas marrëveshjes, Kosova dhe Mali i Zi, po ashtu, do të angazhohen në promovimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve të tyre përkatëse, të cilat janë përgjegjëse për fusha të tilla si: arkivat, bibliotekat, muzetë, letërsinë, muzikën, artet pamore dhe performuese, veprimtaritë botuese, kinematografinë dhe mediat e tjera audiovizuale. Po ashtu, dy vendet do të nxisin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në fushën e muzikës dhe vallëzimit, shkëmbimit të informacionit dhe ftesave reciproke për muzikë, balet, vallëzim dhe ngjarje të tjera ndërkombëtare të mbajtura në territorin e vendeve të tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme